Nëna e njërit prej fëmijëve të Elon Musk, padit xAI - Business Magazine Albania

Nëna e njërit prej fëmijëve të Elon Musk, padit xAI

Ashley St. Clair, nëna e njërit prej fëmijëve të Elon Musk, ka paditur kompaninë e tij xAI pasi inteligjenca artificiale e saj, Grok, e ka paraqitur virtualisht të zhveshur pa pëlqimin e saj.

Sipas padisë, Grok është në gjendje të modifikojë bindshëm fotografi reale të grave dhe fëmijëve të veshur, duke i paraqitur ato në forma të papërshtatshme dhe skenarë abuzivë. Dokumentet ligjore theksojnë se këto imazhe duken “të vërteta dhe autentike”, deri në atë pikë sa një shikues i zakonshëm nuk do të kuptonte se janë të rreme.

Padia gjithashtu i referohet deklaratës fillestare të xAI gjatë lançimit të Grok-ut, ku kompania premtonte se AI do të “përgjigjej edhe pyetjeve pikante që refuzohen nga shumica e sistemeve të tjera të AI”. Më vonë, xAI prezantoi të ashtuquajturin “spicy mode” në aplikacionin e pavarur të Grok-ut, çka sipas St. Clair ka inkurajuar keqpërdorimin e sistemit.

Lexo edhe:Musk kërkon deri në 134 miliardë dollarë në padinë kundër OpenAI, pavarësisht pasurisë së tij marramendëse

Çfarë ka thënë vetë St. Clair?

Në një postim në X (ish-Twitter) në fillim të muajit, St. Clair shkroi se Grok kishte “zhveshur” virtualisht fotografitë e saj kur ishte fëmijë. Ajo e quajti këtë praktikë “objektivisht të tmerrshme dhe të paligjshme” dhe ftoi çdo person tjetër që mund të ishte prekur të kontaktonte me të. Më pas ajo i kërkoi ndjekësve të saj të kalonin në Instagram, duke paralajmëruar se postimi i fotografive personale në X mund të rrezikojë që ato të keqpërdoren nga AI e platformës. Avokatja e saj, Carrie Goldberg, i tha The Wall Street Journal se qëllimi i padisë është të rrisë ndërgjegjësimin publik për një fenomen që ajo e konsideron të papranueshëm, duke përmendur raste ekstreme ku janë krijuar imazhe abuzive me fëmijë.

Çfarë ka bërë xAI pas polemikave?

Një ditë para dorëzimit të padisë, X njoftoi se kishte kufizuar aftësitë e Grok-ut për të gjeneruar imazhe të njerëzve realë me veshje provokuese. Platforma deklaroi se ka vendosur masa teknologjike për të parandaluar redaktimin e imazheve të personave realë në rroba banje apo veshje intime dhe se ka bllokuar këto funksione në juridiksione ku kjo është e paligjshme.

Megjithatë, Elon Musk hodhi poshtë pretendimet se Grok kishte gjeneruar imazhe të papërshtatshme me fëmijë, duke thënë se sistemi vepron vetëm mbi kërkesat e përdoruesve dhe se çdo keqpërdorim është rezultat i “sulmeve provokuese” ndaj AI-së. Ai shtoi se nëse shfaqen probleme, ato korrigjohen menjëherë.

Në një intervistë për CNN, St. Clair reagoi duke thënë:“Nëse duhet të shtosh masa sigurie pasi dëmi është bërë, kjo nuk është siguri, është thjesht kontroll dëmi.”

forbes

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0