Multitasking nuk funksionon! Dakord, po çfarë duhet të bëjmë për... - Business Magazine Albania

Multitasking nuk funksionon! Dakord, po çfarë duhet të bëjmë për të mbyllur punët?

Nëse je nga ata që krenohen me “aftësinë për të bërë disa gjëra njëkohësisht”, është koha të rishikosh këtë “superfuqi”. Ekspertët janë pothuajse unanimë, multitasking është një mit. Nuk jemi duke bërë disa gjëra njëkohësisht, por thjesht po kalojmë me shpejtësi nga një detyrë në tjetrën, dhe çdo herë që e bëjmë këtë, humbasim diçka. Humbasim përqendrimin, bëjmë më shumë gabime dhe jemi më pak efektivë.

Lexo gjithashtu: A je një shef i keq? 10 shenja që s’mund t’i injorosh

Neurologu Richard Cytowic e përmblodhi qartë:

“Na mungon energjia për të bërë dy gjëra njëkohësisht në mënyrë efektive, e lëre më tre apo pesë.”

Megjithatë, kultura moderne e punës, sidomos në botën digjitale, na shtyn drejt këtij modeli. Për të kuptuar më mirë si mund të jemi produktivë pa rënë në grackën e multitasking-ut, eksperti i menaxhimit të kohës, Oliver Burkeman, sjell një perspektivë interesante. Ai thekson se problemet me multitasking-un janë rritur sidomos për shkak të natyrës së re të punës, ajo që quajmë “punë me dije”, shkrimi, mendimi, analizimi i informacionit, të gjitha procese që kërkojnë përqendrim të plotë dhe të pandërprerë.

Në kohët industriale, njerëzit zakonisht kishin detyra të përsëritura dhe të qarta, për shembull, një veprim në një linjë prodhimi. Në këto raste, multitasking-u as nuk përmendej. Por sot, jemi të rrethuar nga detyra të vogla, njoftime, email-e dhe ndërprerje konstante që kërkojnë një lloj të vetëm vëmendjeje. Dhe kjo vëmendje është e kufizuar.

Lexo gjithashtu: Mësimet që nuk i jep asnjë shkollë, 4 leksione nga sipërmarrëset që po ndryshojnë botën e biznesit

Por çfarë mund të bëjmë në vend të multitasking-ut?

Burkeman propozon disa strategji praktike dhe shumë të zbatueshme:

Minimizoni kalimet mes detyrave

Organizoni ditën në mënyrë që të grumbulloni detyra të ngjashme dhe t’i përfundoni në blloqe kohe. Për shembull, rezervoni një orar specifik për të kontrolluar email-et, në vend që të ndërprisni punën tuaj sa herë dëgjoni një “ping”.

Pranoni realitetin, nuk bëhet fjalë për multitasking, por për kalim mes detyrash

Nuk ka nevojë të përpiqeni të bëni gjithçka njëkohësisht. Ajo që mund të përmirësojmë është aftësia për të kaluar nga një detyrë në tjetrën në mënyrë të vetëdijshme, duke vendosur pika të qarta fillimi dhe përfundimi.

Metoda e “një detyre në një rresht”

Burkeman sugjeron një teknikë të thjeshtë:

Merr një fletë letre, shkruaj një detyrë që je gati ta bësh tani. Pasi ta përfundosh, kryqezoje dhe shkruaj të radhës. Një hap. Një detyrë. Një ndjesi suksesi.

Veprimi fizik i radhës

Kur ndihesh i mbingarkuar dhe nuk di nga t’ia fillosh, identifiko veprimin konkret dhe fizik të radhës. Mund të jetë dërgimi i një emaili, hapja e një dokumenti ose një telefonatë. Mos lejo mendjen të humbasë në “punë mendore” që nuk sjell lëvizje reale.

Trajto listën e detyrave si një lum, jo si një kovë

Në vend që të mendosh se duhet t’i përfundosh të gjitha detyrat e tua një e nga një (njësoj si të zbrazësh një kovë), imagjinoji si një lumë që rrjedh. Zgjidh ato që kanë më shumë kuptim për momentin dhe lëri të tjerat të rrjedhin. Nuk ke pse ndihesh fajtor për gjithçka që nuk arrin të bësh.

Lexo gjithashtu: Si një nënë e trajtoi diagnozën e rrallë të vajzës si sfidë biznesi dhe e fitoi?

Mendo për listën si një menu, jo si një barrë

Kur e shikon listën e detyrave si një menu, zgjedh me vetëdije çfarë do të bësh, dhe jo thjesht çfarë duhet të bësh. Kjo ndjesi zgjedhjeje sjell më shumë kontroll, më pak stres dhe një raport më të shëndetshëm me produktivitetin.

Në fund të ditës, nuk ka rëndësi sa gjëra përpiqemi të bëjmë njëkohësisht. Rëndësi ka sa prej tyre i bëjmë mirë. Produktiviteti i vërtetë nuk është të jesh gjithmonë i zënë, por të jesh i përqendruar, i vetëdijshëm dhe… njerëzor.

NICE NEWS

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0