Bashkimi Evropian është i përgatitur të vendosë masat më të ashpra tregtare ndonjëherë, përfshirë edhe taksa ndaj kompanive digjitale amerikane, nëse dështojnë përpjekjet për marrëveshje me presidentin Donald Trump rreth tarifave kundër Evropës. Në një intervistë për Financial Times, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se BE-ja po kërkon një marrëveshje të drejtë dhe të balancuar me Uashingtonin, gjatë një periudhe 90-ditore që Trump ka shpallur si “pauzë” në zbatimin e tarifave të reja.
Por ajo paralajmëroi se nëse bisedimet dështojnë, BE-ja është e gatshme të përshkallëzojë përplasjen tregtare me SHBA-të, duke përfshirë edhe një taksë ndaj të ardhurave nga reklamat digjitale – një goditje direkte ndaj gjigantëve si Meta, Google dhe Facebook. “Ne po përgatitim masa hakmarrëse,” deklaroi von der Leyen, duke sqaruar se për herë të parë mund të përdoret instrumenti anti-shtrëngues i BE-së, i cili synon eksportet e shërbimeve. “Ka një spektër të gjerë masash që mund të marrim, nëse negociatat nuk rezultojnë të kënaqshme.”
Ajo shtoi se një nga opsionet në shqyrtim është vendosja e tarifave për tregtinë e shërbimeve BE–SHBA, duke përmendur konkretisht një taksë të re mbi të ardhurat nga reklamat digjitale, një masë që do të aplikohej në të gjithë tregun e vetëm evropian dhe që dallon nga taksat digjitale aktuale të vendosura në mënyrë të fragmentuar nga shtetet anëtare.
Von der Leyen e përshkroi ofensivën tregtare të administratës Trump si një “pikë kthese për tregtinë globale”.
Lexo edhe: Nga vizion në veprim, si Evropa po punon që të kthehet në superfuqinë botërore të AI-së
“Është një moment vendimtar në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Ne nuk do të kthehemi më në status quo-në e mëparshme,” tha ajo. “Nuk ka fitues në këtë situatë – vetëm humbës. Po përballemi me koston reale të kaosit dhe pasigurisë.” Për të ruajtur hapësirë për dialog, Komisioni Evropian vendosi të shtyjë masat e planifikuara hakmarrëse ndaj tarifave amerikane për çelikun dhe aluminin,masa që do të preknin rreth 21 miliardë euro importe nga SHBA, përfshirë produkte si mishi i shpendëve, lëngu i portokallit dhe jahtet. Megjithatë, von der Leyen bëri të qartë se BE-ja është e vendosur të mbrojë rregullat e saj për përmbajtjen digjitale dhe konkurrencën në treg, të cilat administrata Trump i ka kritikuar si pengesë për kompanitë teknologjike amerikane. Në rast se negociatat përfundojnë pa sukses, masat hakmarrëse të BE-së do të riaktivizohen automatikisht.
Burimi: Financial Times/ Përshtati: Businessmag.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.