Nuk ka rregulla për dekoret në Krishtlindje

Nuk ka rregulla për dekoret në Krishtlindje


Nuk ka qenë asnjëherë më e lehtë. Përzgjidh objekte dhe dekoro. Kompanitë tregojnë se modën mund ta bëni vetë. Si ka ndryshuar sjellja e shqiptarëve, të cilët duan më të mirën, por duan të shpenzojnë sa më pak   

Kur u nisëm për të takuar Rafaela Ricën, për të mësuar çfarë po ndodh këtë vit me dekoret e Krishtlindjeve, kërkesën dhe trendet, na njofton se nuk do të mund të bënim foto në Show room-in e kompanisë së saj në hyrje të Tiranës, pasi ishte boshatisur. Ishte data 7 dhjetor. Ndërsa ne kishim bërë foto më parë, kuptuam se ka një kërkesë të shtuar për dekore në prag Krishtlindjesh. Rafaela, drejtuese e “Iceberg Communication” tregon se ka siguruar më shumë elementë dekorativë këtë vit, por sërish nuk mjaftuan. Një kërkesë të shtuar për blerje e konfirmojnë të gjithë operatorët e kontaktuar në treg, duke filluar nga tregjet e hapura deri tek marketet e mëdha siç është “Jumbo”. Në fillim të muajit dhjetor, radha për të paguar në kasë arrinte në 80-90 veta. Por, mos kujtoni se gjithçka shkon vaj për tregtarët e blerësit. Këta të fundit, janë bërë klientë më kërkues por kjo nuk do të thotë se janë më dorëlëshuar. Ndryshe nga pak vite më parë, familjarët pretendojnë të dekorojnë më mirë ambientet e tyre, por nuk janë të gatshëm të shpenzojnë më shumë. E njëjta gjë ndodh me dekorin e qyteteve nga bashkitë. Këtë vit, më shumë qytete kanë dekoruar sheshet dhe rrugët e tyre kryesore, ndërsa Tirana është shtrirë me dekorimet edhe në zona të reja si Pazari i Ri.  Dekoret e qyteteve, në të cilat ka përvojë të hershme “Iceberg Communication”, variojnë me vlera 1-10 milionë lekë. Ndërkohë, një dekorim mesatar për një familje (pemë dhe elementë dekorativë) mund të kushtojë mes 7 mijë-15 mijë lekëve.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 9 të numrit 15 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 15 të saj.

Duke u bazuar në kërkesën deri në mes të dhjetorit, tregtarët flasin për buxhete në rënie krahasuar me një apo dy vite më parë, ajo çfarë e mban kërkesën e lartë është shtimi i numrit të klientëve.

Po cilat janë trendet e dekoreve në  këto Krishtlindje?!

Ashtu si edhe në stilin e veshjeve, këtë vit nuk keni pse të shqetësoheni për kombinimet e dekoreve në pemë. Merr dekore e vendos në pemë, ose pothuajse….

Arbana Rica, te “Iceberg Communication” tregon se, tendenca përparon bashkë me veshjet. Në panairet e dekoreve shihet se në glob aplikohen po ato linja të dizajneve të rrobave. Kryesojnë elementë tradicionalë, me format e kordeles me kuadratë. Por, dy vitet e fundit, tendenca duket se nuk kufizohet në dy-tre elementë për të dekoruar pemën. Tashmë një pemë “e modës” kërkon elementë të ndryshëm në forma dhe ngjyra të ndryshme. Pra, dekoret që kemi blerë ndër vite mund të mblidhen të gjitha e të vendosen në pemë. Arbana Rica, tregon se, “duke filluar nga kukullat e fëmijëve, dekoret tradicionale, elementë tredimensionalë më të mëdhenj mund të vendosen në pemë”. Nuk duhet të habiteni nëse tek pema e të afërmit apo mikut që do të uroni shikon brirët e drerit, apo një jastëk të qëndisur që integrohet brenda dekorit. Pupa e triko të vogla mund të vendosen gjithashtu në pemë.

Një pemë me tre fytyra

Ndoshta nuk e keni dëgjuar e parë më parë: një pemë me tre dekore. E nxitur nga dekoruesit, duket se po përqafohet ideja e dekorimit të pemës në forma të ndryshme. Familjarët po e zhvillojnë shumë dekorin e pemës në pjesë të caktuara, në forma të caktuara”, thotë Arbana Rica. Nëse historikisht pema qëndron mes dy divanëve dhe nuk shihet 360 gradë, shumë zonja po zgjedhin ta dekorojnë në kënde të ndryshme në forma të ndryshme, tradicionale, moderne, apo edhe me dekor përshtatur fëmijëve. Nëse është në kënd, siç ndodh në të shumtën e rasteve, ato thjeshtë e rrotullojnë herë pas here, duke pasur kështu pamje të ndryshme të pemës. Arbana kujton se, “mjafton të integrosh me shije bashkimet e këtyre dekorimeve të ndryshme, dhe në një sezon ke tre atmosfera të ndryshme festive”.

Fëmijët, edhe më në qendër të vëmendjes

Dhuratat poshtë pemës, shkojnë së pari për fëmijët, por më shumë shpenzime po nxiten në këtë drejtim. Në sallonet e dekoreve gjenden shumë elementë kushtuar fëmijëve. Mes trendeve të fundit, është një pemë enkas për dhomat e gjumit të fëmijëve. Shitësit thonë se fëmijët nuk janë të ndjeshëm ndaj shkëlqimit, ngjyrës vishnje, yllit, etj. Ata pëlqejnë shumë elementë të tjerë të vegjël si “Ponny” apo “Micky Mouse”. Dekore të vogla të ndryshme gjenden për djem dhe vajza. Edhe këtu tradicionalja është “dorëhequr” duke u vendosur mënjanë, pasi personazhet e Krishtlindjeve nuk janë më vetëm plaku prej bore, apo ariu polar. Fëmijët janë në qendër të vemendjës edhe kur flitet për pakot. Thasët me dizajn u kushtohen kryesisht atyre.

Trend/tradicionale

Një dekor modern përbëhet nga kristalet e borës dhe elementët e qelqit.

Por, një pemë jeshile me globa të kuq dhe të artë, është “mbretëresha” e padiskutueshme e Krishtlindjeve.

Disa këshilla për dekorin e duhur

Nisuni nga hapësira. Pavarësisht dëshirës, një pemë e madhe në një apartament të vogël do të ishte një dështim. Nëse nuk mund të largoni një mobilje nga salloni, zgjidhni më mirë një pemë të vogël dhe fokusohuni tek detajet e dekorit.

Dekori në fund të pemës. Një tapet i bardhë i vendosur poshtë pemës do të japë efektin e një sipërfaqeje të mbuluar nga bora. Vendosni mbi tapet dhuratat rreth e qark pemës në mënyrë të çrregullt.

Nëse keni oxhak, vendosni çorape të kuqe. Çorapet janë një element që mund të përdoren, sidomos nëse janë të punuar me dorë. Çdo anëtar i familjes këshillohet të ketë çorapen e tij.

Shpenzimi mesatar në Europë

Një studim i viteve të fundit bërë nga kompania “Deloitte”, tregon se Krishtlindjet në Europë, kushtojnë mesatarisht rreth 450 euro për familje. Flitet jo vetëm për dekoret, por edhe shpenzimet për konsum apo aktivitete të ndryshme përgjatë festës së Krishtlindjeve. Luksemburgu kryeson me gati 830 euro për familje. Një tendencë në rritje shfaqet në Zvicër, me një vlerë prej rreth 660 euro. Në Gjermani vlerësohet të shpenzohen rreth 400 euro për familje, Finlandë 670 euro, Danimarkë rreth 640 euro dhe Francë rreth 530 euro.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 9 të numrit 15 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 15 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0