Ai ka themeluar dhe drejton prej gati 20 vitesh një kompani ndërkombëtare në fushën e paramjekësisë. Por, axhenda e tij e ngjeshur nuk e pengon ta nisë ditën duke postuar fakte historike rreth shqiptarëve, duke nisur që nga lashtësia. Mision dhe pasion që e pasurojnë aktivitetin e sipërmarrësit shqiptar me bazë në Tokio, Micky Haxhiislami. Intermedico Japan, është kompania japoneze e shtrirë pothuajse në të gjithë botën, e cila u themelua dhe drejtohet prej tij, duke nisur nga viti 2003, kur la biznesin e administrimit të pasurive të paluajtshme në Londër. Me një përvojë në sipërmarrje mes Europës dhe Azisë ai na flet për pasionet e tij dhe na sjell perspektivën e të bërit biznes në këto dy botë të ndryshme.
Tashmë ju keni disa vite në sipërmarrje, fillimisht në Angli dhe më tej Japoni. Për një shqiptar që ka bërë këtë rrugëtim gjeografik dhe biznesor si mendoni se ndikon vendi tek të qenurit sipërmarrës?
Sipërmarrësit janë njerëz së pari dhe njerëzit ndikohen nga besimet e reja – kështu ndryshojmë dhe rritemi dhe marrim mësimet e nxjerra nga kultura ose kulturat në të cilat veprojmë.
Të marrim parasysh parimin e sipërmarrjes në përgjithësi. Në Mbretërinë e Bashkuar, ku koncepti i përmirësimit të situatës ose arritjes së suksesit vetëm nëpërmjet përpjekjeve dhe iniciativës së sipërmarrësit, pa u mbështetur në ndihmën ose burimet e jashtme, ilustron lëvizshmërinë e shoqërisë drejt “ëndrrës kapitaliste”, sipërmarrja dhe zotërimi i biznesit tuaj shihen si ndjekje shumë të dëshirueshme dhe të denja. Në vendet aziatike, ka më pak fokus te kjo gjë dhe më shumë fokus në familjen dhe komunitetin. Ndërsa sipërmarrja nuk dekurajohet në këto vende, pronarët e bizneseve duhet të marrin parasysh të mirën më të madhe të komunitetit dhe familjes kur marrin vendime dhe jo vetëm atë që mund të jetë e mirë për kompaninë. Prandaj, kur pronarët e bizneseve si unë, hapim biznese në vende të tjera, duhet të mendojmë për qëndrimet lokale ndaj sipërmarrjes dhe të përshtatim qasjet tona. Pra, një sipërmarrës britanik që hap një hotel në Vietnam nevojitet të marrë mbështetjen e komunitetit për projektin e tij përpara se të ndërtojë, në vend që të vazhdojë me planet e tij me një mendje të vetme.
Gjithashtu, qëndrimet ndaj rrezikut, të cilat shpesh përcaktohen kulturalisht, ndikojnë në perceptimet tona si sipërmarrës. Në vendet që janë më kundërshtues ndaj rrezikut, fatkeqësisht ne duhet të fokusohemi në mundësinë e dështimit në biznes, siç bëra edhe kur e hapa kompaninë time në Prishtinë, Kosovë, në fund të vitit 2019. Ndërsa në vendet që përqafojnë dhe shpërblejnë marrjen e rreziqeve, si rasti im në Londër dhe tani në Tokio, përqendrohemi më pak në frikën e dështimit – dhe vazhdojmë me idetë tona të mëdha.
Lexo edhe:7 pyetjet që ju bëjnë të kuptoni prioritetet e shefit tuaj dhe ju ndihmojnë në karrierë
Si kanë ndryshuar tek ju konceptet e sipërmarrjes me kalimin e kohës dhe me lëvizjen gjeografike?
Vendndodhja gjeografike dhe kalimi i kohës kanë ndikuar ndjeshëm në konceptet e sipërmarrjes, sidomos në krijimin, rritjen dhe ndërveprimin e saj, që ka qenë e lidhur ngushtë me këta faktorë: risia, njohuria, prodhimtaria, cilësia, komunikimet dhe vendimarjet, si dhe besimi.
RISIA – Japonia është vendi ku janë shpikur dhe komercializuar të gjitha produktet tona, d.m.th. kompresat (anglisht: patches) medicinale, ato për kujdes shëndetësor (me efekt të ftohjes dhe ngrohjes) si dhe kozmetike. Kjo ishte edhe një ndër arsyet kryesore pse unë vendosa të shpërngulem nga Londra në Tokio në vitin 2002.
NJOHURIA – Ku tjetër të mësosh më mirë se sa nga vendi ku edhe rrjedhin produktet tona. Për më shumë, unë kisha fat të bashkëpunoj që nga fillimi me vet shpikësit e këtyre produkteve. Pra, njohuria ime vinte nga vetë burimi, dora e parë. Kjo edhe na bën që të jemi më të fortë dhe të veçantë, pa marrë parasysh konkurencën e ashpër.
PRODHIMI – Edhe pse filluam me prodhimin e produktetve tona në Japoni, shumë shpejt kuptuam se sasitë minimale të porosive dhe çmimet tona ishin të pa kapshme për klientët tanë në tregun ndërkombëtar, sidomos duke marrë parasysh faktin se ishin produkte të reja. Prandaj, vendosëm ta kalojmë prodhimin në Kinë, ku fleksibiliteti ishte më i madh dhe fuqia punëtore konsiderueshëm më e lirë, çka fillimisht më krijoj mjaft komplikime, nisur nga fakti që prodhuesit në Japoni më konsideruan si person të dyshimtë, mirëpo pas ca viteve të gjithë vepruan njësoj! Ky vendim, pa dyshim ka qenë vendimi im më i mirë në karrierën time këtu në Japoni.
Cilësia – Nuk besoj se ka ndonjë vend tjetër në botë që i kushton aq shumë rëndësi kontrollit të cilësisë dhe sigurimit të cilësisë (QC & QA) të çfarëdo produkti se sa Japonia. Prandaj ndihem me fat që kisha rastin të mësoj për këto gjëra në Japoni, dhe pastaj ta pasoj këtë njohuri tek fabrikat e partnerëve tonë në Kinë, ku kam kaluar shumë kohë, në mënyrë që t’i mbikëqyr vetë këto zbatime nga vendi.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.