NATO dhe vendet aleate po testojnë mënyra të reja për të integruar kompanitë e teknologjisë së mbrojtjes në operacionet ushtarake, duke i sjellë ato drejtpërdrejt në terrenin e stërvitjeve. Një nga demonstrimet më të mëdha u zhvillua këtë muaj në Portugali, ku u organizua REPMUS 2025 (Robotic Experimentation and Prototyping using Maritime Unmanned Systems), një stërvitje e përbashkët trejavore me pjesëmarrjen e 24 vendeve, përfshirë edhe Ukrainën.
Në bazën detare të Tróias, dronët u përdorën mbi ujë, nën ujë dhe në tokë, ndërsa ushtarët u pajisën me syze realiteti virtual dhe sisteme monitorimi të avancuar. Stërvitja përfshiu gjithashtu një nëndetëse bërthamore dhe testime të përditshme të ndërhyrjes së sinjaleve për të simuluar kushte reale lufte.
Për herë të parë, Ukraina mori pjesë si pjesë e ekipit “të kuq”, duke ndarë me aleatët taktikat e përdorura në frontin aktual kundër Rusisë. “Ukraina sjell procedurat dhe taktikat e betejës reale, të cilat janë të rëndësishme për të gjithë pjesëmarrësit,” tha kapiteni Valter de Bulha Almeida nga marina portugeze.
Një element i ri ishte bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me kompanitë teknologjike dhe akademinë. Nga dronët kamikazë të kompanisë gjermane Rheinmetall, deri te balonat me hidrogjen të firmës finlandeze Kelluu, apo sistemet e inteligjencës artificiale të kompanisë franceze Akheros, testimet treguan se teknologjitë e reja po kthehen në mjete kyçe për mbrojtjen evropiane.
Lexo edhe: Ekspertët paralajmërojnë: “Superinteligjenca” artificiale mund të zhdukë njerëzimin
Sipas James Appathurai, drejtues i përkohshëm i NATO DIANA, testet e tilla janë thelbësore për të përshpejtuar inovacionin. “Duhet të marrim rreziqe dhe të testojmë fort, ashtu si kompanitë private që mendojnë për 20 vitet e ardhshme,” u shpreh ai.
Stërvitja shënon gjithashtu një hap drejt rritjes së investimeve private në mbrojtje, ndërkohë që BE-ja po shton buxhetet ushtarake pas thirrjeve të Shteteve të Bashkuara për një angazhim më të madh nga Evropa. Zona e lirë teknologjike e Tróias ofron 2,600 km² ku kompanitë mund të testojnë pajisje në kushte që zakonisht nuk lejohen nga autoritetet civile.
Ekspertët theksojnë se zhvillime të tilla po transformojnë mënyrën e të bërit luftë, duke i bërë operacionet më të shpejta, më fleksibël dhe të mbështetura fuqimisht nga inteligjenca artificiale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto