Miliona euro në pritje, por askush nuk aplikon, si.... - Business Magazine Albania

Miliona euro në pritje, por askush nuk aplikon, si po humb Ballkani trenin e inovacionit evropian?

Ekosistemi i start-up-eve në Ballkanin Perëndimor po zgjerohet me ritme të shpejta, por një raport i fundit i Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit (RCC) tregon një realitet që mbetet sfidues: vetëm 5.7% e tyre kanë përfituar deri më tani nga programet evropiane të financimit.

Pavarësisht potencialit të madh për inovacion dhe rritje ndërkombëtare, qasja në fondet e BE-së dhe të Institutit Evropian të Inovacionit dhe Teknologjisë (EIT) mbetet e kufizuar. Kjo, ndërkohë që interesi për programe si EIT Manufacturing, Climate KIC, EIT Health apo projektet EIT Cross-KIC është në rritje.

Disa nga përfituesit e deritanishëm janë kompani si Deltahes DOO, Traken, DIRATECH, Bifrost Bioplastics, Simple Mobile Solutions, Pillbie dhe Neofunction, të cilat kanë treguar rritje të qëndrueshme dhe ndikim konkret në treg. Nga ana tjetër, kompani si Chocolab Albania, VrapOn Taxi App dhe Orqa FPV kanë përfituar nga programe si EU4Innovation dhe Challenge Fund, duke u bërë shembuj të mirë të bashkëpunimit me BE-në.

Start-up-et: Grantet? Humbje kohe.

Në një seri intervistash me dhjetë themelues start-up-esh nga rajoni, perceptimi i përbashkët është se grantet janë të ngadalta, burokratike dhe shpesh demotivuese.
Aplikimet kërkojnë shumë dokumente, afatet e miratimit zgjasin nga 3 deri në 6 muaj, dhe proceset janë “shpesh të paqarta e të stërzgjatura”.

“Ne lëvizim me ritmin e teknologjisë, jo të administratës,” shprehet një prej themeluesve. “Kur fondet vonohen, produkti yt tashmë është i vjetruar.”

Në të kundërt, kapitali sipërmarrës (Venture Capital) shihet si një rrugë më e shpejtë dhe efektive për rritje. Marrëveshjet, sipas tyre, mbyllen brenda një muaji, ndërsa rrjetet personale dhe rekomandimet direkte zëvendësojnë plotësisht burokracinë.

Mungesa e informacionit: pengesë që i kushton shtrenjtë inovacionit

Një nga problemet më të mëdha që identifikon raporti është mungesa e njohurive për programet mbështetëse si EIT dhe EEN (Enterprise Europe Network).
Informacioni është i shpërndarë, burimet janë të vjetruara, dhe aplikimet nuk janë të përshtatura me ritmin që kërkon sipërmarrja moderne.

Për këtë arsye, shumë kompani ende mbështeten tek rrjetet informale , miq, partnerë, ose bashkëthemelues nga industria, për të gjetur mundësi bashkëpunimi apo financimi.

Ekosistem në rritje, por me “tavane” të ulëta

Raporti përfshiu 175 start-up-e nga rajoni WB6, që tregojnë një gjallëri të dukshme në inovacion: shumica drejtohen nga themelues në të 30-at, të arsimuar dhe me ide që tashmë kanë fituar terren tregtar.
Megjithatë, sfida kryesore mbetet financimi i fazave të avancuara.

Ndërsa fondet pre-seed deri në 50,000 € ndihmojnë në krijimin e produkteve të para (MVP), raundet e mëvonshme (Series A) janë pothuajse të paarritshme. Vetëm 2% e start-up-eve arrijnë fazën “scale-up”, ndërsa 81% deklarojnë se mungesa e aksesit në tregje ndërkombëtare i pengon të zgjerojnë operacionet.

Në të njëjtën kohë, teknologjitë e reja, si Inteligjenca Artificiale, Biotech dhe MedTech, po hapin fusha të reja inovacioni, megjithëse mungesa e fondeve strategjike kufizon potencialin e tyre.

Investitorët: Rajoni ka ide të mira, por mungon lidhja me botën.

Sipas raportit, 86% e investitorëve në rajon theksojnë mungesën e lidhjeve me tregjet e zhvilluara si pengesën më të madhe për rritje.
“Start-up-et janë shumë lokale, shumë të përqendruara në rajon. Na mungon vizioni global,” thuhet në raport.

Po ashtu, 73% e investitorëve mendojnë se themeluesit kanë mangësi të theksuara në menaxhim biznesi, ndërsa 60% raportojnë mungesë aftësish në marketing e shitje.
Një tjetër problem: mungesa e të dhënave të besueshme për tregjet, investimet dhe historitë e suksesit, që e bën vendimmarrjen e investitorëve edhe më të pasigurt.

Në thelb, raporti i RCC sinjalizon një realitet të dyfishtë:
Ballkani Perëndimor po rrit një brez të ri inovatorësh dhe start-up-esh ambicioze, por rruga drejt financimit dhe integrimit evropian mbetet plot pengesa burokratike.

Për të kaluar në një fazë tjetër zhvillimi, duhen politika më fleksibël, më pak letërsi dhe më shumë praktikë. Sepse, në fund, inovacioni nuk pret, ai ndodh tani.

ekofin

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0