Në një kopsht zoologjik pranë Tokios, historia e një majmuni foshnjë është kthyer në një fenomen viral falë një dysheje të pandarë: Punch, një makak japonez 7-muajsh, dhe shoku i tij orangutan prej pellushi.
I refuzuar nga nëna e tij biologjike pak pas lindjes në korrik të vitit të kaluar, Punch e pati të vështirë të integrohej pasi majmunët e rritur e refuzonin vazhdimisht sa herë që përpiqej t’u afrohej. Mirëpo, Punch e gjeti ngushëllimin te një lodër prej pelushi që do të shndërrohej në “nënën” e tij të re.
Kujdestari i kopshtit zoologjik, Kosuke Shikano, tha: Makakët japonezë foshnjë kapen menjëherë pas trupit të nënës pas lindjes për të ndërtuar forcën muskulore. Ata gjithashtu fitojnë një ndjenjë sigurie duke u kapur pas diçkaje. Për shkak se ishte braktisur, Punch nuk kishte asgjë ku të kapej. Pasi eksperimentuan me një sërë sendesh, majmuni zgjodhi lodrën prej pellushi.
Lexo edhe:Nala – Macja më e pasur në botë me një pasuri prej $100 milionë
Ndërkohë, historia e tij ka pasur edhe një efekt të papritur në treg. Punch është kthyer në një influencer të paqëllimshëm: Ikea bëri të ditur për The Post se shitjet e lodrës orangutan DJUNGELSKOG janë rritur ndjeshëm. Kompania u ka kërkuar mirëkuptim klientëve në Japoni, SHBA dhe Korenë e Jugut, ku lodra është shitur plotësisht për shkak të kërkesës së lartë. Ekspertët theksojnë rëndësinë e lidhjeve shoqërore edhe tek kafshët. Joan Silk, profesoreshë e evolucionit në Universitetin Shtetëror të Arizonës, u shpreh se forca e marrëdhënieve sociale ndikon drejtpërdrejt në jetëgjatësi. Sipas saj, ashtu si tek njerëzit, lidhjet shoqërore ndihmojnë në përballimin e stresit dhe në menaxhimin e pasigurive që shkaktojnë ankth.
Stafi i kopshtit zoologjik beson se nëna e tij, një makake e re që po përjetonte shtatzëninë e saj të parë, mund ta ketë braktisur për shkak të stresit të shkaktuar nga një valë të nxehti. Megjithatë, historia e Punchit ka një fund të lumtur: vetëm pak ditë më parë, një majmun tjetër i së njëjtës specie e përqafoi Punchin, duke sinjalizuar një pranim shoqëror që është i rrallë për foshnjat e përjashtuara në natyrë.
Historia e Punch-it ka rikthyer vëmendjen te nevoja për përkujdesje, përkrahje dhe lidhje sociale, jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto