Një mjet i ri i YouTube që përdor të dhëna biometrike të krijuesve për t’i ndihmuar ata të heqin videot e krijuara nga inteligjenca artificiale që shfrytëzojnë pamjen e tyre, po ngre shqetësime mes ekspertëve të pronësisë intelektuale, raportoi CNBC. Arsyeja? I njëjti mjet i jep Google-it mundësinë të trajnojë modelet e veta të AI duke përdorur të dhëna jashtëzakonisht të ndjeshme.
Në përgjigje të kritikave, YouTube i tha CNBC-së se Google nuk ka përdorur kurrë biometrinë e krijuesve për të trajnuar modelet e AI dhe se po rishikon tekstin e formularit të regjistrimit për të shmangur keqkuptimet. Megjithatë, kompania konfirmoi se nuk do të ndryshojë politikat aktuale të privatësisë. Ky kontrast pasqyron një ndarje më të gjerë brenda Alphabet: Google po shtyn agresivisht drejt AI-së, ndërsa YouTube përpiqet të ruajë besimin e komunitetit të krijuesve dhe mbajtësve të të drejtave, të cilët varen nga platforma për bizneset e tyre.
Si funksionon mjeti i ri i “likeness detection”?
YouTube po zgjeron funksionin “likeness detection”, lançuar fillimisht në tetor, i cili sinjalizon kur fytyra e një krijuesi përdoret pa leje në deepfake, video të rreme të gjeneruara nga AI. Tani ky funksion po hapet për miliona krijues të përfshirë në YouTube Partner Program. Mjeti skanon videot në të gjithë platformën për të identifikuar nëse pamja e dikujt është manipuluar ose gjeneruar nga AI. Krijuesi mund të kërkojë heqjen e videos, por për të përdorur funksionin duhet të ngarkojë:
-
një dokument identifikimi, dhe
-
një video biometrike të fytyrës.
Këto të dhëna i japin sistemit referencën e nevojshme për të zbuluar abuzimet. Ekspertët paralajmërojnë se lidhja e këtij procesi me politikat e privatësisë së Google, të cilat lejojnë përdorimin e “përmbajtjeve publike, përfshirë informacione biometrike, për trajnim të modeleve të AI”, lë një derë të hapur për keqpërdorim në të ardhmen.
Lexo edhe: Inteligjenca Artificiale mund mjekët në një sfidë të pazakontë mjekësore në Kinë
Shqetësimet e ekspertëve të privatësisë
“YouTube e paraqet këtë mjet si opsional, por kërkon domosdoshmërisht të dhëna vizuale për të funksionuar,” tha zëdhënësi i YouTube, Jack Malon. Ai theksoi se të dhënat përdoren vetëm për verifikim dhe për këtë funksion specifik të sigurisë. Por shumë ekspertë nuk janë të qetë. Dan Neely, CEO i Vermillio, paralajmëron se të dhënat biometrike në epokën e AI janë “ari strategjik”: “Pamja jote do të jetë një nga asetet më të vlefshme në epokën e AI-së. Nëse ia dorëzon atë një platforme, mund të mos e marrësh më kurrë mbrapsht.” Edhe CEO i Loti, Luke Arrigoni, shprehet i shqetësuar: “Politika aktuale krijon rrezik të madh. Në teori, dikush mund të krijojë një version sintetik të dikujt duke lidhur emrin me biometrinë.” Të dy CEO-të deklaruan se nuk do t’ua rekomandonin klientëve të tyre regjistrimin në këtë shërbim të YouTube në kushtet aktuale.
Presioni i AI dhe rritja e deepfake-ve
Shefi i produkteve për krijuesit në YouTube, Amjad Hanif, deklaroi se mjeti është dizajnuar për të funksionuar “në shkallën e YouTube”, ku ngarkohen qindra orë video çdo minutë dhe se deri në fund të janarit do të jetë i disponueshëm për më shumë se 3 milionë krijues. Rritja e shpejtë e teknologjive të gjenerimit të videove, si Google Veo 3 ose OpenAI Sora, e ka bërë shumë të thjeshtë krijimin e deepfake-ve të figurave publike. Veo 3 është trajnuar mbi një pjesë të 20 miliardë videove të YouTube, duke përfshirë edhe qindra orë të krijuesve më të njohur.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.