Ngrohja ekstreme po zhduk zogjtë tropikalë: Popullatat bien deri në 50% - Business Magazine Albania

Ngrohja ekstreme po zhduk zogjtë tropikalë: Popullatat bien deri në 50%

Nga pyjet e dendura të Amerikës Qendrore dhe Jugore, deri te savanat e Australisë veriore, zogjtë që jetojnë në klimë të nxehtë dhe të lagësht po përballen me një kërcënim gjithnjë e më serioz: ndryshimet klimatike.

Një studim i publikuar në revistën shkencore Nature Ecology and Evolution zbulon se rajonet tropikale sot përjetojnë dhjetë herë më shumë ditë me temperatura ekstreme sesa katër dekada më parë. Sipas të dhënave, mes viteve 1950 dhe 2020, ngjarjet e nxehtësisë ekstreme kanë shkaktuar rënie të popullatave të zogjve tropikalë me 25% deri në 38%.

“Ngjarjet ekstreme të nxehtësisë janë një faktor kyç në zhdukjen e specieve. Edhe mjediset më të paprekura të Tokës po humbasin biodiversitetin,” – shpjegon James Watson, profesor në Universitetin e Queensland dhe bashkautor i studimit.

Analiza bazohet mbi më shumë se 90 mijë vëzhgime shkencore të mbi 3,000 popullatave të ndryshme zogjsh, të krahasuara me të dhënat e motit që nga viti 1940. Qëllimi ishte të kuptohej se si popullatat e zogjve reagojnë ndaj ekstremeve klimatike, përfshirë reshjet intensive dhe valët e nxehtësisë.

Rezultatet treguan qartë se ekspozimi ndaj temperaturave ekstreme çon në rënie të ndjeshme të popullatave. Një fakt alarmues është se kjo rënie po ndodh edhe në zona të largëta dhe të mbrojtura, që deri më sot konsideroheshin “parajsa të biodiversitetit”.

Lexo edhe: Shqipëria ndez dritën jeshile për një tjetër impiant gjigant diellor në Dibër

Në disa prej pyjeve tropikale të paprekura të Panamasë dhe Amazonës, popullatat e zogjve kanë pësuar rënie mbi 50% gjatë periudhës 2003–2022. Studiuesit theksojnë se valët e nxehtësisë janë shumë më të dëmshme për shpendët sesa rritja graduale e temperaturës mesatare globale.

Për Watson, ky është një sinjal i qartë paralajmërues:

“Kjo është një tjetër thirrje zgjimi për të reduktuar urgjentisht emetimet e gazrave serrë. Nëse nuk veprojmë tani, rrezikojmë të humbasim një numër të madh speciesh në tropikë.”

Studimi shton një gur tjetër prove në listën e gjatë të dëmeve që po shkakton ngrohja globale, duke e kthyer mbrojtjen e ekosistemeve tropikale në një prioritet urgjent për shkencëtarët dhe politikat mjedisore.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0