NOVUS: Si një kompani shqiptare po bëhet lojtare kyçe në sigurinë kibernetike ne rajon e më gjerë - Business Magazine Albania

NOVUS: Si një kompani shqiptare po bëhet lojtare kyçe në sigurinë kibernetike ne rajon e më gjerë

Nga Fatima Gorezi

Leonora Mehmetaj Hajdini është CEO e Novus, një kompani me një portofol të gjerë shërbimesh në fushën e teknologjisë, që nga siguria kibernetike, tek ndërtimi dhe optimizimi i rrjeteve dhe infrastruktuës dhe deri tek konsulenca digjitale për biznese dhe institucione. Edhe pse është një kompani relativisht e re, me 13 vite histori, sot numëron rmë shumë se 150 projekte në sektorë të ndryshëm, duke ofruar zgjidhje të avancuara në sigurinë kibernetike, integrimin e sistemeve, zhvillimin e softuerit, rrjetet kompjuterike jo vetëm në Kosovë dhe rajon, por edhe me shtrirje në tregun amerikan. Nga rrugëtimi i saj akademik, e deri te krijimi i një biznesi të suksesshëm në teknologji, historia e Leonorës është një dëshmi e qartë e guximit, pasionit dhe vizionit strategjik. Në këtë intervistë, ajo ndan përvojat e saj mbi sfidat e sipërmarrjes në sektorin e IT-së, zgjerimin ndërkombëtar të Novus dhe rëndësinë e rolit të grave në teknologji.

Leonora, mund të na tregoni pak mbi veten tuaj? Si u futët në botën e teknologjisë? 

Rruga ime profesionale ka qenë paksa e veçantë, pasi fillimisht u orientova drejt mjekësisë në shkollën e mesme. Gjatë atyre viteve, më pëlqente të mësoja rreth kujdesit shëndetësor, por me kalimin e kohës, fillova të ndjej një tërheqje gjithnjë e më të madhe ndaj teknologjisë.

Isha gjithmonë kureshtare për mënyrën se si funksionojnë sistemet teknologjike dhe se si inovacionet mund të ndryshojnë jetën tonë. Kjo dëshirë më shtyu të ndryshoj drejtimin tim akademik dhe të vazhdoj studimet në elektroteknikë për inxhinieri. Ky ishte një vendim sfidues, por absolutisht i duhuri për mua. Falë përkushtimit dhe punës së palodhshme, sot kam arritur të bëhem drejtuese dhe bashkëpronare e kompanisë Novus, e cila ka fokus fushën e teknologjisë informative.

Sot, teknologjia është jo vetëm profesioni im, por edhe pasioni im. Më pëlqen të jem pjesë e zhvillimeve të reja dhe të kontriuboj në projekte inovative që sjellin ndryshime pozitive. 

Besoj se ndryshimi dhe përshtatshmëria janë çelësi i suksesit, dhe unë besoj se jam shembulli që kur ndjek pasionin tënd, gjithçka është e mundur.

 Çfarë ju udhëhoqi drejt sipërmarrjes në teknologji?

Ishte një kombinim i edukimit dhe përvojës praktike që më udhëhoqi drejt sipërmarrjes në teknologji. Studimet në Fakultetin Teknik të Prishtinës më ndihmuan të ndërtoj një bazë të fortë teknike, ndërsa përvoja në industrinë e IT-së më dha njohuritë praktike për të kuptuar nevojat e tregut. Kjo më motivoi të bashkohem me Novus në vitin 2017, ku së bashku me pjesën tjetër të ekipit të Novus arritëm të zgjerojmë shërbimet e kompanisë në sigurinë kibernetike, zhvillimin e softuerit, integrimin e sistemeve, rrjetave kompjuterike, shërbimet e konsulencës etj.

Cilat ishin hapat e parë të fillimit të Novus në një treg si Kosova? Cilat ishin sfidat fillestare të rritjes?

Në hapat e parë, fokusi ynë ishte ndërtimi i një ekipi të specializuar dhe ofrimi i shërbimeve cilësore në domeinët që operon kompania. Në një treg si Kosova, sfida kryesore ishte ndërgjegjësimi i klientëve për rëndësinë e sigurisë kibernetike dhe adoptimi i standardeve ndërkombëtare.

Gjithashtu, ndërtimi i besimit me klientët dhe krijimi i një reputacioni të fortë kërkonte kohë dhe përkushtim. Megjithatë, duke u fokusuar te cilësia dhe profesionalizmi, arritëm të krijojmë partneritete të qëndrueshme dhe të rritemi si një kompani e besueshme në treg.

Kur kuptuat se Novus kishte potencial për të zgjeruar kufijtë e saj dhe cilat strategji përdorët për të hyrë në tregjet e Maqedonisë së Veriut dhe Amerikës?

Potencialin për zgjerim e kuptuam kur pamë rritjen e kërkesës për shërbimet tona dhe ndikimin që këto shërbime kishin në operimin më efikas dhe të sigurt të infrastrukturës së IT-së së klientëve tanë, si dhe nga përshtypjet pozitive të marra nga ta. 

Për të hyrë në tregjet e Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, u fokusuam në ndërtimin e partneriteteve strategjike, certifikimin sipas standardeve ndërkombëtare dhe ofrimin e zgjidhjeve të përshtatura për nevojat specifike të këtyre tregjeve. Gjithashtu, investuam në zhvillimin e ekipit dhe inovacion për të ofruar shërbime konkurruese dhe të besueshme.

A mund të na ndani disa shifra ose fakte për ta vendosur Novus në kontekstin aktual të tregut? Cilat janë pikat e forta dhe avantazhet konkurruese që e diferencon Novus nga të tjerët?

Novus operon në treg prej 13 vitesh, që nga themelimi i saj në vitin 2012 në Kosovë.

Aktualisht, kemi realizuar më shumë se 150 projekte në sektorë të ndryshëm, duke ofruar zgjidhje të avancuara në sigurinë kibernetike, integrimin e sistemeve, zhvillimin e softuerit, rrjetet kompjuterike etj.

Novus ka zgjeruar prezencën e saj në tregje ndërkombëtare, duke operuar në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Shqipëri, Gjermani, SHBA, Zvicër, Algjeri, Kamboxhia dhe Greqi.

Kemi realizuar projekte të rëndësishme për forcimin e sigurisë kibernetike në Kosovë, Gjermani (projekte që ndërlidhen me auditimin dhe përcaktimin e rrezikut në sigurinë e informacionit), si dhe në Afrikë, më konkretisht në AFRIPOL (African Union Mechanism for Police Cooperation). Po ashtu, kemi ofruar konsulencë për digjitalizim, dizenjim të infrastrukturës së rrjetit dhe Data Center për Qeverinë e Kamboxhias dhe projekte të tjera me ndikim të lartë.

Në dy vitet e fundit, Novus ka shënuar një rritje prej mbi 55% si në performancën financiare ashtu edhe në rritjen e ekipit, gjë që tregon përkushtimin dhe angazhimin tonë në ofrimin e shërbimeve cilësore. 

Disa nga avantazhet e që e diferencojnë Novus nga të tjerët janë:

  • Ekip profesional dhe entuziast
  • Ekspertizë në shumë domeine në fushën e ICT
  • Kredibiliteti dhe besueshmëria tek klientët
  • Përkushtim ndaj cilësisë
  • Përvoja ndërkombëtare
  • Rritja e qëndrueshme dhe e vazhdueshme

Novus operon në disa tregje ndërkombëtare. Cilat janë sfidat kryesore të menaxhimit të një kompanie me prani globale?

Operimi në tregjet ndërkombëtare sjell një sërë sfidash komplekse që kërkojnë menaxhim të kujdesshëm dhe strategjik. Kultura dhe dallimet rajonale paraqesin një nga pengesat më të mëdha, duke ndikuar në mënyrën se si produktet dhe shërbimet perceptohen, si dhe në dinamikat e komunikimit me partnerët dhe klientët. 

Një sfidë tjetër kritike është përputhshmëria me rregullat dhe ligjet vendore, e cila kërkon burime dhe ekspertizë për të garantuar që operacionet janë në përputhje me kërkesat lokale, duke shmangur rreziqet ligjore dhe financiare. 

Menaxhimi i një ekipi global gjithashtu paraqet vështirësi unike, duke kërkuar një kuptim të thellë të diversitetit kulturor dhe aftësi për të ndërtuar një kulturë organizative të përbashkët. 

Në të njëjtën kohë, konkurrenca globale ushtron presion të vazhdueshëm për të përmirësuar efikasitetin dhe për të ofruar vlerë unike në tregje të ndryshme. 

Së fundi, përshtatja me nevojat e tregut dhe teknologjitë e avancuara është një sfidë e përhershme, duke kërkuar fleksibilitet për të mbajtur hapin me ndryshimet e shpejta teknologjike dhe kërkesat e konsumatorëve.

Pse vendosët të vini në Shqipëri? Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky treg?

Vendosëm të zgjerohemi në Shqipëri për shkak të mundësive të konsiderueshme që ofron ky treg në fushën e teknologjisë informative, më konkretisht në fushën e sigurisë kibernetike. 

Shqipëria ka një zhvillim të shpejtë në sektorin e IT-së dhe një kërkesë gjithnjë e më të lartë për shërbime të specializuara. Për më tepër, vendosëm që të hyjmë në këtë treg tani, pasi ky është momenti i duhur për të ofruar ekspertizën tonë, si dhe për t’iu përgjigjur nevojave të shtuara për siguri kibernetike dhe inovacion që kërkohen shumë nga bizneset dhe institucionet vendore. 

Zgjerimi në Shqipëri është një hap strategjik që do të na mundësojë të shfrytëzojmë mundësitë e rritjes dhe të konsolidojmë pozitat tona si lider në këtë industri.

Pritshmëritë tona nga tregu shqiptar janë shumë pozitive. Ne synojmë të ofrojmë përvojën tonë shumëvjeçare rajonale dhe ndërkombëtare, e cila besojmë do të jetë e mirëseardhur për bizneset dhe institucionet në Shqipëri. Presim të krijojmë partneritete afatgjata me klientët tanë dhe të mbështesim zhvillimin e një ekosistemi teknologjik më të sigurt dhe inovativ. Po ashtu, presim që ky treg të ofrojë mundësi të mëdha për rritje të mëtejshme, duke konsoliduar pozitat tona si një aktor i rëndësishëm në rajon.

Novus do të sjellë në Shqipëri një gamë të gjerë shërbimesh në fushën e IT, ku ndër të tjera përfshihen:

  • Siguria kibernetike: Ofrojmë zgjidhje të avancuara për mbrojtjen e sistemeve dhe të dhënave, duke përfshirë:
    • Vlerësimin e rrezikut të sigurisë së informacionit;
    • Menaxhimi i Riskut të Aseteve;
    • Shërbimet e SOC;
    • Reagimin ndaj incidenteve;
    • Testet e penetrimit;
    • Trajnime për ndërgjegjësimin e përdorueseve ndaj rreziqeve të sigurisë kibernetike etj..
  • Zhvillim e aplikacioneve: Zhvillojmë aplikacione dhe sisteme të personalizuara për të përmbushur nevojat specifike të klientëve, përmirësimin e proceseve dhe optimizimin e infrastrukturës.
  • Integrimin e rrjeteve dhe sistemeve: Ofrojmë zgjidhje për ndërtimin dhe optimizimin e rrjeteve, infrastrukturës teknologjike dhe Qendrave të të Dhënave
  • Konsulencë në digjitalizim: Ndihmojmë bizneset të digjitalizojnë proceset e tyre dhe të kalojnë në platforma më efikase dhe moderne për të rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.

Përfituesit kryesorë do të jenë bizneset e mesme dhe të mëdha, institucionet publike dhe organizatat që kërkojnë të rrisin nivelin e sigurisë, të optimizojnë operacionet dhe të përmirësojnë infrastrukturën e tyre teknologjike. 

Po ashtu, do të përfitojnë edhe startup-et dhe kompani që duan të digjitalizojnë proceset e tyre për të qenë konkurrent në treg.

Çfarë premtimi sjell brandi Novus për bashkëpunëtorët, klientët dhe përfituesit e tij?

Novus premton partneritete të besueshme dhe të qëndrueshme për bashkëpunëtorët dhe klientët tanë. Ne ofrojmë shërbime të avancuara, të personalizuara dhe të sigurta, duke u përkushtuar që çdo zgjidhje që ofrojmë të përmbushë nevojat specifike dhe të kontribuojë në rritjen dhe sigurinë e biznesit të tyre. 

Premtimi ynë është që të ofrojmë ekspertizë, mbështetje të vazhdueshme dhe shërbime inovative që janë të përshtatshme për të përballuar sfidat e një tregu gjithnjë e më kërkues dhe në ndryshim të vazhdueshëm. Novus angazhohet gjithmonë që të përkrahë klientët dhe partnerët që të arrijnë suksese të qëndrueshme dhe të përmbushin objektivat e tyre.

Ju jeni një grua që keni gjetur suksesin falë punës dhe talentit tuaj në një industri tejet sfiduese sikundër është teknologjia. Cili shtë mesazhi juaj për gratë e reja që duan të ndjekin një karrierë në teknologji dhe lidership?

Mesazhi im për gratë e reja që dëshirojnë të ndjekin një karrierë në teknologji dhe lidership është: 

Mos u frikësoni të sfidoni kufijtë dhe të besoni në aftësitë tuaja! 

Teknologjia është një fushë me mundësi të pafundme dhe secila nga ju mund të bëjë ndryshimin që dëshiron. Çelësi është të vazhdoni të mësoni, të zhvilloni aftësitë tuaja dhe të keni guximin të kërkoni mundësi për t’u rritur, pavarësisht pengesave. 

Po ashtu, është e rëndësishme të kërkoni mbështetje dhe mentorim, dhe të ndërtoni komunitete profesionale që mund t’ju ndihmojnë të arrini suksesin. 

Teknologjia ka nevojë për mendje të ndryshme dhe të larmishme, dhe kontributi juaj është i çmuar. Mos lejoni që stereotipat apo sfidat fillestare t’ju ndalojnë. Besoni në veten tuaj, qëndroni të motivuara dhe ndiqni me pasion rrugën që dëshironi. 

Bota e teknologjisë ka nevojë për lideret e së ardhmes – dhe ju mund të jeni njëra prej tyre!
Novus, ne e vlerësojmë diversitetin dhe inkurajojmë përfshirjen e grave në të gjitha fazat e projekteve tona. Besojmë se mundësitë e barabarta janë thelbësore për një ekosistem më inovativ dhe të qëndrueshëm. Aktualisht, 55% e stafit tonë janë gra, një tregues i qartë i përkushtimit tonë për të ndërtuar një mjedis gjithëpërfshirës dhe për të mbështetur talentin pa dallime gjinore. 

Ky artikull është publikuar në numrin 37 të revistës Businessmag

Abonohu për të lexuar artikujt e BM!

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0