Nga emigrant i paligjshëm në Angli, te sipërmarrës në Kukës-Historia e Fatmirit, si gjeti suksesin në vendlindje - Business Magazine Albania

Nga emigrant i paligjshëm në Angli, te sipërmarrës në Kukës-Historia e Fatmirit, si gjeti suksesin në vendlindje

Nga Erblin Jaku 

Liqeni është pothuajse bosh dhe ura që lidh Kukësin me Hasin duket gjigande. Nën ujë fle Kukësi i vjetër ndërkohë që buzë liqenit jeta vazhdon me ritëm të shpejtë. Pranvera ka filluar të japë sinjalet e para se po vjen dhe ky është një lajm i mirë sidomos për ata që kanë zgjedhur që jetën e tyre ta lidhin me këtë zonë. I tillë është edhe rasti i Fatmir Kastratit. Pas gjashtë vitesh të vështira si emigrant i paligjshëm në Britani, Fatmiri vendosi të kthehej në atdheun e tij në vitin 2019, me synimin për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme. Sot, ai është pronari i suksesshëm i një biznes që jo vetëm siguron të ardhura për familjen e tij, por gjithashtu ndihmon në zhvillimin ekonomik të zonës. Pasionin për sipërmarrjen dhe kuzhinën e kombinoi duke krijuar një restorant me pamje mbresëlënëse buzë liqenit. Historia e tij tregon se kthimi në Shqipëri mund të jetë një rrugë drejt suksesit, veçanërisht me mbështetjen e duhur të programeve të shumta që operojnë në vendin tonë.

Në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, Fatmiri, tani 32 vjeç, u largua drejt Britanisë në vitin 2013, por jeta si emigrant i paligjshëm rezultoi të ishte e lodhshme dhe stresuese. “Ishte shumë e vështirë gjithçka. Kisha harruar të qeshja dhe më mungonte familja ime. Prindërit ishin të mërzitur pa mua” – tregon ai.

Lexo edhe : Business Angels në Shqipëri: Një mundësi e artë për startup-et dhe sipërmarrësit e rinj në 2025

Me një dëshirë të fortë për t’u rikthyer në vendlindje dhe për të ndërtuar diçka të qëndrueshme, Fatmiri mori një vendim të rëndësishëm: kthimin në Kukës. Sot, ai është i sigurt për këtë zgjedhje dhe  kësaj i qendron pa asnjë pendesë: Të shkoj prapë? “Jo, absolutisht jo! Në Britani do të kthehem vetëm si turist.”

Pas kthimit, Fatmiri gjeti frymëzim te modeli i njohur shqiptar i restoranteve të bazuara në produktet vendase, si “Mrizi i Zanave”etj. Me kursimet e tij dhe të familjes, ai hapi “Forest Bar Restaurant” në mars 2022. Restoranti fitoi shpejt popullaritet për fokusin te produktet e freskëta dhe cilësore, duke ofruar peshk liqeni, mish qingji e keci dhe produkte bulmeti të zonës. Ajo që filloi si një sipërmarrje familjare, sot ka shtatë të punësuar, duke krijuar vende pune të reja në komunitet.

Në shtator 2023, Fatmiri u bë pjesë e programit të mentorimit për bizneset e vogla, të organizuar nga projekti Perspektivat e Reja. Falë këtij programi, ai mori trajnime në menaxhim biznesi, brendim dhe marketing. Me këtë përvojë të re, ai aplikoi me sukses për një grant prej 2.5 milionë lekësh, të cilin e kombinoi me një investim personal prej 2.65 milionë lekësh. Ky financim i mundësoi të transformonte  tërësisht sipërmarrjen e tij duke e kthyer në një aktivitet me kontribut ekonomik për zonën e tij.

Investimi u shfrytëzua për të blerë pajisje të reja kuzhine, për të modernizuar mobiljet, për të rinovuar një sallë konferencash dhe eventesh, si dhe për të ndërtuar një verandë të re ku klientët shijojnë natyrën e bukur të Hasit e të Kukësit. Falë këtyre përmirësimeve, restoranti jo vetëm që rriti cilësinë e shërbimit, por edhe krijoi vende të reja pune, me planin për të punësuar katër persona të tjerë gjatë verës.

Lexo edhe : Grantet për bizneset e vogla, mundësitë që duhet të shfrytëzoni në 2025-ën

“Investimi e ka transformuar restorantin,” thotë Fatmiri. “Tani mund të ofrojmë shërbime profesionale, të presim evente dhe të krijojmë një eksperiencë shumë më të mirë për klientët tanë.” Duke kujtuar pa ndonjë nostalgji kohën e spenzuar në Angli, Fatmiri po shijon suksesin e investimit në vendlindje. Synimi i tij i radhës është krijimi i një shërbimi akomodimi për turistët me furgonë të përshtatur për kamping, një koncept inovativ për zonën e Kukësit. “Dua të sjell diçka unike që do të tërheqë më shumë vizitorë në Kukës,” shpjegon ai.

Një sipërmarrje e tillë ka sjellë përfitime edhe për komunitetin. Të gjitha produktet merren nga fermerët lokalë, duke krijuar një treg të qëndrueshëm për prodhimet e tyre dhe duke ndihmuar ekonominë vendase. Kjo histori tregon fuqinë e sipërmarrjes në ringjallërimin e zonave rurale dhe uljen e emigracionit. Janë të shumtë të rinjtë që janë rikthyer të penduar nga emigracioni i paligjshëm dhe e kanë rigjetur veten e familjen aty ku i kanë rrënjët, në atdhe.

“Jeta jonë ka ndryshuar rrënjësisht! Restoranti na siguron të ardhura të mira dhe një jetë të qëndrueshme. Jam krenar për atë që kemi arritur” tregon Fatmiri teksa na përcjell me ftesën për tu kthyer sërish në Kukës e për të njohur të tjera histori suksesi të sipërmarrjeve lokale. 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0