Neviana Zhgaba, shqiptarja që solli Korçën në Connecticut! - Business Magazine Albania

Neviana Zhgaba, shqiptarja që solli Korçën në Connecticut!

Neviana Zhgaba, shqiptarja që solli Korçën në Connecticut!

Nga Eni Muça– Nga një vajzë që ëndërronte universitetet europiane, në një sipërmarrëse e suksesshme në SHBA. Kjo është historia e Neviana Zhgaba, shqiptare e diasporës, e cila me vendosmëri dhe pasion ka ndërtuar një jetë të re mes teknologjisë dhe verës, duke ruajtur gjithnjë identitetin shqiptar.

Si nisi rrugëtimi yt drejt SHBA-ve? Çfarë të shtyu të largoheshe nga Shqipëria dhe si ishin vitet e para atje?

Në Shqipëri isha nxënëse tek gjimnazi “Kolegji Preka” në Korçë. Fillimisht ëndërroja të vazhdoja studimet e larta në një qytet si Roma, Parisi apo Londra. Por në vitin e fundit të gjimnazit u njoha me tashmë bashkëshortin tim, dhe kjo më bëri të rishikoja planet e mia. Vendosa të aplikoj për universitete në Connecticut, SHBA, ku për fat mora një bursë për të ndjekur studimet në Fairfield University. Vitet e para në Amerikë nuk qenë të lehta, gjithçka ishte e re dhe ndonjëherë sfiduese, por e përjetova me vendosmëri dhe optimizëm. Kisha një qëllim të qartë: të ndërtoja një jetë më të mirë dhe të përmbushja potencialin tim.

Na trego më shumë për punën tënde aktuale dhe si ka evoluar karriera jote ndër vite?

Pas përfundimit të universitetit brenda tre viteve, pata një fillim të shpejtë në karrierë duke u punësuar në një nga programet më të mira të lidershipit në teknologji në botë, ofruar nga General Electric. Aty kalova 14 vite të karrierës sime duke implementuar sisteme financiare dhe programe të të dhënave në bizneset e GE në mbarë botën. Gjatë asaj kohe, bashkë me bashkëshortin tim krijuam familjen tonë dhe sollëm në jetë dy djem. Kur ata ishin ende të vegjël, gjetëm një pronë prej 17 hektarësh në Connecticut ku fillimisht synonim të ndërtonim shtëpinë tonë, por vendosëm që më parë të mbillnim një vresht të vogël dhe të krijonim një kantinë vere. Për pesë vitet e para u përkushtuam në mbjelljen e vreshtave dhe ndërtimin e kantinës, dhe më pas ndërtuam edhe shtëpinë tonë.

Sot, Aquila’s Nest Vineyards është renditur si kantina më e mirë në Connecticut për katër vitet e fundit. Në vitin 2024 fituam Çmimin Kombëtar në Amerikë për Biznes të Vogël si Prodhuesi i Vitit në Connecticut, si dhe u renditëm nga Dhoma Amerikane e Tregtisë mes 70 bizneseve të vogla më të mira në Amerikë për vitin 2023. Gjithashtu jemi nderuar me çmimin Agroturizmi më i Mirë në Diasporë për vitin 2023 nga Albanian Excellence. Kjo eksperiencë ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm nga teknologjia në sipërmarrje, dhe një shembull se si pasioni dhe përkushtimi mund të krijojnë diçka unike. Ne organizojmë shpesh edhe ngjarje muzikore shqiptare, ku kemi pasur kënaqësinë të presim artistë si Vedat Ademi, Irma Libohova, Mira Konçi, Flaka Krelani, Faton Maçula, Arbër Hetemi dhe Ernest Muhaxheri.

Çfarë e bën një profesionist të suksesshëm në SHBA? Ka ndonjë rregull të artë që ndjek ti?

Suksesi në SHBA nuk vjen vetëm nga aftësitë teknike apo diploma, por nga një kombinim faktorësh që lidhen ngushtë me karakterin dhe mënyrën si ndërvepron me të tjerët. Për mua, disa nga elementët kyç që e bëjnë një profesionist të suksesshëm janë:

  • Inteligjenca emocionale – të dish të dëgjosh, të kuptosh dhe të reagosh me empati në çdo situatë është thelbësore në një kulturë pune shumë dinamike dhe ndërkulturore si ajo amerikane.
  • Përkushtimi dhe këmbëngulja – të mos dorëzohesh kur has vështirësi dhe të japësh maksimumin në çdo detyrë që merr përsipër.
  • Puna në grup dhe aftësia për të ndërtuar marrëdhënie – rrjetëzimi dhe bashkëpunimi janë thelbësore për rritjen profesionale.
  • Iniciativa dhe mendimi kritik – të jesh proaktiv dhe të sillesh si zgjidhës problemesh, jo thjesht si zbatues.
  • Përshtatshmëria – aftësia për t’u përshtatur me ndryshimet e shpejta, qoftë në teknologji, treg apo kulturë organizative.

Rregulli im i artë ka qenë gjithmonë: puno me integritet, me pasion dhe me qëllim afatgjatë, jo vetëm për të ecur përpara vetë, por edhe për të ngritur të tjerët me vete.

Sa e vështirë apo e lehtë ka qenë të ruash identitetin shqiptar në një realitet tjetër kulturor?

Për ne nuk ka qenë e vështirë të ruajmë identitetin shqiptar – përkundrazi, e kemi bërë me shumë krenari dhe dashuri. Në kantinën tonë të verës, Aquila’s Nest Vineyards, kemi një mur të dedikuar trashëgimisë shqiptare, ku ekspozojmë figura ikonike si Nëna Terezë dhe Skënderbeu, si dhe kostume tradicionale, qilima, dhe pamje nga qytete si Korça, Kruja dhe Butrinti. Dy nga verërat tona kryesore mbajnë emra të frymëzuar nga gratë shqiptare: “Queen of Illyria”, që nderon Mbretëreshën Teutë, dhe “Zana e Malit”, që lidhet me mitologjinë shqiptare. Gjithashtu, organizojmë shpesh ngjarje muzikore shqiptare, ku kemi pasur kënaqësinë të presim artistë si Vedat Ademi, Irma Libohova, Mira Konçi, Flaka Krelani, Faton Macula, Arber Hetemi dhe Ernest Muhaxheri. Gjatë sezonit të vjeljes së rrushit, kemi ftuar edhe grupe të rinjsh shqiptarë që performojnë valle tradicionale. Kultura shqiptare është pjesë integrale e jetës sonë dhe e përditshmërisë sonë në SHBA – jo vetëm që e kemi ruajtur, por kemi gjetur mënyra të bukura për ta ndarë me komunitetin ndërkombëtar që na viziton çdo ditë.

A e ndjek skenën e biznesit dhe inovacionit në Shqipëri? Si e sheh potencialin e të rinjve shqiptarë?

Po, e ndjek me shumë interes skenën e biznesit dhe inovacionit në Shqipëri, dhe kam bindjen se të rinjtë shqiptarë janë ndër më të talentuarit në botë. Kam pasur kënaqësinë të punoj me disa prej tyre për ndërtimin e markës së kantinës sonë të verës – një prej tyre ishte një dizajner i jashtëzakonshëm nga Shqipëria që ndihmoi në krijimin e identitetit tonë vizual. Gjithashtu, kam bashkëpunuar me disa të tjerë në funksionet operative të kantinës. Edhe në SHBA, të rinjtë shqiptarë kanë arritur suksese të mëdha – duke zënë pozicione të rëndësishme në kompani globale dhe madje edhe në institucione të nivelit federal. Kjo tregon jo vetëm potencialin që kanë, por edhe punën e tyre të palodhur, ambicien dhe vlerat që sjellin me vete. Unë besoj fort se nëse u jepet mbështetja dhe mundësia e duhur, të rinjtë shqiptarë mund të jenë liderë jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën.

A mendon ndonjëherë për një rikthim ose për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes SHBA dhe Shqipërisë?

Aktualisht nuk kemi në plan një rikthim, por në të ardhmen do të na pëlqente shumë të ndërtojmë ura bashkëpunimi, sidomos në fushën e agroturizmit, që është një sektor me potencial të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Do të ishte një kënaqësi të bashkëpunoja me biznese të tjera shqiptare në këtë fushë, për të shkëmbyer eksperienca, për të zhvilluar projekte të përbashkëta dhe për të promovuar bukuritë natyrore, kulturën dhe mikpritjen shqiptare edhe më shumë në tregjet ndërkombëtare.

Çfarë të motivon çdo ditë? Ka ndonjë ritual, zakon apo moto që ndjek?

Në kantinën tonë kemi një shprehje që e përcjell çdo ditë frymën tonë: “Krijo një vizion aq të qartë, sa që të gjitha frikërat të bëhen të parëndësishme.” Kjo është motoja që më ka udhëhequr gjatë gjithë rrugëtimit tonë, veçanërisht kur hapëm biznesin gjatë një periudhe tepër sfiduese si pandemia e COVID-it. Çdo ditë më motivon dëshira për të ndërtuar diçka me kuptim – për familjen time dhe për komunitetin. Të besonim te vizioni ynë, edhe kur të tjerët nuk e shihnin ende, ishte forca që na shtynte përpara çdo ditë.

Cili është libri, personi apo eksperienca që ka ndikuar më shumë në mënyrën se si mendon sot?

Kam lexuar shumë gjatë viteve, por dy seri librash që më kanë lënë gjurmë të thellë janë “Komedia Njerëzore” e Balzak, nga klasikët, dhe seria “Harry Potter”. Balzak më mësoi shumë rreth natyrës njerëzore, ambicies, shoqërisë dhe sfidave morale që ndeshim në jetë – një pasqyrë e thellë dhe realiste e botës. Ndërsa Harry Potter, megjithëse një histori magjike, më frymëzoi të besoj në fuqinë e miqësisë, guximit dhe të luftës për atë që është e drejtë, edhe kur duket e pamundur. Të dyja këto seri më kanë ndihmuar të formoj një mënyrë të të menduarit që kombinon realizmin me imagjinatën, dhe prakticitetin me idealizmin – një qasje që më ka shërbyer shumë si në jetë, ashtu edhe në biznes.

 Çfarë do t’u këshilloje të rinjve shqiptarë që ëndërrojnë të punojnë jashtë vendit, veçanërisht në SHBA?

Këshilla ime do të ishte të mos kenë frikë të ëndërrojnë shumë dhe të punojnë fort për ato ëndrra. SHBA është një vend me mundësi të pafundme, por edhe me konkurrencë të fortë. Ajo që bën diferencën është kombinimi i dijes, integritetit, guximit dhe përkushtimit. Kudo që të shkoni, ruani identitetin dhe vlerat shqiptare, sepse ato janë burim force dhe autenticiteti. Mos prisni që dikush t’ju hapë derën, krijoni vetë mundësinë, qoftë edhe nga e para. Bëhuni kuriozë, punoni me pasion dhe krijoni lidhje me njerëz që ju frymëzojnë. Dhe më e rëndësishmja: besoni te vetja edhe kur rruga duket e vështirë. Gjërat e mëdha kërkojnë kohë dhe këmbëngulje, por çdo hap i vogël ju çon më pranë suksesit.

Cilat janë disa vlera që mendon se i ke trashëguar nga Shqipëria dhe që të ndihmojnë në punën tënde sot?

Nga Shqipëria kam marrë shumë vlera thelbësore që më shërbejnë çdo ditë në punën dhe jetën time:

  • Puna e palodhur dhe këmbëngulja, Vij nga një familje e persekutuar gjatë kohës së komunizmit, edhe pse stërgjyshi im ishte nga mësuesit e parë të Mësonjëtores. Kjo histori familjare më ka mësuar se puna e palodhur dhe, sidomos, këmbëngulja janë çelësi për të kapërcyer çdo vështirësi.
  • Mikpritja dhe respekti për njerëzit,  këto vlera më ndihmojnë të ndërtoj marrëdhënie të forta me klientët, partnerët dhe ekipin tim.
  • Krenaria për origjinën dhe kulturën,  më jep forcë për të ruajtur dhe promovuar identitetin tim në çdo hap që ndërmarr.
  • Aftësia për t’u përshtatur, duke qenë rritur në një vend me sfida dhe ndryshime, kam mësuar të jem fleksibël dhe të gjej zgjidhje kreative.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Vazhdo të ecësh. Mund të pengohesh, por mos qëndro ulur.”
— Charles Kettering
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0