Luftë për superinteligjencën, OpenAI refuzon ofertat marramendëse të Zuckerberg - Business Magazine Albania

Luftë për superinteligjencën, OpenAI refuzon ofertat marramendëse të Zuckerberg

Rain AI drejt shitjes? Startup-i i mbështetur nga Sam Altman përballet me krizë

Meta, nën drejtimin e Mark Zuckerberg, është futur në një ofensivë agresive rekrutimi, në përpjekje për të ndërtuar një ekip të ri për superinteligjencën artificiale, duke synuar emrat më të njohur të fushës nga laboratorë rivalë si OpenAI dhe Google DeepMind. Për të joshur këta talente drejt një grupi të udhëhequr nga ish-CEO i Scale AI, Alexandr Wang dhe për t’i ulur fizikisht pranë tavolinës së Zuckerberg, Meta ka ofruar paketa kompensimi që kapin vlerën marramendëse prej mbi 100 milionë dollarë. Por duket se, për momentin, përpjekjet nuk po japin fryt. Këto përpjekje u konfirmuan nga vetë CEO i OpenAI, Sam Altman, gjatë një podkasti me vëllain e tij Jack Altman, të publikuar të martën. Altman nuk kurseu as ironinë ndaj rivalëve, duke shtuar se pavarësisht ofertave gjigante, askush nga “njerëzit më të mirë” të OpenAI nuk ka pranuar të largohet.

“Meta ka nisur t’u bëjë disa oferta të jashtëzakonshme shumë prej anëtarëve të ekipit tonë,” tha Altman. “Fjala është për bonuse nënshkrimi prej 100 milionë dollarësh apo më shumë në kompensim vjetor. Jam vërtet i lumtur që, të paktën deri tani, asnjë nga njerëzit tanë më të mirë nuk ka pranuar.”

Sipas tij, punonjësit e OpenAI besojnë se kompania e tyre ka më shumë gjasa ta arrijë inteligjencën e përgjithshme artificiale (AGI) dhe mund të bëhet më e vlefshme në të ardhmen. Altman shtoi se një kulturë pune që mbështetet vetëm te kompensimi, dhe jo te misioni, nuk është receta për sukses afatgjatë.

Lexo edhe: Meta sjell më në fund reklamat në WhatsApp!

Meta ka tentuar, thuhet, të rekrutojë edhe figura kyçe si Noam Brown nga OpenAI dhe Koray Kavukcuoglu nga Google, por pa rezultat.

Altman theksoi se kultura inovative e OpenAI ka qenë çelësi i suksesit të saj dhe sugjeroi se përpjekjet e tanishme të Meta-s për të ndërtuar kapacitete në AI nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme. “E respektoj shumë çka ka bërë Meta,” tha ai, “por nuk mendoj se janë një kompani që spikat për inovacion.”

Ndërsa Meta përpiqet të forcojë laboratorin e saj të ri të superinteligjencës, konkurenca nuk po rri duarkryq. OpenAI, Anthropic dhe Google DeepMind janë tashmë në vrap të plotë. Meta, ndërkohë, ka investuar së fundmi në Scale AI dhe ka rekrutuar figura si Jack Rae nga Google DeepMind dhe Johan Schalkwyk nga Sesame AI – por beteja është larg së përfunduari.

Sam Altman zbuloi gjithashtu disa plane të reja që mund të sfidojnë drejtpërdrejt Meta-n: një rrjet social të fuqizuar nga AI që i ofron përdoruesve një feed të personalizuar sipas interesave të tyre, ndryshe nga algoritmet klasike të platformave ekzistuese.

OpenAI thuhet se po punon tashmë në një aplikacion të tillë, ndërsa Meta eksperimenton me opsionin e vet përmes aplikacionit Meta AI, i cili, sipas raportimeve, ka ngjallur konfuzion dhe ka shpërndarë biseda tejet personale me përdoruesit.

A do të funksionojnë rrjetet sociale të drejtuara nga AI? Kjo mbetet për t’u parë. Por një gjë është e qartë: gara për talentin më të mirë në AI ka hyrë në një fazë të nxehtë dhe përplasja Altman-Zuckerberg sapo ka nisur.

Techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

✨ Thënia e ditës
“Nuk ka rëndësi se sa ngadalë ecën, sa kohë që nuk ndalesh.”
— Konfuci
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0