Sezoni i financimeve në Evropë pritet të rifillojë fuqishëm pas pushimeve verore dhe, nëse ecuria vijon kështu, pritet që dhjetëra kompani të reja të hyjnë në klubin e “unicornëve” gjatë këtij viti. Edhe pse raundet gjigante nuk janë më aq të zakonshme sa në vitin 2021, vetëm gjashtë muajt e parë të vitit 2025 kanë sjellë 12 startup-e evropiane me vlerësim mbi 1 miliard dollarë.
Kjo jo vetëm që tregon ritmin e tregut, por edhe sektorët më të “nxehtë” për investitorët: nga bioteknologjia dhe teknologjitë e mbrojtjes, deri te inteligjenca artificiale dhe kompjuterët kuantikë.
Startup-et e reja evropiane që u bënë “unicorn” në 2025
Shtator 2025
-
IQM (Finlandë)
Startup-i i kompjuterëve kuantikë IQM u bë unicorn pasi siguroi mbi 300 milionë dollarë në një raund Series B, duke çuar totalin e financimeve në 600 milionë. Sipas CEO-së Jan Goetz, kompania ka shitur më shumë kompjuterë kuantikë në mbarë botën sesa çdo tjetër dhe po përgatitet të prezantojë sistemet e para me 150 qubits. -
Framer (Holandë)
Platforma “no-code” për krijimin e faqeve të internetit arriti një vlerësim prej 2 miliardë dollarësh pas një Series D prej 100 milionësh. Themeluesit Koen Bok dhe Jorn van Dijk, të cilët më parë kishin shitur një studio dizajni te Facebook, synojnë tani të fuqizojnë strategjinë e tyre për ndërmarrjet dhe AI.
Korrik 2025
-
Lovable (Suedi)
Startup-i i inteligjencës artificiale për “vibe-coding” arriti një vlerësim prej 1.8 miliardë dollarësh vetëm 8 muaj pas themelimit, pas një Series A prej 200 milionësh të udhëhequr nga Accel. Edhe pse është i regjistruar në Delaware, shumica e stafit ndodhet në Stokholm. -
Fuse Energy (Mbretëria e Bashkuar)
Kompania e energjisë së rinovueshme, e themeluar nga dy ish-drejtues të Revolut, siguroi një raund financimi që e vlerësoi mbi 1 miliard dollarë.
Lexo edhe: Europa, gjiganti i dobët! Pse kontinenti nuk po ngrihet në lartësinë e kohës
Qershor 2025
-
Mubi (Mbretëria e Bashkuar)
Platforma e filmave indie dhe art-house, e themeluar në 2007, u bë unicorn pas një raundi prej 100 milionësh të udhëhequr nga Sequoia Capital. Përveç transmetimit, Mubi tashmë prodhon dhe shpërndan filma. -
Zama (Francë)
Startup-i i enkriptimit homomorfik u vlerësua mbi 1 miliard dollarë pas një Series B prej 57 milionësh. -
Isar Aerospace (Gjermani)
Spin-off i Universitetit Teknik të Mynihut, Isar Aerospace u bë unicorn në qershor pas një marrëveshjeje për një obligacion konvertues prej 150 milionë eurosh. Universiteti tani numëron 22 startup-e unicorn.
Maj 2025
-
Tekever (Portugali)
Startup-i i dronëve me përdorim të dyfishtë siguroi një vlerësim mbi 1 miliard £. Kompania është mbështetur nga fondet ndërkombëtare dhe NATO Innovation Fund dhe ka plane për të investuar 400 milionë £ në zhvillim në Mbretërinë e Bashkuar. -
Quantum Systems (Gjermani)
Startup-i gjerman i dronëve autonomë dhe AI arriti statusin unicorn pas një Series C prej 160 milionë eurosh, të udhëhequr nga Balderton Capital dhe investitorë si Airbus, Porsche dhe Peter Thiel. -
Parloa (Gjermani)
Platforma e AI-së konversacionale për shërbimin ndaj klientit mori 120 milionë dollarë Series C, duke arritur vlerësim 1 miliard dollarë, vetëm dy vite pas Series A.
Mars 2025
-
Isomorphic Labs (Mbretëria e Bashkuar)
Spin-off i DeepMind në fushën e zbulimit të barnave me AI, tërhoqi 600 milionë dollarë nga Thrive Capital, GV dhe Alphabet. Megjithëse vlerësimi nuk u bë publik, shuma e investimit e vendos kompaninë qartë në kategorinë unicorn.
Shkurt 2025
-
Tines (Irlandë)
Startup-i i automatizimit të punës me AI u vlerësua në 1.125 miliardë dollarë pas një Series C prej 125 milionësh. Fillimisht i fokusuar te siguria kibernetike, Tines tani përdoret gjerësisht në infrastrukturë, inxhinieri dhe produkt.
Janar 2025
-
Verdiva Bio (Mbretëria e Bashkuar)
Bioteknologjia londineze e fokusuar në ilaçe të ngjashme me Ozempic dhe Wegovy u bë unicorn që në raundin e parë publik: një Series A prej 410 milionësh. -
Neko Health (Suedi)
Startup-i i shëndetit parandalues, bashkëthemeluar nga Daniel Ek i Spotify, arriti një vlerësim prej 1.8 miliardë dollarësh pas një Series B prej 260 milionësh. Neko Health ofron skanime të plota të trupit për zbulim të hershëm të sëmundjeve dhe planifikon zgjerim global në SHBA.
Çfarë nënkupton ky trend?
Viti 2025 ka treguar se Evropa po ruan një ritëm të lartë në krijimin e kompanive unicorn, pavarësisht sfidave ekonomike. AI, bioteknologjia, teknologjitë e mbrojtjes dhe energjia e gjelbër po tërheqin më së shumti kapital, duke konfirmuar prirjet globale. Nëse ky ritëm vazhdon, Europa mund të mbyllë vitin me dhjetëra startup-e të reja miliardëshe.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto