Mbyllet me sukses sezoni i parë i Klubit të Librit "Bytes & Books" - Business Magazine Albania

Mbyllet me sukses sezoni i parë i Klubit të Librit “Bytes & Books”

Mbyllet me sukses sezoni i parë i Klubit të Librit "Bytes & Books"

Takimi i fundit i sezonit për klubin e librit “Bytes & Books” u zhvillua mbrëmjen e 9 korrikut në Tiranë, duke përmbyllur një cikël diskutimesh ku libri bëhet pikënisje për debat të thelluar dhe reflektim strategjik. Këtë herë, vëmendja ishte përqendruar tek një prej librave më të rëndësishëm të kohës moderne në fushën e teknologjisë dhe politikës globale: “Lufta për Çipin” nga autori Chris Miller.

Atmosfera e takimit ishte e gjallë dhe e mbushur me energji, ku pjesëmarrës të fushave të ndryshme,  nga teknologjia, biznesi, ekonomia e deri tek politika – sollën këndvështrime të ndryshme mbi temën e nxehtë që trajton libri: gara globale për dominimin e mikroçipeve. Libri i Miller zbulon se kush kontrollon çipat, kontrollon ekonominë, ushtrinë dhe madje edhe politikën globale. Diskutimi u shtri përtej faqes së librit, në analiza të thella mbi marrëdhëniet SHBA-Kinë, sfidat e zinxhirëve të furnizimit dhe rolin gjithnjë e më strategjik të Tajvanit në ekonominë botërore.

Pjesëmarrësit e klubit nuk ngurruan të lidhin temat globale me realitetin shqiptar, duke sjellë pyetje të natyrshme si: “Çfarë do të thotë kjo luftë për vendet e vogla si Shqipëria?” Apo: “A mund të pozicionohemi ndryshe në këtë realitet të ri teknologjik?” U theksua nevoja për të ndërtuar kapacitete vendore në teknologji, për të stimuluar kërkimin dhe për të mbështetur iniciativat që lidhin Shqipërinë me rrjetet globale të inovacionit.

Lexo edhe:Kur teknologjia bëhet përgjegjësi! Rruga e Endri Matajt drejt suksesit në New York

Një nga bashkëthemeluesit e “Bytes & Books”, Geron Kamberi, e përmblodhi bukur qëllimin e këtij takimi: “Ky libër nuk është vetëm një histori për çipat. Është një paralajmërim për të gjithë ne që duam të jemi pjesë e së ardhmes dhe të kuptojmë se ku po shkon bota.” Ai shtoi se ky takim ishte kulmi i një sezoni ku librat nuk ishin thjesht për t’u lexuar, por për t’u kuptuar dhe diskutuar në thellësi.

Pas diskutimit, të ftuarit patën mundësi të rrjetëzohen, të shkëmbejnë ide e kontakte, duke kthyer çdo takim në një platformë ku lindin bashkëpunime të reja. Kjo qasje e veçantë është ajo që ka bërë “Bytes & Books” një prej nismave më interesante në kryeqytet për komunitetin e profesionistëve që duan të qëndrojnë përpara kohës.

Me këtë takim, sezoni i tretë i klubit mbyllet, por njëkohësisht hapet rruga për projekte të reja, libra të guximshëm dhe diskutime që sfidojnë mendimin konvencional.

Për lexuesit e BusinessMag.al, kjo nismë është më shumë se një klub libri, është një laborator mendimi, ku fjala dhe dija kthehen në mjete për të kuptuar botën dhe për të vepruar në të.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0