Përfitimet sociale për familjet luajnë një rol thelbësor në luftën kundër varfërisë dhe në nxitjen e përfshirjes sociale. Ato ndihmojnë në mbështetjen e familjeve dhe janë veçanërisht të rëndësishme për parandalimin e varfërisë së fëmijëve. Në mbarë Evropën, sistemet e sigurimeve shoqërore dhe përfitimeve familjare ndryshojnë ndjeshëm. Një mënyrë për t’i krahasuar është duke parë sa shpenzon çdo vend për çdo person.
Në vitin 2022, vendet e BE-së shpenzuan mesatarisht 830 euro për person për përfitimet familjare, një rritje prej 47% krahasuar me 566 euro në vitin 2012.
Hendeku mes Veriut dhe Jugut të Evropës
Sipas të dhënave të Eurostat, në BE shpenzimet për përfitime familjare për frymë varionin nga 211 euro në Bullgari deri në 3,789 euro në Luksemburg. Nëse përfshihen edhe vendet kandidate për anëtarësim dhe ato të EFTA-s, Shqipëria rezulton me nivelin më të ulët të përfitimeve , vetëm 48 euro për person, e ndjekur nga Turqia (57 €) dhe Bosnja e Hercegovina (59 €).
Në përgjithësi, përfitimet për frymë janë më të larta në Evropën Veriore dhe Perëndimore, dhe më të ulëta në Jug dhe Lindje. Pas Luksemburgut, vendet nordike kryesojnë listën: Norvegjia (2,277 €), Danimarka (1,878 €), Islanda (1,874 €), Suedia (1,449 €) dhe Finlanda (1,440 €).
“Vendet nordike dhe Franca mbeten ndër shpenzuesit më të mëdhenj për përfitime familjare, edhe pse qasja e tyre bazohet më shumë në shërbime në natyrë, siç është kujdesi për fëmijët, të cilat nuk pasqyrohen plotësisht në shifrat për përfitimet monetare për frymë,” tha për Euronews Business Dr. Anne Daguerre nga Universiteti i Bristol-it.
Gjermania (1,616 €), Zvicra (1,375 €), Austria (1,340 €) dhe Irlanda (1,026 €) shpenzojnë gjithashtu mbi 1,000 euro për person. Belgjika (976 €) dhe Franca (867 €) janë mbi mesataren e BE-së, por nuk e kalojnë pragun e 1,000 eurove. Holanda ofron 670 € për person — rreth 160 € më pak se mesatarja e BE-së. Italia (524 €) dhe Spanja (427 €), megjithëse pjesë e katër ekonomive më të mëdha të BE-së, mbeten pas.
Vendet kandidate për anëtarësim ofrojnë nivelet më të ulëta të përfitimeve. Pas Shqipërisë, Turqisë dhe Bosnjës, vijnë Mali i Zi (131 €) dhe Serbia (117 €).
Profesori Grega Strban nga Universiteti i Ljubljanës paralajmëron për kujdes në krahasime: “Pyetja është nëse të gjitha vendet i klasifikojnë përfitimet në të njëjtën mënyrë.” Ai shtoi se politikat ndryshojnë shumë: “Disa fokusohen tek mbështetja për prindërit ose kujdestarët e fëmijëve, të tjera tek fëmijët apo studentët. Disa janë universale, disa të targetuara. Disa lidhen me aftësinë e kufizuar ose ndihmën sociale.”
Si kanë ndryshuar përfitimet gjatë dekadës së fundit?
Nga 32 vende të analizuara, përfitimet për person në terma monetarë ranë vetëm në dy prej tyre, ndërsa rritjet varionin ndjeshëm. Në BE, mesatarja u rrit nga 566 € në 2012 në 830 € në 2022 — një rritje prej 47% ose 264 €. Rënia u shënua në Norvegji (-5% ose -130 €) dhe në Qipro (-18% ose -62 €), pjesërisht për shkak të luhatjeve të kursit të këmbimit.
Në përqindje, rritjen më të madhe e pati Polonia me +320%, e ndjekur nga Letonia (+245%), Rumania (+227%) dhe Lituania (+198%). Përfitimet u dyfishuan gjithashtu në Estoni (+125%), Serbi (+115%), Bullgari (+112%), Islandë (+110%) dhe Kroaci (+101%).
Lexo edhe: Nga 164 € në Ukrainë në 2,700 € në Luksemburg, ja ku qëndron Shqipëria në hartën e pagave në Europë
Rritja ishte nën 30% në Luksemburg, Austri, Finlandë, Hungari, Francë, Suedi, Danimarkë dhe Irlandë — shumica e të cilave kishin nivele të larta përfitimesh që në fillim, me përjashtim të Hungarisë. Në terma absolutë, rritjet më të mëdha u shënuan në Islandë (+980 €), Luksemburg (+819 €) dhe Gjermani (+558 €).
Çfarë i nxit ndryshimet?
“Shpenzimet për përfitimet familjare për person janë rritur ndjeshëm në BE që nga viti 2012, por arsyet ndryshojnë shumë nga një vend në tjetrin,” theksoi Dr. Daguerre.
Ajo vuri në dukje se rritjet më të spikatura janë në Evropën Qendrore dhe Lindore, veçanërisht në Hungari dhe Poloni: “Në këto raste, rritja nxitet kryesisht nga politika selektive pronataliste, që synojnë rritjen e normës së lindshmërisë dhe mbështetjen e modeleve tradicionale familjare. Këto strategji të bazuara në përfitime monetare pasqyrojnë një zhvendosje drejt agjendave më konservatore të mirëqenies.”

Italia, nën qeverinë e Giorgia Melonit, po ndjek një rrugë të ngjashme që nga viti 2022.
Rritja mund të reflektojë edhe prioritete të tjera. “Lituania, për shembull, ka parë rritje të ndjeshme pas prezantimit në vitin 2018 të një përfitimi universal për fëmijë. Ky reformim synonte kryesisht uljen e varfërisë së fëmijëve dhe garantimin e aksesit më gjithëpërfshirës në mbështetje, sidomos për familjet me të ardhura të ulëta që më parë ishin të përjashtuara nga sistemet e bazuara në taksa,” shpjegoi ajo.
Nga ana tjetër, disa vende të Evropës Jugore si Greqia dhe Qipro shënojnë stanjacion ose rritje modeste, pavarësisht normave të ulëta të lindshmërisë.
Çfarë përfshijnë përfitimet familjare?
Sipas Komisionit Evropian, përfitimet familjare janë “të gjitha përfitimet në natyrë ose në para, të destinuara për të përballuar shpenzimet familjare në kuadër të legjislacionit të sigurimeve shoqërore të një shteti anëtar”.
Ato përfshijnë ndihmat prindërore dhe për rritjen e fëmijëve, që ndihmojnë në mbulimin e kostove të jetesës dhe kompensojnë të ardhurat e humbura kur një prind ndalon punën. Gjithashtu, përfitimet për kujdesin e fëmijëve për prindërit që punojnë hyjnë në këtë kategori.
Një analizë e Euronews mbi “Pagat neto kundrejt atyre bruto në Evropë” tregon se çiftet me një të ardhur dhe dy fëmijë në ngarkim marrin ndjeshëm më shumë të ardhura neto krahasuar me pagat e tyre bruto, pikërisht falë këtyre përfitimeve.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.