Kur reklamat digjitale dominojnë çdo platformë dhe algoritmet përpiqen të parashikojnë çdo vendim të konsumatorit, disa kompani vijojnë të ndërtojnë suksesin mbi kontaktin e drejtpërdrejtë, dialogun personal dhe ndershmërinë e një demonstrimi në ambient familjar. Një prej tyre është Hyla – një emër i njohur në teknologjinë ekologjike të pastrimit të sipërfaqeve, e cila prej më shumë se një dekade operon edhe në Shqipëri përmes një modeli marketingu direkt që ka sjellë rezultate të jashtëzakonshme.
Në këtë intervistë me Rigels Sehitajn, administrator i Hylës për Shqipërinë prej më shumë se tre vitesh, zbulojmë pse prezantimi personal, demonstrimi në shtëpi dhe përfaqësuesit që flasin nga përvoja vetjake, janë ende ndër mënyrat më efektive për të fituar besimin dhe zemrën e klientëve shqiptarë.
Cili është background-i juaj dhe si u gjendët në krye të Hylës në Shqipëri?
Unë jam administrator i Hylës në Shqipëri prej më shumë se tre vitesh. Vetë kompania operon në tregun shqiptar prej një dekade. “Hyla International” është kompania mëmë, themeluar 35 vite më parë dhe me qendër në Lubjanë, Slloveni. Prodhimi kryhet atje, ndërsa lënda e parë vjen nga Gjermania. Hyla ka filluar që në vitin 1990 me një prototip të parë, i cili ka evoluar deri në modelin më të fundit, lançuar në 2017, duke reflektuar teknologjinë më të përparuar.
Hyla u vendos në Shqipëri përmes një procesi përzgjedhjeje nga kompania ndërkombëtare, ku u identifikuan individë me potencial në fusha të ndryshme, përfshirë dhe mua në rolin menaxherial. Që prej asaj kohe, kemi ndërtuar dhe menaxhuar rrjetin tonë lokal.
Në cilat qytete operon Hyla dhe si ka qenë trendi i shitjeve ndër vite?
Zyra qendrore e Hylës është në Tiranë, por kemi hapur degë edhe në Durrës dhe Fier. Operojmë sipas një modeli multilevel marketing dhe përmes një rrjeti distributorësh që zgjerohen në bazë të performancës.
Sa i përket shitjeve, tendenca ka qenë gjithmonë pozitive. Kjo lidhet me vetë filozofinë e produktit, është një pajisje që fokusohet tek shëndeti dhe cilësia e jetës, prandaj ka gjetur mirëkuptim dhe interes nga publiku shqiptar.
Cilat janë avantazhet e Hylës në krahasim me produkte të tjera të ngjashme në treg?
Hyla është një produkt ekologjik, i çertifikuar nga institucione shëndetësore si ZIBI Medi në Gjermani dhe SIMA në Itali. Këto çertifikime janë të gdhendura fizikisht edhe në vetë produktin dhe lidhen me efektivitetin e tij kundër alergjive, pluhurit të imët dhe sëmundjeve respiratore, të pranishme sidomos tek fëmijët dhe të moshuarit.
Produktin e krahasojmë me natyrën, siç pastron ajrin vesa e mëngjesit, ashtu edhe Hyla funksionon përmes ujit. Gjithçka filtrohet dhe pastrohet në ujë dhe më pas lëshohet ajër 100% i pastër, pa përdorur filtra HEPA, çka është një dallim thelbësor me produktet e tjera në treg.
Një tjetër risi është teknologjia e separator defender, një sistem vetëpastrues që rrotullohet me 250 km/h, duke ndarë papastërtitë me efikasitet. Ky është një sistem unik që nuk gjendet tek pajisjet e tjera konkurrente dhe eliminon nevojën për ndërrim filtrash, gjë që e bën edhe më ekonomik dhe më të qëndrueshëm në kohë.
Marketingu që përdorni është ai direkt. Si funksionon kjo qasje në Shqipëri dhe në kohën e sotme të teknologjisë digjitale?
Hyla funksionon me direct selling, pra me përfaqësues të trajnuar që shkojnë vetë në ambientet e klientëve për të demonstruar produktin. Ky model marketingu është përdorur për dekada nga kompania dhe vjen si pjesë e një kulture të konsoliduar në vendet perëndimore.
Ndonëse jetojmë në epokën digjitale, marketingu direkt ka avantazhin e kontaktit personal dhe ndihmon në krijimin e besimit të menjëhershëm. Konsumatori e sheh, e prek dhe e teston vetë produktin në shtëpinë e tij, kjo është shumë më bindëse sesa një reklamë online.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.