Vangjel Lila, ekonomist
Në mbledhjen e fundit të Këshilli Mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 0.5%, si ndihmë e vazhduar për rimëkëmbjen e ekonomisë nga COVID-19.
Rrugëtimi i normës së interesit ka qenë gjithnjë në zbritje për tregun shqiptar, politika këto të cilat janë bërë për të rritur huamarrjen dhe për pasojë rritjen e investimeve. Në një periudhë ndikuar nga efektet e COVID-19, ulja e normës së interesit do të rriste investimet duke krijuar vende të reja pune dhe duke i dhënë një shtysë ekonomisë për një rimëkëmbje më të shpejtë.
Norma u ndryshua për herë të fundit më 25 Mars 2020 nga 1% në 0.5%. Ajo që vrasin mendjen ekspertët është nëse do të shkojë norma 0% duke vërejtur trendet e saj. Suedia është një ndër ato shtete që e ka normën e interesit 0% dhe që nuk ka bërë ndryshime së fundi, por ka rritur blerjet e Obligacioneve Qeveritare dhe Hipotekare për të stimuluar ekonominë gjatë kohës së korona virusit.
Duke gjykuar dhe mbi projeksionet e skenarit bazë dhe balancën e rreziqeve rreth tyre, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.

Lexo:Shqipëria dhe Mali i Zi do të kenë tkurrjen më të madhe ekonomike në rajon
Për këtë arsye, ai vendosi:
- të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%;
- të lerë të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 0.1% dhe 0.9%.
Banka qendrore vetë ka deklaruar në mars që “Ulja e normës bazë të interesit është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, për reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimit të likuiditetit në bizneset dhe familjet shqiptare”.
Ndërkohë që ka rritur kapacitetet operacionale për të garantuar furnizimin e pandërprerë të ekonomisë me monedha dhe kartëmonedha, banka ka marrë të gjitha vendimet e nevojshme dhe ka angazhuar strukturat e saj në plotësimin e kërkesave të tregut për para fizike, duke siguruar njëkohësisht një stok të mjaftueshëm me qëllim përballimin e nevojave në rritje të ekonomisë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto