Nga Tourism Fair Albania në Marketplace & Forum 2026 nga New Deal Europe për turizmin e Europës Juglindore - Business Magazine Albania

Nga Tourism Fair Albania në Marketplace & Forum 2026 nga New Deal Europe për turizmin e Europës Juglindore

Londra do të mirëpresë në 24 mars 2026 një nga eventet më të rëndësishme B2B për turizmin e Europës Juglindore, New Deal Europe Marketplace & Forum, një platformë profesionale që po shënon rritje të qëndrueshme dhe interes në rritje nga tregjet ndërkombëtare. Eventi do të zhvillohet më 24 mars në Central London, dhe është rezultat i një pune afatgjatë për ndërtimin e lidhjeve reale mes destinacioneve të rajonit dhe blerësve profesionistë nga Mbretëria e Bashkuar dhe tregje të tjera ndërkombëtare.

New Deal Europe ka konfirmuar një rritje të ndjeshme për edicionin 2026 të Marketplace & Forum. Sipas organizatorëve, pjesëmarrja ka shënuar një rritje vjetore prej 20%, duke reflektuar interesin në rritje të operatorëve turistikë, agjencive dhe blerësve profesionistë nga Mbretëria e Bashkuar dhe tregje të tjera kyçe ndërkombëtare, si dhe një numër rekord furnitorësh nga i gjithë rajoni.

Simon Young, Menaxher i Eventeve dhe Operacioneve në New Deal Europe, u shpreh:
“Jemi shumë entuziastë për eventin e këtij viti. Kemi arritur të tërheqim një gamë shumë më të gjerë furnitorësh se kurrë më parë, si edhe një audiencë më të madhe dhe shumë të angazhuar blerësish nga Mbretëria e Bashkuar dhe tregje të tjera kyçe ndërkombëtare. Është inkurajuese të shohësh një rritje kaq të madhe dhe një interes real për Europën Juglindore. Presim me padurim që ky momentum të konkretizohet ditën e eventit.”

Marketplace i këtij viti do të përfshijë furnitorë që përfaqësojnë çdo destinacion të Europës Juglindore, duke mbuluar segmente kyçe si turizmi luksoz, aventura, kultura, turizmi i verës, udhëtimet në grup me destinacione të shumta dhe programe FIT të personalizuara. Krahas 12 destinacioneve që tradicionalisht përfaqësohen në rajonin e New Deal Europe, Armenia i bashkohet edicionit 2026 si destinacion i ftuar, duke zgjeruar më tej shtrirjen gjeografike të eventit.

Forumi përbën komponentin edukativ të eventit dhe do të zhvillohet në formën e një sesioni të përqendruar 45-minutësh, kushtuar trendeve aktuale të turizmit në rajon. Tema e këtij viti do të fokusohet në turizmin e kroçerave lumore dhe detare, si dhe ndikimin në rritje të këtij segmenti në Europën Juglindore, duke theksuar mundësitë për ture para dhe pas kroçerave që synojnë qëndrime më të gjata dhe itinerare me vlerë më të lartë.

Rrjetëzimi mbetet në qendër të formatit të eventit, me degustime vere të sponsorizuara nga Moldavia dhe sesione të zgjeruara pas eventit, të krijuara për të maksimizuar lidhjet cilësore mes blerësve dhe furnitorëve.

Maistra, një nga grupet më të mëdha hoteliere në Kroaci, është konfirmuar si partner zyrtar hotelier. Destinacione si Sllovenia, Zagrebi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Moldavia do të organizojnë gjithashtu prezantime të dedikuara paralelisht me Marketplace.

Blerës të përzgjedhur do të ftohen të marrin pjesë në një nga katër udhëtimet FAM pas eventit, në Slloveni, Zagreb, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi, duke mbështetur zhvillimin e produkteve për vitet 2026 dhe 2027.

Lexo edhe: Panairi Tourism Fair Albania përforcon rolin si platformë kyçe për zhvillimin e turizmit në Shqipëri

Andrea Godfrey, Drejtuese e Regent Holidays, vlerësoi eventin duke thënë:
“Mbledhja nën një çati e të gjithë furnitorëve të produkteve turistike nga Ballkani përbën një qasje të re dhe shumë efektive. Për ne në Regent Holidays ka qenë jashtëzakonisht e vlefshme, veçanërisht në ndërtimin e marrëdhënieve me borde turistike si Moldavia, çka çoi në një bashkëpunim të suksesshëm për një udhëtim mediatik.”

Bashkëthemeluesi dhe CEO i New Deal Europe, Tine Murn, shtoi:
“Paralelisht me rolin tonë si përfaqësues rajonal për ETOA, Shoqatën Europiane të Turizmit, ky event përfaqëson aktivitetin tonë kryesor dhe atë për të cilin jemi më të njohur. Ata që tashmë operojnë dhe shesin Europën Juglindore do të kenë mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre dhe të zbulojnë destinacione e partnerë të rinj, ndërsa ata që synojnë të hyjnë për herë të parë në këtë rajon do ta kuptojnë shumë shpejt pse ai konsiderohet një nga rajonet turistike më dinamike në Europë.”

Një model që i shërben edhe Shqipërisë

Pjesëmarrja e Shqipërisë në një platformë të tillë B2B si New Deal Europe Marketplace & Forum ka një rëndësi të veçantë strategjike, pasi e pozicionon vendin në një kontekst profesional ndërkombëtar shitjeje dhe bashkëpunimi turistik. Ky format u mundëson institucioneve, operatorëve dhe bizneseve shqiptare të lidhen drejtpërdrejt me blerës të kualifikuar, të prezantojnë produkte me vlerë të shtuar dhe të ndërtojnë marrëdhënie afatgjata në tregje kyçe. Në një kohë kur Shqipëria synon rritjen e cilësisë së ofertës turistike dhe zgjerimin e sezonalitetit, modele të tilla bashkëpunimi përfaqësojnë një mundësi konkrete për zhvillim të qëndrueshëm, ekspozim të targetuar dhe integrim më të fortë në rrjetet evropiane të turizmit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0