Elon Musk po hedh sytë përtej Tokës. Plani i tij i ri është sa ambicioz aq edhe futurist: lëshimi i 1 milion satelitëve në orbitë për të ndërtuar qendra të të dhënave të Inteligjencës Artificiale… në hapësirë.
Pas bashkimit të SpaceX me xAI, Musk deklaroi se e vetmja zgjidhje logjike për kërkesat marramendëse të energjisë dhe burimeve që kërkon AI është zhvendosja e tyre atje ku ka më shumë hapësirë dhe energjim, në orbitë. “Hapësira quhet ‘hapësirë’ për një arsye”, u shpreh ai, duke sugjeruar se kufijtë fizikë të Tokës po bëhen pengesë për zhvillimin e teknologjisë.
Qendrat aktuale të të dhënave konsumojnë sasi të jashtëzakonshme energjie dhe uji. Një qendër e vetme e madhe mund të përdorë deri në 5 milionë gallonë ujë në ditë, ekuivalente me konsumin e një qyteti me dhjetëra mijëra banorë. Me rritjen e AI-së, kjo kërkesë pritet të shumëfishohet, duke ngritur shqetësime për faturat e energjisë dhe ndikimin mjedisor.
Por Musk nuk është i vetëm në këtë garë hapësinore për AI-në. Google ka njoftuar testimin e qendrave orbitale të të dhënave me satelitë provë, ndërsa kompani të tjera teknologjike po eksplorojnë të njëjtën ide. Në orbitë, panelet diellore mund të jenë deri në tetë herë më produktive se në Tokë, duke ofruar energji pothuajse të vazhdueshme dhe të rinovueshme.
Ekspertët pranojnë se sfidat teknike janë të mëdha, por i konsiderojnë ato si pengesa inxhinierike, jo fizike. Brenda një dekade, disa parashikojnë që qendrat e reja të të dhënave të AI-së mund të mos ndërtohen më në tokë, por në qiell.
Nëse ky vizion realizohet, revolucioni i radhës teknologjik nuk do të ndodhë në Silicon Valley, por në orbitë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.