Meta ka njoftuar se ka emëruar ish-ekzekutivin ligjor të Microsoft, Curtis Joseph Mahoney, në postin e Chief Legal Officer.
Mahoney do të zëvendësojë drejtuesen aktuale të departamentit ligjor të Meta-s, Jennifer Newstead, e cila në dhjetor bëri të ditur largimin e saj për të marrë detyrën e General Counsel në Apple, duke nisur nga muaji mars.
Emërimi i Mahoney vjen në një moment delikat për Meta-n, e cila po përballet me një sërë padish në Shtetet e Bashkuara që lidhen me sigurinë e fëmijëve. Ndër to është edhe një çështje në zhvillim në New Mexico, ku Prokurori i Përgjithshëm i shtetit pretendon se kompania ka dështuar të mbrojë fëmijët nga abuzimi seksual dhe trafikimi i qenieve njerëzore në platforma si Facebook dhe Instagram.
“C.J. sjell ekspertizë ligjore të nivelit botëror, pasion për teknologjitë e avancuara dhe njohuri të thella mbi sfidat rregullatore globale me të cilat përballet industria jonë,” deklaroi CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg. “Pres me padurim të punojmë së bashku për të çuar përpara misionin e Meta-s për ndërtimin e së ardhmes së lidhjes njerëzore.”
Së fundmi, Mahoney mbante postin e Corporate Vice President dhe General Counsel për produktet, shërbimet dhe aspektet ligjore të daljes në treg në Microsoft. Më herët, ai ka shërbyer si Zëvendës Përfaqësues Tregtar i SHBA-së gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump. Mahoney iu bashkua Microsoft-it në vitin 2021 si Deputy General Counsel, me fokus në tregtinë ndërkombëtare dhe biznesin cloud Azure. Pak pas hyrjes në kompani, ai përfaqësoi Microsoft-in në një seancë dëgjimore të nënkomisionit për Tregtinë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, ku foli mbi iniciativat e kompanisë në Afrikë. Në vitin 2025, Mahoney u emërua General Counsel i Microsoft-it, duke marrë drejtimin e ekipeve ligjore dhe profesionale që mbështesin inxhinierinë, shitjet dhe marketingun.
Në Microsoft, Mahoney raportonte te Brad Smith, nënkryetar dhe president i kompanisë, si dhe një figurë kyçe për çështjet ligjore dhe politike. Pas skandalit të privatësisë Cambridge Analytica, Zuckerberg kishte kërkuar këshilla nga Smith, sipas një raportimi të publikuar nga The Information në vitin 2018.
“Jam i entuziazmuar t’i bashkohem Meta-s, teksa ajo udhëheq inovacionin në inteligjencën artificiale dhe vazhdon të lidhë njerëzit në mbarë botën,” u shpreh Mahoney. “Ndërsa mbyll një kapitull të jashtëzakonshëm në Microsoft dhe nis një të ri në Meta, jam mirënjohës për besimin që Mark dhe Bordi i Drejtorëve kanë treguar ndaj meje.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.