Ndryshimet në ligjin e startup-eve, mobilizim i 18 milionë eurove shtesë deri në vitin 2027 - Business Magazine Albania

Ndryshimet në ligjin e startup-eve, mobilizim i 18 milionë eurove shtesë deri në vitin 2027

Ndryshimet në ligjin e startup-eve, mobilizim i 18 milionë eurove shtesë deri në vitin 2027

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat shqyrtoi sot, në cilësinë e Komisionit Përgjegjës, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve’”, i cili synon forcimin e kuadrit ligjor për inovacionin dhe sipërmarrjen në Shqipëri.

Deputeti Klevis Jahaj, iniciator i ndryshimeve në ligj, u shpreh se propozimet janë në përputhje me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku një ndër prioritetet kryesore është përshpejtimi i digjitalizimit dhe krijimi i një kuadri më të integruar për inovacionin.

Sipas tij, aktualisht në Shqipëri janë aktive rreth 450 startup-e, kryesisht të përqendruara në Tiranë, ndërsa vendi renditet në nivelin 37,9% të mesatares së Bashkimit Evropian për zhvillimin e ekosistemit të startup-eve. Gjithashtu tha ai, një element i rëndësishëm pozitiv mbetet kapitali social, pasi rreth 37% e themeluesve të startup-eve janë gra, duke e renditur Shqipërinë mbi mesataren e BE-së në këtë tregues.

Lexo edhe:Taksa e mbetjeve do ndryshojë, për familjet dhe bizneset do ndiqet parimi “Paguaj sipas hedhjes”

Deputeti Jahaj theksoi se, që prej vitit 2024, BE po zbaton Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin masa të posaçme për digjitalizimin dhe përmirësimin e mjedisit të gjelbër, përmes mbështetjes së inovacionit dhe granteve. Sipas tij, kuadri aktual ligjor synon të integroj më mirë politikat për inovacionin dhe mbështetjen financiare e qëndrueshme të tij.

“Ndryshimet e propozuara synojnë gjithashtu arritjen e objektivave të Strategjisë për Mbështetjen e Sipërmarrjes 2024–2030, e cila parashikon krijimin e 1 600 startup-eve, mobilizimin e 18 milionë eurove shtesë deri në vitin 2027, mbështetjen e 400 financimeve me kapital privat dhe rritjen e vendeve të punës”, deklaroi Jahaj.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Martin Kajo, u shpreh se projektligji është në përputhje me strategjinë e ministrisë dhe ftoi deputetët ta mbështesin, duke theksuar se Shqipëria ka bërë përparim në treguesit ndërkombëtarë që matin zhvillimin dhe ndikimin ekonomik të startup-eve.

Ndërsa drejtori i startup-eve, Arjan Ymeri, vuri në dukje përparësinë që ka marrë ky sektor si në rritjen e numrit të tyre por dhe kontributit në rritjen ekonomike të vendit.

“Qeveria shqiptare synon të transformojë mekanizmat e financimit të startup-eve nga grante drejt një modeli të qëndrueshëm, me qëllim të vendosjes së Shqipërisë si një qendër rajonale të inovacionit, duke shfrytëzuar avantazhet konkurruese të kostos së ulët dhe të burimeve njerëzore. Në dy vitet e fundit, 170 kompani startup kanë përfituar financime me një vlerë mesatare prej 30 mijë euro, kryesisht në sektorët prioritarë. Eksportet e startup-eve shqiptare kanë shënuar një rritje të konsiderueshme, duke u rritur nga 8 milion euro në vitin 2013 në 208 milion euro aktualisht”, u shpreh Ymeri.

ATA

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0