Meta nën hetim në Itali për chatbot-in AI në WhatsApp - Business Magazine Albania

Meta nën hetim në Itali për chatbot-in AI në WhatsApp

Meta nën hetim në Itali për chatbot-in AI në WhatsApp

Autoriteti italian i konkurrencës njoftoi të mërkurën se ka nisur një hetim ndaj kompanisë Meta Platforms, me dyshimin se ajo ka abuzuar me pozitën e saj dominuese në treg duke integruar mjetin e inteligjencës artificiale në aplikacionin WhatsApp pa pëlqimin e përdoruesve.

Sipas autoritetit, veprimet e Meta mund të përbëjnë shkelje të rregullave të konkurrencës të Bashkimit Evropian, pasi mund të dëmtojnë konkurrentët dhe të kufizojnë zgjedhjet e përdoruesve. Kompania nga ana e saj deklaroi se po bashkëpunon me autoritetin në Romë dhe se shërbimi i saj i AI-së sjell përfitime për konsumatorët. “Ofrojmë akses falas në funksionalitetet e AI-së në WhatsApp për t’u dhënë miliona italianëve mundësinë të përdorin teknologjinë në një mjedis që ata e njohin, e besojnë dhe e kuptojnë”, tha një zëdhënës i Meta në një deklaratë me email. Autoriteti italian i konkurrencës, i njohur si AGCM, theksoi se po vepron “në bashkëpunim të ngushtë me zyrat përkatëse të Komisionit Evropian”.

Lexo edhe:Themeluesi i YouTube ngre alarmin: Videot e shkurtra dëmtojnë fëmijët

Meta AI, një asistent virtual i bazuar në inteligjencën artificiale që ofron përgjigje të ngjashme me chatbot-et dhe funksione asistence, është bërë pjesë e ndërfaqes së WhatsApp që prej marsit të vitit 2025. Sipas autoritetit, ky asistent është integruar në shiritin e kërkimit të aplikacionit. Sipas AGCM, përfshirja e këtij funksioni mund të ndikojë në mënyrë të padrejtë në sjelljen e përdoruesve, duke i orientuar ata drejt shërbimeve të AI-së të Meta-s, dhe potencialisht të dëmtojë konkurrentët, duke i “fiksuar” përdoruesit brenda platformës. “Duke e lidhur Meta AI me WhatsApp-in, Meta duket se po e përdor bazën e saj të madhe të përdoruesve për të hyrë në një treg të ri, jo përmes konkurrencës së ndershme, por duke ‘detyruar’ përdoruesit të pranojnë dy shërbime të ndryshme të lidhura mes tyre, në dëm të konkurrentëve,” thuhet në deklaratën e autoritetit. Sipas rregullave të Bashkimit Evropian për konkurrencën, kompanitë që abuzojnë me pozitën e tyre dominuese në treg mund të përballen me gjoba deri në 10% të xhiros së tyre globale. AGCM bëri të ditur gjithashtu se inspektorët e saj, me ndihmën e njësisë speciale të policisë financiare italiane për çështjet e konkurrencës, kanë kryer kontrolle në zyrat e degës italiane të Meta-s.

reuters

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0