Nga puna në shtet te privati, si ta përshtasni CV-në tuaj në mënyr... - Business Magazine Albania

Nga puna në shtet te privati, si ta përshtasni CV-në tuaj në mënyrën e duhur?

Punësimi në sektorin publik apo privat? Të shumta janë mendimet e më pas zgjedhjet, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën. Kemi shembullin e SHBA-së ku përgjatë vitit 2024, pati një hov në sektorin publik, megjithatë me gjithë ndryshimet dhe paqëndrueshmërinë për shkak të politikave, ka pasur largime dhe shkurtime të shumta në administratën federale, që i ka drejtuar punonjësit për nga mundësitë e reja në sektorin privat.

Lexo gjithashtu: Do të jesh ‘’STAR-i’’ i radhës që rekrutohet? Bëj këto veprime!

Nëse jeni aktualisht duke punuar në shtet dhe ndjeni nevojën për të eksperimentuar dhe sektorin privat, një nga gjërat që duhet të bëni është përditësimi i CV-së.

Megjithatë, fillimisht kuptoni ndryshimet mes dy sektorëve

Pyetja e parë që duhet të bëni është, A ekziston pozicioni juaj në sektorin privat? Shumë role si ato në burime njerëzore, financë, menaxhim kontratash apo zinxhir furnizimi gjenden në të dy sektorët, gjë që e bën kalimin më të lehtë. Por pozicione si analist legjislativ, diplomat, oficer inteligjence apo agjent kufitar nuk kanë një ekuivalent të drejtpërdrejtë në kompani private.

Edhe për rolet që duken të ngjashme, ka ndryshime të mëdha në fokusin, objektivat dhe mënyrën e operimit. Merrni si shembull fushën e sigurisë kibernetike. Në të dy sektorët nevojiten ekspertë të zbulimit të kërcënimeve, analizës së malëare-it dhe menaxhimit të rrezikut, por qëllimet përfundimtare ndryshojnë, sektori publik fokusohet në sigurinë kombëtare dhe kundër-terrorizmin, ndërsa sektori privat synon mbrojtjen e të dhënave të klientëve dhe transaksioneve financiare.

Ndryshojnë gjithashtu titujt e punës, kultura e kompanisë dhe mënyra e matjes së suksesit. Për shembull, një “executive officer” në administratën publike mund të përkthehet si drejtor, zv.president apo shef kabineti në një kompani private, varësisht nga përgjegjësitë konkrete. Dhe nëse suksesi në sektorin publik matet me ndikimin afatgjatë të politikave, në sektorin privat vlerësohet rritja e të ardhurave, inovacioni dhe shkallëzimi.

Për këtë arsye, është thelbësore që rezultatet e arritura në administratë të ridizenjohen për të reflektuar objektivat e sektorit privat. Në vend që të përmendni thjesht zbatimin e një rregulloreje federale, përqendrohuni në mënyrën se si puna juaj kurseu burime, përmirësoi efikasitetin apo uli kostot.

Lexo gjithashtu: Si po ndërhyn Inteligjenca Artificiale në procesin e punësimit

Mësoni gjuhën dhe nuancat e industrisë

Përdorimi i gjuhës së duhur është kritik për të “përkthyer” eksperiencën nga sektori publik në një CV konkurruese për tregun privat. Disa terma janë të përbashkët, si “marrëdhëniet me punonjësit” apo “planifikimi i fuqisë punëtore”, por termat ndryshojnë. Për shembull, “total reëards” në sektorin privat nënkupton një paketë të gjerë shpërblimesh, përfshirë pagesën bazë, përfitimet, mirëqenien dhe shpërblimet mbi performancën, ndërsa në administratë mund të nënkuptojë vetëm rrogën dhe përfitimet standarde.

Një shembull konkret:

  • Formulimi për sektorin publik:
    “Menaxhova buxhetin shumëvjeçar në përputhje me OMB Circular A-11 dhe politikat financiare të agjencisë, duke ndjekur shpenzimet dhe duke përafruar alokimet me prioritetet strategjike dhe mandatin kongresional.”
  • Ndryshimi për CV-në në sektorin privat:
    “Drejtova planifikimin financiar vjetor dhe parashikimet buxhetore për një fond operativ prej 50 milion eurosh, duke optimizuar performancën e P&L dhe përmirësuar efikasitetin nëpër njësitë e biznesit.”

Për të përmirësuar gjuhën tuaj, analizoni përshkrimet e vendeve të punës në industrinë që synoni dhe përdorni mjete si Copilot, ChatGPT apo Gemini për t’i përshtatur përshkrimet tuaja me gjuhën e duhur.

Poziciononi aftësitë tuaja të transferueshme

Aftësitë tuaja teknike dhe të buta mund të jenë shumë të vlefshme për sektorin privat. Zyra e Menaxhimit të Personelit në SHBA ka përcaktuar pesë kualifikime thelbësore drejtuese (ECQ) që janë të ngjashme me aftësitë e kërkuara në tregun privat, udhëheqja e ndryshimit, marrja e vendimeve, zgjidhja e problemeve, njohja e proceseve financiare dhe ndërtimi i marrëdhënieve.

Në CV-në tuaj, nënvizoni gjithashtu njohuritë e thella në rregullore apo hartim politikash, veçanërisht në industri të rregulluara si financa, shëndetësia apo teknologjia. Edhe nëse nuk mund të ndani çdo detaj për shkak të konfidencialitetit, theksoni aftësitë që keni përdorur dhe rezultatet që keni arritur.

Lexo gjithashtu: Pse kompanitë po kërkojnë gjithnjë e më shumë që aplikantët të dërgojnë video prezantuese?

Tregoni që mund të përballoni mjedise dinamike

Administrata publike shpesh vepron ngadalë, duke miratuar teknologji të reja vetëm kur është domosdoshmëri. Sektori privat, përkundrazi, kërkon ritëm të shpejtë dhe përshtatshmëri të vazhdueshme. Për të qenë konkurrues, duhet të tregoni aftësinë për të menduar përpara dhe për të përmirësuar proceset.

Edhe nëse projektet tuaja në sektorin publik kanë zgjatur me vite, identifikoni momentet ku keni zbatuar zgjidhje të menjëhershme, keni kursyer kohë apo keni marrë vendime të shpejta me ndikim. Këto janë tregues të qartë të përshtatjes në sektorin privat.

Zgjeroni rrjetin tuaj përtej administratës

Rrjetëzimi është ndër mjetet më të fuqishme për kalimin e suksesshëm drejt sektorit privat. Shumica e vendeve të punës në kompani nuk plotësohen vetëm përmes aplikimeve online, por përmes referencave dhe njohjeve.

Së pari, qartësoni objektivat tuaja, çfarë roli kërkoni dhe në cilat industri? Më pas, filloni të kontaktoni miq, ish-kolegë apo të njohur në sektorin privat. Edhe kolegët tuaj aktualë mund të kenë kontakte të vlefshme.

Merrni pjesë në evente profesionale, anëtarësohuni në shoqata të industrisë dhe aktivizohuni në diskutime në LinkedIn. Nëse nuk keni eksperiencë të drejtpërdrejtë në një fushë, kërkoni intervista informuese për të mësuar më shumë rreth rolit dhe aftësive të kërkuara.

CV-të në sektorin publik shpesh janë 3 deri në 5 faqe, plot me certifikata, trajnim, tituj dhe suksese të detajuara. Por në sektorin privat kërkohet përmbledhje e qartë dhe maksimale deri në dy faqe. Më shumë se një shkurtim, kërkohet një përkthim i plotë në gjuhën e biznesit, me theks në aftësitë më të rëndësishme dhe rezultatet të matshme. Rrjeti juaj profesional do të jetë çelësi që do t’ju udhëheqë drejt mundësive ku mund të vini në zbatim gjithçka që dini.

HBR

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0