Në vitin 2017, Raghav Gupta nisi një mision për të zgjidhur një problem personal: dëshironte të kishte akses të lehtë në ushqimet e gatuara në shtëpi me të cilat ishte rritur, pa kaluar orë të tëra duke gatuar ose pa shpenzuar para për take away apo për të punësuar një kuzhinier personal. Zgjidhja? Robotika. Kështu lindi startup-i Posha.
Posha, një ish-pjesëmarrës në TechCrunch Startup Battlefield, ka krijuar robotë të vegjël që vendosen në banakun e kuzhinës dhe përgatisin ushqime duke përdorur vizionin kompjuterik. Përdoruesit mund të zgjedhin nga një listë recetash, të përzgjedhin atë që duan, të shtojnë sasinë e duhur të përbërësve, dhe më pas pajisja bën pjesën tjetër të punës. Procesi është menduar të jetë fleksibël dhe i përshtatshëm, tha Gupta për TechCrunch. Pajisja lejon zëvendësimin e përbërësve dhe funksionon edhe nëse përmasat nuk janë të sakta. “Është pak a shumë si një makinë kafeje, por për ushqimin,” shpjegon Gupta. “Kur dëshiron një kafe, zgjedh llojin e kafesë, vendos kokrrat, sheqerin dhe qumështin në kontejnerët përkatës, shtyp butonin dhe del kafeja. Posha funksionon në të njëjtën mënyrë, por për gatimin e ushqimeve.” Megjithatë, krahasimi me makinën e kafesë nuk është plotësisht i përshtatshëm, pasi Posha kërkon pak më shumë angazhim. Edhe pse bën pjesën më të madhe të gatimit, përdoruesit duhet të blejnë dhe përgatisin vetë përbërësit. Sidomos prerja e tyre mund të marrë një pjesë të mirë të kohës. Gupta pranoi se jo të gjithë do të jenë të prirur të përdorin një zgjidhje që kërkon ende përgatitje. Megjithatë, Posha ka pasur sukses më së shumti tek ata persona që gatuajnë rregullisht 2 deri në 6 herë në javë dhe kërkojnë të lehtësojnë punën disa mbrëmje. “Këta njerëz zakonisht kalojnë rreth një orë në kuzhinë çdo ditë, duke vendosur çfarë të gatuajnë, duke blerë përbërësit, duke përgatitur ushqimin dhe duke pastruar më pas,” tha Gupta. “Ne i ndihmojmë ata të kursejnë të paktën 70% të kohës, kështu që tani shpenzojnë vetëm 10 deri në 20 minuta në ditë.”
Lexo edhe:Risi në Marok, trenat me shpejtësi të lartë në 3 qytete të rëndësishme
Fillimisht, Posha që më parë quhej Nymble ishte konceptuar si një krah robotik. Por eksperienca në programin përshpejtues të Bosch i bëri ata të ndryshojnë drejtim. Konsumatorët nuk preferonin pajisje që lëviznin nëpër kuzhinë ose që ishin të vështira për t’u pastruar. Që atëherë, kompania ka mbajtur lidhje shumë të ngushta me klientët e saj. “Që nga dita e parë kemi qenë jashtëzakonisht të përqendruar tek klientët,” tha Gupta. “Nuk përdorim Zendesk për të komunikuar me ta, por kemi biseda në WhatsApp me mbi 100 klientë. Shumica më njohin personalisht. Madje u shpërngula në SHBA gjatë pandemisë për të qenë më afër tyre.” Kjo mënyrë nuk është shumë e shkallëzueshme, por për momentin po funksionon për Posha. Përsa i përket marketingut, kompania ka mbështetur kryesisht te fjala e gojës për të promovuar pajisjen e saj, e cila shitet direkt për konsumatorët me një çmim prej 1,750 dollarësh. Së fundmi, Posha siguroi një investim prej 8 milionë dollarësh nga raundi Series A, i kryesuar nga Accel, me pjesëmarrjen e investitorëve ekzistues si Xeed Ventures, Waterbridge Ventures dhe Binny Bansal, bashkëthemeluesi i Flipkart. Gupta tha se kompania do të përdorë fondet për të zhvilluar më tej produktin. Objektivat përfshijnë shtimin e më shumë recetave dhe krijimin e mundësisë që përdoruesit të sugjerojnë receta të reja, të cilat më pas do të përpunohen nga inteligjenca artificiale për t’u integruar lehtësisht në pajisje. Posha nisi zyrtarisht pajisjet e saj në janar 2025 dhe tashmë ka shitur serinë e parë. Aktualisht, kompania po pranon porositë për serinë e dytë. “Kur sheh pajisje si mikrovalën, lavastoviljen apo frigoriferin, të gjitha kanë nisur si pajisje të thjeshta countertop. Me kohën, ato janë bërë të domosdoshme në çdo shtëpi,” tha Gupta. “Ne besojmë se Posha do të ndjekë të njëjtën rrugë shumë shpejt.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.