Shqipëria u bë sot shtëpia e Evropës, teksa mirëpriti Samitin e 6-të të Komunitetit Politik Evropian, me pjesëmarrjen e 54 liderëve nga vende anëtare dhe jo-anëtare të Bashkimit Evropian. Ky takim i nivelit të lartë adresoi një sërë sfidash me të cilat përballet kontinenti i vjetër sot, duke përfshirë sigurinë, agresionin rus dhe emigracionin e paligjshëm.
Në përfundim të takimit, kryeministri Edi Rama së bashku me kryeministren e Danimarkës Mette Frederiksen, vendi mikëpritës i Samitit të ardhshëm dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, duke bërë edhe një përmbledhje të asaj çfarë prodhoi Samiti i Tiranës.
Rama theksoi se në samit u mblodhën 54 udhëheqës, anëtarë dhe jo-anëtarë të BE-së, për të zhvilluar një diskutim të rëndësishëm dhe të hapur për një Evropë të re dhe një botë të re, togfjalëshi që ishte gjithashtu motoja kryesore e këtij samiti.

“Kam kënaqësinë që të theksoj se, prej fillimit të këtij samiti, sot në Tiranë, kemi një përkushtim të ripërtërirë ndaj kontinentit tonë dhe qytetarëve tanë…për t’i mbajtur fort vlerat dhe parimet që udhëheqin shoqëritë tona, për të bërë gjithçka që është e mundur për t’i mbrojtur ato”, tha Rama.
Lexo edhe: Video/ Liderët e BE-së të ilustruar si fëmijë me AI, të qeshura dhe surpriza në Samitin e Tiranës
“Vendosëm të krijojmë një skuadër bashkëpunuese, nën kujdesin e Presidentit të Këshillit Evropian. Kjo është një sintezë shumë e përgjithshme e asaj që bëmë, duke u përballur gjithashtu me faktin se përfaqësojmë një treg prej 600 milionësh, një treg të jashtëzakonshëm me potencial masiv,” theksoi Rama.
Kryeministrja daneze nga ana tjetër e vuri theksin më së shumti tek siguria dhe kërcënimi rus ndaj Evropës . “Dua të theksoj se siguria do të jetë përparësi, pasi jetojmë në një botë të pasigurt. Rusia është kërcënim për të gjithë ne për shkak të sulmeve kibernetike dhe dezinformimit. Ata po përpiqen të shkatërrojnë demokracinë,” u shpreh Frederiksen.
Veç të tjerash, në planin ekonomik Frederiksen foli edhe për rëndësinë e konkurrencës së kompanive evropiane dhe për nevojën për të siguruar energji me kosto të ulët, duke përjashtuar përdorimin e burimeve energjetike ruse.
“Familja jonë evropiane e vlerave shtrihet përtej kufijve të Bashkimit Evropian. Ne ndajmë një kontinent. Dhe një të ardhme të përbashkët,” shkroi në rrjetet sociale presidentja e KE-së Ursula von der Leyen pas përfundimit të samitit, duke përcjellë një mesazh të qartë për vazhdimësinë e bashkëpunimit dhe integrimit evropian.
Integrimi
Integrimi në vetvete nuk ishte temë e samitit, por megjithatë nuk u shmang gjatë konferencës me mediat. Rama, me buzëqeshje pranoi se “nuk kishte martesë” as sot, ndërsa Frederiksen u shpreh: “Po shpresoj që po ecën përpara, të gjithë ne e kuptojmë që kjo është një detyrë e rëndësishme, që do të thotë se procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë”.
Dy nga udhëheqësit e vetëm që e përmendën në fjalët e tyre respektive, çështjen e zgjerimit të Unionit, ishin Giorgia Meloni dhe Emmanuel Macron. Kryeministrja italiane bëri thirrje për një angazhim të ripërtërirë evropian ndaj Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se rajoni ndodhet në zemër të Evropës.
“Ballkani Perëndimor nuk ndodhet në gishtin e Evropës ose përtej kontinentit tonë. Ata janë në zemër të kontinentit tonë”, tha Meloni.
Ajo shtoi se Italia është e angazhuar në Bruksel, kështu që “po pohon një qasje strategjike ndaj Ballkanit Perëndimor… për t’u ofruar këtyre vendeve një perspektivë të qartë integrimi në BE”.
Në fjalën e tij, Macron theksoi rëndësinë historike të këtij samiti, i pari që mbahet në Ballkan, duke kujtuar se pas ëndrrës evropiane dhe asaj që i bashkon vendet, nuk qëndron vetëm gjeografia, por edhe mitologjia, historia dhe rrugëtimi i përbashkët.
Macron bëri thirrje që sfidat dhe ndasitë në Evropë të përballohen me bashkëpunim dhe unitet.“Duhet bërë më shumë për integrimin rajonal dhe zgjerimin e BE-së. Ne duhet të koordinohemi për të luftuar kërcënimet e jashtme”.
“Ecole 42”
Pas Samitit, në ambientet e Piramidës u nënshkrua marrëveshja Shqipëri-Francë “Plani i Veprimit për Inovacionin” nga dy ministrat, Blendi Gonxhja për Shqipërinë, si ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe ministrja e deleguar franceze për Inteligjencën dhe Teknologjinë. Vizita e kryeministrit shqiptar dhe atij francez Macron tek Piramida, kulmoi edhe me inagurimin e shkollës prestigjioze franceze të kodimit “Ecole 42”. Ajo do të jetë një qendër moderne edukimi për të rinjtë shqiptarë dhe rajonin, duke i përgatitur për ekonominë digjitale. Në thelb “Ecole 42” është një shkollë që përfaqëson të ardhmen e edukimit në teknologji – më fleksibël, më gjithëpërfshirëse dhe 100% e orientuar drejt praktikës.
Shqipëria, si e barabartë mes vendeve anëtare
Mikpritja e Samitit të Komunitetit Politik Evropian përfaqëson një moment të rëndësishëm historik dhe simbolik, duke e vendosur Shqipërinë në epiqendrën e vëmendjes ndërkombëtare. Për të paktën një ditë, vendi ynë u bë simbolikisht pjesë e Evropës politike, duke treguar se është një partner i besueshëm kur bëhet fjalë për sfida të përbashkëta si siguria, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal.

Fakti që diskutimet për sigurinë ndërkombëtare u zhvilluan pikërisht në Tiranë nga ku u telefonua edhe presidenti Trump, përçon një mesazh të fortë: Shqipëria nuk është më thjesht një vend në pritje të integrimit, por një aktor me vlerë në skenën evropiane.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto