Nga ide në investim: Startup-et shqiptare prezantojnë vizionin e tyre - Business Magazine Albania

Nga ideja në investim, startup-et shqiptare prezantojnë vizionin e tyre në Growpreneur Demo Day

Një brez i ri sipërmarrësish shqiptarë, të gatshëm të përballen me tregjet dhe investitorët, do të jenë këtë 11 prill në skenën e “Growpreneur Demo Day”, eventi kulmor i programit akselerues që po fiton gjithnjë e më shumë peshë në ekosistemin vendas të inovacionit.

Pas një rrugëtimi intensiv me mentorë, ekspertë të tregut dhe trajnime të fokusuara në ndërtimin e produkteve konkurruese, startup-et pjesëmarrëse të këtij edicioni do të kenë vetëm tre minuta për të bindur investitorët dhe liderët e sektorit mbi potencialin e tyre. Teksa dritat e skenës ndizen, fillon loja, ide të freskëta, modele biznesi me synim rritjen dhe themelues të vendosur për të kaluar nga ambicia në ekzekutim.

Lexo gjithashtu: Ekosistemi shqiptar i start-up-eve në rrugën e duhur, firmosen marrëveshje bashkëpunimi me rrjete ndërkombëtare investitorësh

Një skenë, disa mundësi, një shans për të rritur kapitalin.
Demo Day nuk është vetëm një moment prezantimi, por një platformë reale për të hyrë në radarët e investitorëve rajonalë. Me një format që përfshin pitch-e live, panele diskutimi dhe simulime të stilit “Shark Tank”, Growpreneur po konsolidon rolin e vet si një urë konkrete mes ideve dhe financimit.

Në qendër të eventit do të jetë një fjalim frymëzues mbi të ardhmen e inovacionit në rajon, ndërsa paneli “Growth Talk” pritet të ngrejë diskutimin mbi sfidat dhe mundësitë e ndërtimit të startup-eve në një treg të vogël, por ambicioz si Shqipëria.

Sipërmarrja si nxitës i zhvillimit ekonomik
Në një kontekst ku Shqipëria kërkon rrugë të reja për rritje dhe diversifikim ekonomik, startup-et po shfaqen si një kanal i ri energjie, jo vetëm në teknologji, por edhe në sektorë si edukimi, shëndetësia, agro-biznesi apo shërbimet digjitale.

Growpreneur po kontribuon në këtë dinamikë, jo thjesht duke ofruar mentorim, por duke krijuar një mjedis ku idetë sfidohen, përmirësohen dhe marrin formë për tregun real.

Lexo gjithashtu: Growpreneur, një tjetër cikël drejt përfundimit, startup-et gati për të dalë përpara investitorëve

Për kë është ky event?
Për investitorët që kërkojnë projekte me potencial rritjeje. Për profesionistët që duan të kuptojnë drejtimin e inovacionit në Shqipëri. Për të rinjtë që kërkojnë frymëzim ose shembuj konkretë se si një ide mund të shndërrohet në sipërmarrje të qëndrueshme.

Në një pasdite të vetme, përballë një audience të zgjedhur, startup-et do të tentojnë të kalojnë një prag,  nga koncepti, te veprimi. Dhe për disa prej tyre, kjo mund të jetë pikënisja drejt një rruge të re në biznes.

Linku i regjistrimit : https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSeu9IdAK-_rsZ2QGsuvQH_PGbxbJhiCAKiuLuvj1U-HT2LgUQ/viewform

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0