Që prej 1 korrikut 2025, aplikimi për kredi bankare për blerjen e një banese do të përballet me kufizime të reja, në zbatim të rregullave të reja të miratuara nga Banka e Shqipërisë. Sipas këtyre ndryshimeve, financimi nuk do të jetë më i plotë dhe do të aplikohen tavane të qarta si në raport me vlerën e pasurisë që blihet, ashtu edhe me të ardhurat e huamarrësit.Konkretisht, për blerjen e banesës së parë, kredia në lekë do të mbulojë deri në 85% të vlerës së saj, ndërsa për banesën e dytë kjo përqindje ulet në 80%. Në rastin e kredive në valutë, financimi maksimal do të jetë përkatësisht 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për të dytën.
Lexo edhe: Çfarë është Fintech 3.0, epoka që po thyen barrierat financiare
Gjithashtu, vendimi vendos kufij edhe për këstin mujor që një individ mund të përballojë në bazë të të ardhurave. Për kreditë në lekë, kësti nuk mund të kalojë 40% të të ardhurave mujore, ndërsa për ato në valutë ky kufi ngrihet në 45%. Në rastin e blerjes së banesës së dytë, përqindjet zbresin më tej: maksimumi 35% e të ardhurave për kreditë në lekë dhe 30% për ato në valutë.
Një tjetër kufizim ka të bëjë me afatin e shlyerjes së kredisë, bankat rekomandohen të mos ofrojnë maturim më të gjatë se 30 vjet, ose më saktë, deri në moshën e pensionit të huamarrësit – duke u bazuar në atë që e arrin më parë këtë moshë, nëse ka më shumë se një huamarrës.
Këto masa synojnë të rrisin qëndrueshmërinë financiare dhe të ulin rrezikun në sistemin bankar shqiptar.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.