Njihuni me Alisa Dudaj, stilisten shqiptare, fituese e çmimit të parë të Muza Competition, mes 350 konkurentëve nga të gjitha trojet shqipfolëse dhe diaspora - Business Magazine Albania

Njihuni me Alisa Dudaj, stilisten shqiptare, fituese e çmimit të parë të Muza Competition, mes 350 konkurentëve nga të gjitha trojet shqipfolëse dhe diaspora

Alisa Dudaj

Alisa është diplomuar si Fashion Designer në 20 Maj 2022, me rezultatet maksimale, në Parsons School of Design, New York. Puna e saj ka marrë vlerësime të shumta, prej të gjithë profesorëve të saj atje, të cilët janë emra të shquar të modës në botë.

Ajo dëgjon rastësisht për konkursin e Muza Competition, vetëm 2 ditë para mbylljes së aplikimeve, gjatë shërbimit fotografik të koleksionit të saj me veshjet e përgatitura për të mbrojtur tezën e diplomës në Fashion Design.

Alisa kalon orët e fundit para afatit për aplikimin në konkurs, duke përgatitur dizenjot për konkursin Muza Competition në Shqipëri. Përzgjedhja në konkurs dhe më pas fitorja, i janë dukur një ëndërr e bukur. Sot, ajo po e shijon këtë moment mes shumë planeve dhe ëndrrave për të ardhmen si Fashion Designer dhe Stiliste.

Ajo ka ndërmarrë prej dy vitesh hapat e parë drejt sipërmarrjes, duke veshur disa personazhe publike, ndërsa ndiqte studimet në Parsons School of Design.

Këtë përvojë dhe këndvështrimin e saj për botën e fashion design, Alisa i ndan me ne në një intervistë të posaçme.

Ju fituat çmimin e parë në Muza Competition. A mund të na tregoni përjetimet tuaja për të gjithë këtë rrugëtim në konkurs deri në finale dhe ndarjen e çmimeve?

U vura në dijeni për ekzistencën e këtij konkursi, fare rastesisht, nga z.Fadil Berisha, në 22 Prill, 2 ditë para mbylljes së aplikimeve të Konkursit, kur po realizoja në studion e artistit të famshëm shqiptar, në New York, një set fotografik të veshjeve për të mbrojtur diplomën time. Brenda 2 ditësh m’u desh të realizoja dhe të dorëzoja design-in e 15 veshjeve, të cilat i gjeni të ilustruara në artikull dhe që më dhanë mundësinë të përzgjidhesha mes 350 konkurrentëve shqiptarë nga e gjithë bota.

Menjëherë pas diplomimit në Parsons, në 20 Maj 2022, lashë New Yorkun dhe që të nesërmen udhëtova drejt Tiranës, për të nisur punën me koleksionin final, që do të paraqitej para jurisë në datën 10 Qershor.

Artikulli u publikua më parë në faqen 32  të numrit 29 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të abonoheni Këtu për nr. 29 të saj.

U përpoqa të sillja një frymë të re në veshjet moderne, bazuar në traditën shqiptare. Koleksioni final me 10 veshje është krijuar nga fillimi dhe m’u desh një punë shumë intensive.

Shumë prej copave janë realizuar me teknika shumë inovative dhe të parealizuara më parë, të punuara nga unë me dorë. Por, disa veshje u realizuan me ndihmën e artizanëve shqiptar.

Edlira, nga Tradita.al, më ndihmoi me realizimin në kohë të veshjeve të qëndisura, ndërsa Jooeyys me ndihmoi me punën me grep.

Koleksioni im është frymëzuar nga tradita dhe kultura jonë, por e sjellë në 2022 nga pikëpamja ime. Ka qenë një punë shumë e lodhshme, por në fund, kur sheh krijimet e tua në pasarelë dhe kur vlerësohesh për punën tënde, është ndjesia me e bukur.

Ishin emocione që nuk i kisha përjetuar më parë.

Çfarë mendon se ndikoi në këtë fitore? Studimet që ke kryer? Pasioni i kultivuar ndër vite, apo të gjitha bashkë?

Në fitoren time mendoj se ndikoi më së shumti këndvështrimi im për traditën. Mendoj se pikëpamja ime minimaliste dhe bashkëkohore solli një stil ndryshe. Ndërthurja midis modernes dhe tradicionales ishte e suksseshme në koleksionin tim. Pata shumë komente pozitive. Veshjet që krijova, janë të tilla që mund të prodhohen dhe më pas të shiten nëpër dyqane. Sigurisht që shkollimi im ka ndikuar ndjeshëm në formimin tim si stiliste dhe në krijimin e këtij koleksioni.

Ju sapo jeni diplomuar në Parsons. A mund të na flisni për përvojën gjatë studimeve tuaja. Universiteti, çfarë rrënjosi më së shumti te ju?

U jam shumë mirënjohëse prindërve të mi për mundësitë që më kanë dhënë.

Kam shkuar në Amerikë të ndjek studimet që në shkollë të mesme dhe kjo më dha mundësi të punoja për të konkurruar, që të pranohem në Parsons School of Design, pasi përveç notave të larta, ajo shkollë ka kritere shumë të rrepta pranimi.

Kam punuar mbi 12 projekte për të paraqitur një portofol punimesh. Kam dorëzuar ese, kam aplikuar me notat e mia që ishin maksimale nga shkolla e mesme: Northwestern Catholic School dhe pas një pritjeje të gjatë jam pranuar në Parsons.

Parsons School of Design është shkolla numër 1 në botë për fashion-design.

Një shkollë tepër konkurruese, me shumë projekte, angazhime, lëndë të veshtira, por në fund ndihem e përgatitur për çfarë më pret pas shkollimit tim. Shumë netë pa gjumë dhe shumë lodhje për ta përfunduar, por mund të them me plot gojën që ia ka vlejtur.

A kujtoni ndonjë moment apo ngjarje që ka lënë gjurmë të forta në fazën e formimit tuaj?

Unë kam filluar të krijoj fare e vogël. Që në moshën 5-6 vjeçe më pëlqente të vishja ndryshe kukullat e mia, të përdorja materiale të çuditshme për të realizuar pamje dhe objekte të pazakonta.

Mamaja ime e vuri re e para talentin e përkushtimin tim në pikturë dhe art. Ajo më regjistroi herët në kurs pikture, ku unë zbavitesha, por dhe mësoja. Kujtoj zysh Elin, e më pas zysh Arjela Kule, që më kanë ndihmuar në rrugëtimin tim drejt artit dhe skicimit te ideve te mia. Kam ende në shtëpi, të ruajtura nga mamaja ime çdo vizatim, pikturë e objekt që kam krijuar. Ajo m’i ruan me shumë fanatizëm.

Një nga ngacmimet, që ka prekur formimin tim dhe vendimin final për shkollën, ka qenë ndjekja e një emisioni kur isha në Shqipëri, i cili quhej Project Runway. Mamaja ime ma tregoi atë emision dhe e ndiqnim të dyja në çdo seri. Aty e kuptova sa shumë më pëlqente si profesion Fashion Design. Aty u njoha me Parsons, ku më pas vazhdova studimet.

Nxitje e fortë, që ka lënë shenja në formimin tim, ka qenë një nga klasat e design në vitin e parë në Parsons. Një nga profesorët e mi, i cili i pëlqente shumë punët e mia, në një rast gjykoi se nuk e kisha kryer detyrën në mënyrën e duhur. Me tha se ishte i zhgënyer nga unë dhe mund ta përsërisja detyrën. Më kujtohet se si jam ndjerë në ato momente. Aty e kuptova që ajo ishte një ndjesi që nuk doja ta provoja përsëri. Që prej asaj dite kam dhënë më shumë se 100% nga vetja në çdo projekt timin.

Edhe pse sapo keni mbaruar studimet, ju keni veshur tashmë edhe personazhe publike. Çfarë keni parasysh kur dizenjoni veshjet për një personazh publik?

Frymëzohem më së shumti nga karakteri i personazhit. Më pas krijoj veshjen që mendoj se u përshtatet formave trupore dhe personalitetit.

Një nga punët e mia të para, gjatë studimeve, kur ndodhesha për pushime në Shqipëri në verën e vitit 2020, ishte të dizenjoja veshjet për Aulona Mustën, në emisionet e saj “Natë me Aulonën”.

Ishte një mundësi dhe eksperiencë shumë e bukur, që rezultoi shumë e suksesshme dhe ndikoi pozitivisht në rritjen time profesionale.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen lidhur me profesionin, me Shqipërinë?

Të ardhmen time, momentalisht nuk e shoh në Shqipëri. Baza e biznesit tim të ardhshëm do të jetë në Amerikë, aty ku edhe jetoj. Dëshira ime më e madhe aktualisht është të krijoj linjën time të veshjeve. Momentalisht po studioj tregun dhe po merrem me planin e biznesit dhe kombinimin e burimeve të duhura për këtë startup.

Po hap një brand timin, ku do përfaqësohet identiteti im. Kam planifikuar të bashkëpunoj me artizane shqiptare, që të kompletojnë me punime dore, veshjet që kam ideuar dhe më pas ato të shpërndahen në të gjithë botën.

A mund të ndash disa mesazhe me audiencën rreth veshjeve. Cilat janë disa veprime apo zgjedhje që duhet t’i shmangim në veshje, në mënyrë që të mos biem në gabime?

Unë mendoj që moda nuk ka rregulla. Çdokush mund të vishet si të ketë dëshirë. E vetmja gjë që do të sugjeroja është që gjithmonë të vishemi komodë, sepse kur dikush ndihet mirë me veshjen që ka, duket më bukur. Një element i rëndësishëm për mua është: sa më pastër dhe thjeshtë aq më mirë. Sa më shumë ngarkohet një veshje, aq më kaotike bëhet për syrin.

Nga përvoja juaj me studimet, punët e para dhe çmimin e fituar, çfarë do t’u sugjeronit stilistëve të rinj, atyre që aspirojnë në këtë fushë?

Stilistëve të rinj do t’u sugjeroja të mos qëndrojnë brenda kornizave. Edhe nëse njerëzit nuk e shohin vizionin tuaj, mos kini frikë t’i shkoni deri në fund. Shumë herë më është dashur që idetë e mia t’i mbroj deri në fund, pasi jo të gjithë mund t’i shohin gjërat nga i njëjti këndvështrim me mua. Këshilla e dytë është që nëse e keni vërtet pasion, mos kini dyshime, por përpiquni sa më shumë të arrini aty ku doni. Unë jam gjithashtu në atë fazë, ku më duhet të luftoj për të kapur objektivin e radhës.

Nëse doni të ndiqni punimet, apo të jeni në kontakt me Alisa Dudaj e gjeni në website zyrtar: alisadudajstudio.com

Email: contact@alisadudajstudio.com dhe në Instagram: @alisadudajstudio

Artikulli u publikua më parë në faqen 32  të numrit 29 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë digjitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të abonoheni Këtu për nr. 29 të saj.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0