Nga Vatikani në viralitet, Papa amerikan pushton internetin me kë... - Business Magazine Albania

Nga Vatikani në viralitet, Papa amerikan pushton internetin me këto produkte

Vetëm pak minuta pas përfundimit të Konklavit dhe shpalljes së Papa Leo XIV si kreu i ri i Kishës Katolike, i pari në histori nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, interneti shpërtheu. Jo me lutje apo reflektime shpirtërore, por me… bluza, shishe uji dhe kapele me imazhin e papës.

Në një kombinim të rrallë mes fesë dhe  kulturës pop amerikane, platforma si Etsy dhe Redbubble u mbushën menjëherë me produkte që e portretizojnë Papa Leo XIV  në mënyra sa kreative, aq edhe të guximshme, me syze të stilit aviator, shqiponja të bardha, biceps të fryrë si të Popeye, tatuazhe të Marinsave amerikanë dhe një dashuri të madhe për qytetin e tij të lindjes, Çikagon.

Një dizajn që shitet online për vetëm 2 dollarë mban mbishkrimin: Straight Outta Chicago and Into the Papacy”, frymëzuar nga albumi legjendar i N.W.A. Ndërsa për 19.95 dollarë, mund të blini një bluzë ku Papa paraqitet si një… copë pice. Sigurisht, një përshëndetje për picën famëkeqe “deep dish” të Çikagos, edhe pse forma e saktë është vështirë të dallohet mes petkut papnor dhe djathit të shkrirë.

Lexo gjithashtu: Historike në Vatikan, zgjidhet Papa Leo XIV, amerikani i parë në krye të Kishës Katolike

Edhe podcast-et nuk kanë mbetur pas. Emisioni sportiv “Chicago Sports Bums”, që nga viti 2020 ka prodhuar 230 episode për sportin e Çikagos, publikoi brenda pak orësh një edicion special për Papa-n e ri. Bluza që shoqëronte episodin lexonte: “Daaa Pope”, shoqëruar me një mitër dhe, natyrisht, fjalën “Chicago”.

Ky fenomen nuk është i panjohur, nga dasmat mbretërore deri te fushatat presidenciale, njerëzit gjithmonë kanë dashur të mbajnë një copëz historie. Por shpejtësia dhe guximi me të cilin dizajnet kanë mbërritur këtë herë është për t’u vlerësuar. Një dyqan në Los Anxhelos, i quajtur President Trump 24, mori një bluzë të vjetër me mbishkrimin “Make Alcatraz Great Again” dhe e transformoi në një version të Papa Leo XIV. Ndërsa syzet e famshme të Trump-it mbeten, flokët e stiluar u zëvendësuan nga kapele e bardhë e papës, zucchetto.

Megjithatë, jo të gjithë po i përqafojnë memet dhe produktet. Transit Tees, një studio dizajni në Çikago me dy dyqane fizike, u pyet nga mediat nëse planifikon të krijojë produkte për nder të Papës nga qyteti i tyre. Përgjigjja ishte e qartë: “Jo”.

Duket se Papa Leo XIV po hyn në histori jo vetëm si Papa i parë amerikan, por edhe si figura e parë fetare që bëhet meme globale përpara se të shfaqet në ballkonin e Shën Pjetrit. Dhe ndoshta kjo tregon më shumë për botën ku jetojmë sesa për vetë Papën.

INC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0