Ndikimi i Brexit në Shqipëri - Business Magazine Albania

Ndikimi i Brexit në Shqipëri


Në një analizë të posaçme se si Brexit mund të ndikojë negativisht ekonominë shqiptare, Banka e Shqipërisë referon se efektet negative indirekte mund të materializohen edhe për Shqipërinë…

Së pari një reçension ekonomik në Eurozonë, si pasojë e rritjes së skajshme të pasigurisë.
Ky skenar do të kishte pasoja negative për ekonominë shqiptare, duke ndikuar negativisht eksportet tona, IHD-të hyrëse dhe rritjen e pasigurisë në vend.

Së dyti një krizë të re në sistemin bankar e financiar evropian.
Ky skenar do të sillte probleme likuiditeti e kapitalizimi në bankat mëma. Në varësi të intensitetit, pasojat mund të shkonin nga një ulje e oreksit për zgjerim në Shqipëri, në një deleverage apo reduktim të ekspozimit ndaj ekonomisë shqiptare. Gjithsesi, duhet theksuar se sistemi bankar shqiptar nuk do të prekej direkt nga tërheqja e fondeve, për arsye se depozitat e gjeneruara lokalisht janë më shumë se të mjaftueshme për të mbuluar kreditë dhe letrat me vlerë të qeverisë në aktivin e sistemit bankar.

Së treti do të ndikojë një nënçmim të fortë të euros ndaj dollarit amerikan.
Proporcionalisht, eksportet tona shfaqen më shumë të orientuara drejt euros (rreth 85%) në raport me importet (rreth 70%). Kjo do të thotë që, në rast të nënçmimit të kursit të euros ndaj dollarit: (a) fatura e eksporteve do të bjerë më shpejt se fatura e importeve; por, (b) bilanci tregtar do të përmirësohet, sepse importet në vlerë janë ndjeshëm më të larta se eksportet.

Shkëmbimet tregtare me MB-në zënë një peshë të vogël të totalit të aktivitetit tregtar të Shqipërisë. Pesha e importeve dhe e eksporteve me MB-në ndaj totaleve përkatëse janë respektivisht rreth 0.8% dhe 0.2%. Frenimi i eksporteve shqiptare drejt MB-së do të kishte një efekt fare marzhinal për ekonominë shqiptare.

Stoku i investimeve të huaja direkte me origjinë nga MB-ja vlerësohej në 19.8 milionë euro në vitin 2014. Ky stok investimesh vlerësohet në 0.44% ndaj totalit të stokut të investimeve direkte në Shqipëri dhe në rreth 0.2% të PBB-së në vitin 2014. Tërheqja e këtyre investimeve apo frenimi i fluksit hyrës të tyre, do të kishte një efekt të pandjeshëm për ekonominë shqiptare.

Informacioni më i fundit i plotë i peshës së dërgesave të emigrantëve rezidentë në MB i përket gjashtëmujorit të dytë të vitit 2015.

Vlerësimet tregojnë se pesha e remitancave nga MB drejt Shqipërisë është rreth 11% për periudhën referuese, duke përfaqësuar një vlerë transfertash prej 32.3 milionë eurosh apo 0.6% ndaj PBB-së nominale. Ndalimi tërësor i remitancave është një ngjarje me probabilitet të ulët.

Ndërkohë, reduktimi i tyre mund të kishte efekte marzhinale në nivelin e konsumit dhe në ritmin e rritjes ekonomike.

Brexit është shoqëruar me tendenca të forta nënçmuese të paundit britanik (9.3% kundrejt euros). Teorikisht, këto tendenca lehtësojnë barrën e kredimarrësve në GBP dhe zbehin vlerën e kursimeve (depozitave) në GBP. Nisur nga pesha e tyre në vëllimet totale të depozitave e kredive të sistemit bankar shqiptar, intensiteti i veprimit të këtij kanali duket i neglizhueshëm. Depozitat dhe kreditë në GBP, përbëjnë përkatësisht, 1.17% dhe 0.002% të totaleve përkatëse, sipas të dhënave të muajit prill 2016.

Burimi: monitor.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0