Nga Berati në Kanada: Si çifti i të rinjve po eksporton vajin e ullirit 'made in Albania' - Business Magazine Albania

Nga Berati në Kanada: Si çifti i të rinjve po eksporton vajin e ullirit ‘made in Albania’

Në zemër të kodrave të Beratit, në Otllak, aty ku ullinjtë kanë rrënjë shekullore, një çift i ri ka gjetur mënyrën për ta kthyer pasionin në biznes. Xheni Mema dhe bashkëshorti i saj, të kthyer nga emigrimi, vendosën të investojnë në rrënjët e tyre rreth katër vjet më parë. Ajo që nisi si një ide për të ndërtuar diçka me vlerë në vendlindje, sot është një fabrikë moderne vaji ulliri që prodhon cilësi të parë dhe po hyn në tregje ndërkombëtare, deri në Kanada. Në një ambient ku tradita dhe teknologjia moderne ndërthuren, fabrika e vajit “Dellani” është kthyer në një pikë referimi për prodhimin cilësor të vajit të ullirit. “Emri ‘Dellani’ vjen nga mbiemri ynë. Donim një markë që të tingëllonte këndshëm, por edhe të kishte lidhje me vendin, me ne” thotë Xheni.

Nga emigrimi tek investimi në vendlindje

Bashkëshorti i Xhenit ka kaluar vite jashtë Shqipërisë, si shumë shqiptarë të brezit të tij që kërkonin një jetë e të ardhme më të mirë. “Gjithmonë kam pasur një ide që një ditë do të kthehesha dhe do të ndërtoja diçka këtu. E ndjej se vendi ynë ka potencial të jashtëzakonshëm, veçanërisht në produkte që janë thellësisht të lidhura me tokën, si vaji i ullirit,” thotë ai.

Zona e Beratit, me klimën mesdhetare dhe ullinjtë shekullorë, ofron terrenin ideal për prodhim të vajit me cilësi të lartë. Por suksesi i “Dellanit” nuk është vetëm meritë e natyrës, por është edhe rezultat i përkushtimit dhe kujdesit për çdo detaj. Çifti ka investuar në linja moderne për përpunimin e ullirit dhe në një standard të lartë kontrolli të cilësisë, duke siguruar që çdo litër vaji të jetë ambasadori më i mirë i tokës shqiptare.

Lexo edhe: Plazhet më të mira në Shqipëri sipas CN Traveller

Cilësia që kalon kufijtë

Me kalimin e kohës, vaji “Dellani” ka filluar të tërheqë vëmendjen edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Së fundmi, çifti ka nisur shitjet edhe në Kanada dhe janë në bisedime për një kontratë të rregullt eksporti. “Është emocionuese të mendosh që një produkt i bërë në fshatin tonë të vogël të arrijë në tryezat e familjeve diku në Kanada Kjo tregon se cilësia nuk ka nevojë për shumë fjalë, ajo flet vetë,” thotë Xheni.

Sipas saj, një nga elementët që e dallon vajin e tyre është përkushtimi ndaj procesit natyral. “Ne nuk nxitojmë. I japim kohën e duhur çdo faze, që nga mbledhja, te përpunimi dhe ruajtja. Nuk bëjmë kompromis me cilësinë, sepse e dimë që konsumatori i sotëm është shumë i ndjeshëm ndaj shijes, origjinës dhe standardeve.”


Shqipëria si vend eksporti: potenciali i padukshëm

Për çiftin, suksesi i “Dellanit” nuk është thjesht personal, ata e shohin si dëshmi të potencialit që Shqipëria ka për të eksportuar produkte të qëndrueshme, autentike dhe me histori. “Ne shpesh e nënvlerësojmë vetveten,” thotë bashkëshorti i Xhenit. “Shqipëria ka klimë, tokë dhe njerëz punëtorë. Ajo që mungon është guximi për të investuar dhe për të menduar në mënyrë më afatgjatë.”

Ai shton se është koha që të rinjtë të mos e shohin më fshatin si “larg” apo “ të prapambetur”, por si një vend mundësish. “Nëse ne mundëm ta bëjmë këtë në Otllak, kushdo mundet. Ne nuk jemi një histori suksesi që ndodhi sepse jemi me fat, por jemi shembull që puna dhe besimi në produkte lokale japin rezultat.”

Berati, një thesar i përhershëm

Përveç vetë fabrikës, çifti dëshiron që vaji i tyre të ndihmojë në promovimin e Beratit si një destinacion turistik dhe gastronomik. “Berati është një thesar që duhet të shkëlqejë më shumë në hartën e botës,” thotë Xheni. “Kombinimi i historisë, arkitekturës, dhe produkteve bio është një aset që pak vende e kanë. Vaji i ullirit është një prej ambasadorëve më të mirë të këtij identiteti.”

Çifti është gjithashtu i hapur për bashkëpunime me agroturizme dhe rrjete të shitjes me bazë autentike. Ata besojnë se Shqipëria ka ardhur në një moment kur duhet të ndërtojë marka që qëndrojnë përtej kufijve, me cilësi, por edhe me histori që frymëzojnë.

Nga një ide që lindi në emigrim, tek një produkt që shkon në Kanada, “Dellani” nuk është thjesht një vaj ulliri,por është një dëshmi e gjallë që rrënjët tona mund të ushqejnë edhe ëndrrat më të guximshme.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0