Mos fajëso punonjësit! - Business Magazine Albania

Mos fajëso punonjësit!

punonjësit

Shkruar nga Marsel Kalemi, themelues dhe CEO i Kalemi Travel

Shpesh kam dëgjuar nga drejtues, punëdhënës, sipërmarrës që ankohen për punonjësit (edhe unë kam qenë një prej tyre dikur). “Nuk punojnë, duan të bëhen menjëherë drejtorë, e kanë mendjen te rroga, duan vetëm pushime, nuk po gjejmë punonjës, na çmendën, na lodhën edhe pse i mbajmë me gjithë të mirat etj. etj”.

Ta vëmë veten një moment në vendin e tyre:

– Jetojmë në një vend ku pronari është i plotfuqishëm, del mbi ligjin, mbi sindikatat, mbi të drejtat e çdo punonjësi. Kalon pagat në bankë, sepse duhet të deklarojë pagën minimale, pastaj i detyron punonjësit t’i kthejnë një pjesë të pagës. Është i fokusuar pas fitimit dhe pasurimit dhe harron që janë punonjësit ata që po e pasurojnë. Nuk paguan orët jashtë pune, ditët e pushimit, apo festat zyrtare. Vjen në punë me Ferrari apo shkon për pushime në Maldive dhe e tregon me krenari këtë para punonjësve që marrin 2 autobusa për të shkuar në punë, dhe nuk kanë ditë pushimi për pushime, por as lekë për plazh te Gjiri i Lalzit. I shfrytëzon për aq kohë sa i duhen dhe i le pa punë kur nuk ka më nevojë.

– Jetojmë në një shoqëri ku niveli i lumturisë matet me pasuri, sa më shumë lekë të kesh, sa më shumë veshje firmato të kesh, sa më shumë udhëtime luksoze të bësh aq më i lumtur duhet të jesh. Jetojmë në një shoqëri ku nuk të pyesin “A je i lumtur në punën tënde, a po zhvillohesh, a po mëson?”, por të pyesin “Sa të paguajnë? ” Duke e lidhur me atë më sipër, del në përfundimin që është më mirë të jesh pronar, se sa punonjës.

– Vijmë nga familje që kanë akoma njollat e komunizimit, ku biznesi privat është armik i popullit. Edhe sot bizneset janë gogolë që vetëm pasurohen dhe mendojnë për veten e tyre. Vijmë nga familje ku prindërit kërkojnë akoma punë te miqtë e tyre për fëmijët e tyre. Mundohen akoma të bindin fëmijët që puna në shtet është rehat, pasi ke ditë pushimi të paguara, fundjavat pushim, festat pushim, ohoho rehat.

Është shumë e vështirë për një punonjës të besojë premtimet e një punëdhënësi. Nëse nuk ka besim, nuk ka përkushtim.

Në një shoqëri kaq toksike, nëse mendon se je një lider dhe jo një pronar, çelësi i suksesit për një marrëdhënie të shëndetshme është këmbëngulja dhe durimi:

  • Këmbëngulje, sepse një lider po noton kundër rrymës toksike të shoqërisë.
  • Durim, pasi besimi dhe përkushtimi nuk vjen menjëherë. E njëjta gjë ndodh edhe në një marrëdhënie në çift ku nuk mund ta besosh partnerin, në takimin e parë, as në javën e parë, as në muajin e parë, dhe ndoshta edhe as në vitin e parë. Me kalimin e kohës, duke parë përkushtimin e partnerit, duke parë kujdesin e partnerit, fillon ta kuptosh që mund të kesh besim, ndihesh i sigurtë në këtë marrëdhënie dhe fillon të japësh edhe ti në këtë marrëdhënie.

Të njëtën gjë do bëjnë edhe punonjësit!

Shkruar nga Marsel Kalemi, themelues dhe CEO i Kalemi Travel

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0