Meta prezanton “Muse Spark”, rikthimi ambicioz në garën globale të Inteligjencës Artificiale - Business Magazine Albania

Meta prezanton “Muse Spark”, rikthimi ambicioz në garën globale të Inteligjencës Artificiale

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Meta ka prezantuar modelin e ri të Inteligjencës Artificiale, Muse Spark, duke shënuar rikthimin e saj në një nga garat më të forta të teknologjisë globale. Ky është modeli i parë që kompania lançon pas një periudhe njëvjeçare dhe produkti i parë konkret i ekipit të ri të ashtuquajtur “superinteligjencë”, i krijuar për të rivalizuar emra si Google, OpenAI dhe Anthropic.

Njoftimi erdhi në një moment kritik për Meta, e cila ka investuar shuma të mëdha për të përforcuar pozicionin e saj në këtë fushë. Vetëm vitin e kaluar, kompania realizoi një marrëveshje prej 14.3 miliardë dollarësh për të afruar në ekip drejtuesin e Scale AI, Alex Wang, ndërsa për disa inxhinierë ofroi paketa kompensimi që arrinin në qindra milionë dollarë. Këto lëvizje erdhën pas zhgënjimit që shkaktuan modelet e mëparshme Llama 4, të cilat nuk arritën të përmbushnin pritshmëritë në treg.

Muse Spark është pjesë e një serie të re modelesh të zhvilluara brenda Meta-s, të njohura me emrin e brendshëm “Avocado”. Në fazën fillestare, ai do të jetë i disponueshëm vetëm në aplikacionin Meta AI dhe në versionin web, por kompania ka bërë të ditur se shumë shpejt do të zëvendësojë modelet ekzistuese që fuqizojnë chatbot-et në WhatsApp, Instagram, Facebook dhe pajisjet smart si syzet inteligjente.

Ndryshe nga qasja e mëparshme me modelet Llama, Meta këtë herë ka zgjedhur të mos bëjë publikë të gjitha detajet teknike, duke mos zbuluar madhësinë e modelit dhe duke ofruar vetëm një “private preview” për partnerë të përzgjedhur. Ky ndryshim sinjalizon një strategji më të kujdesshme dhe më konkurruese në raport me rivalët.

Lexo edhe:Pse çmimet e naftës dhe gazit mund të mbeten të larta në Europë edhe nëse lufta me Iranin përfundon

Sipas kompanisë, Muse Spark është projektuar të jetë i shpejtë dhe efikas, por njëkohësisht i aftë të përballojë pyetje komplekse në fusha si shkenca, matematika dhe shëndetësia. Megjithatë, testimet e pavarura tregojnë një performancë të përzier: modeli arrin të rivalizojë liderët në kuptimin e gjuhës dhe analizën vizuale, por mbetet pas në fusha si programimi dhe arsyetimi abstrakt.

Vetë drejtuesit e Meta-s kanë ulur pritshmëritë për këtë version të parë. Mark Zuckerberg ka theksuar se rëndësia e Muse Spark nuk qëndron vetëm te performanca aktuale, por te ritmi i zhvillimit që kompania synon të demonstrojë gjatë vitit. Ndërkohë, Alex Wang ka pranuar publikisht se modeli ka ende “skaje të papërpunuara”, duke shtuar se versione më të avancuara janë tashmë në zhvillim.

Përtej aspektit teknologjik, Meta ka dhënë sinjale të qarta për mënyrën se si synon të monetizojë këtë teknologji. Një nga drejtimet kryesore është integrimi i funksioneve të blerjes direkt brenda chatbot-it, duke e kthyer ndërveprimin me AI në një eksperiencë që lidh komunikimin me konsumimin.

Në praktikë, Muse Spark synon të bëhet një asistent i përditshëm për përdoruesit, duke ndihmuar në detyra konkrete si vlerësimi i kalorive nga një foto apo simulimi vizual i objekteve në një ambient real. Një veçori e veçantë është “Contemplating Mode”, e cila përdor disa agjentë njëkohësisht për të rritur kapacitetin e arsyetimit, duke mundësuar për shembull planifikimin e një udhëtimi familjar me ndarje të detyrave mes agjentëve.

Me më shumë se 3.5 miliardë përdorues në platformat e saj, Meta po baston se integrimi i inteligjencës artificiale në aktivitetet e përditshme do të rrisë angazhimin dhe do t’i japë një avantazh të fortë konkurrues në treg. Muse Spark nuk është thjesht një produkt i ri, por një sinjal i qartë se kompania po kërkon të rikthehet seriozisht në vijën e parë të inovacionit global në AI.

REUTERS

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0