Mblidhet Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Ja cilat janë 4 vendimet e miratuara - Business Magazine Albania

Mblidhet Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Ja cilat janë 4 vendimet e miratuara

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë

Në mbledhjen e datës 1 shtator 2021, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2021

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji “Për Bankën e Shqipërisë”.

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Depozitat dhe kreditë u rritën, cilësia e kredisë u përmirësua ndjeshëm dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar. Përmirësimi i situatës shëndetësore mbështeti një rigjallërim të shpejtë të aktivitetit ekonomik. Përvoja e kësaj periudhe, tregon se përshpejtimi i procesit të vaksinimit mbetet i rëndësishëm për të zbutur pasiguritë që ecuria e pandemisë ende ruan mbi zhvillimet e ardhshme ekonomike dhe financiare. Njëherazi, këto pasiguri evidentojnë nevojën që politikat ekonomike, financiare dhe prudenciale të ruajnë elementët e fleksibilitetit për të reaguar në rast nevoje. Për sektorin bankar, mbetet aktuale rëndësia e vlerësimit të rregullt të shkallës së ekspozimit ndaj rreziqeve, dhe e ruajtjes së një qëndrimi proaktiv në drejtim të marrjes së masave për zbutjen dhe përballimin e tyre. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar.

Lexoni: Sejko: po përmirësohet ritmi i rritjes ekonomike

Ndër treguesit kryesorë të veprimtarisë bankare, raporti evidenton përmirësimin e cilësisë së kredisë, ku raporti i kredive me probleme ka rënë gjatë periudhës me 1 pikë përqindje, në nivelin 7.12%.

  • Miratimin e disa ndryshime në rregulloret “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare” dhe “Për funksionimin e regjistrit të kredive në Bankën e Shqipërisë, si dhe kushtet dhe procedurat për njohjen, përdorimin dhe rishikimin e të dhënave që administrohen në të”

Ndryshimet në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare” synojnë të sigurojnë praktika të drejta në treg, në lidhje me nivelin e normave të interesit, si dhe të kamatëvonesave dhe penaliteteve të aplikuara, sidomos nga subjektet jobanka, për produktet e kredisë konsumatore.

Për rrjedhojë, disa ndryshime u realizuan edhe në rregulloren “Për funksionimin e regjistrit të kredive në Bankën e Shqipërisë, si dhe kushtet dhe procedurat për njohjen, përdorimin dhe rishikimin e të dhënave që administrohen në të” në përputhje me ndryshimet e sipërpërmendura.

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Për raportin neto të financimit të qëndrueshëm të bankave”

Nëpërmjet këtyre ndryshimeve, rregullorja pasurohet me dy anekse të reja që përmbajnë format e raportimit dhe udhëzuesit shpjegues për plotësimin e tyre, të cilët do të shërbejnë për përllogaritjen e treguesit dhe raportimin e tyre në Bankën e Shqipërisë në sistemin ERRS. Ndryshimet gjithashtu parashikojnë vendosjen e një kufiri minimal të raportit neto të financimit të qëndrueshëm prej 100%, edhe për totalin e monedhave të huaja të rëndësishme, në konsistencë me të njëjtën kërkesë të parashikuar për raportin e mbulimit me likuiditet, por edhe për treguesin tradicional të likuiditetit.

  • Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Për raportin e mbulimit me likuiditet”

Ky ndryshim konsiston në rishikimin e përkufizimit të konceptit “monedhë e rëndësishme”, në përputhje me ndryshimet rregullative të BE-së të vitit 2019, të parashikuara në dispozitat e rregullores europiane 2019/876/EU (CRR2).

Lexoni: Pësojnë rënie yield-et e bonove të thesarit gjatë muajve të verës

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0