Kompania e inteligjencës artificiale Scale AI është në përfundim të një oferte të brendshme që u jep mundësi punonjësve dhe investitorëve të hershëm të shesin aksionet e tyre tek investitorë të rinj ose ekzistues. Marrëveshja, e cila sipas burimeve do të finalizohet më 1 qershor “nëse nuk ndodh ndonjë e papritur”, e vlerëson kompaninë në 25 miliardë dollarë. Kjo përfaqëson një rritje prej 80% krahasuar me majin e kaluar, kur kompania grumbulloi 1 miliard dollarë në një vlerësim prej 13.8 miliardësh. Ky vlerësim i ri ka bërë që Lucy Guo, bashkëthemeluesja 30-vjeçare e Scale AI, të shpallet gruaja më e re self -made miliardere në botë. Ajo ka kaluar edhe yllin e muzikës Taylor Swift, e cila mbante këtë titull që nga fundi i vitit 2023.
Guo, e cila hoqi dorë nga studimet në informatikë për t’iu përkushtuar sipërmarrjes, themeloi Scale AI në vitin 2016 së bashku me Alexandr Wang, atëherë vetëm 19 vjeç. Wang u bë CEO, ndërsa Guo drejtoi ekipet e operacioneve dhe dizajnit të produktit. Të dy u përfshinë në listën Forbes Under 30 në vitin 2018, por më vonë ajo u largua nga kompania pas një mosmarrëveshjeje mbi drejtimin e saj. “Patëm një mendim ndryshe, por jam krenare për atë që Scale AI ka arritur”, tha Guo në një deklaratë. Pavarësisht largimit, ajo ruajti shumicën e aksioneve të saj në kompani. Sot, zotëron rreth 5% të aksioneve, me vlerë gati 1.2 miliardë dollarë. E pyetur nëse po shet ndonjë pjesë të aksioneve në ofertën aktuale, Guo nuk komentoi. Përfshirë edhe pasuritë e saj të tjera, si startup-i i dytë Passes, pasuria e saj vlerësohet në 1.25 miliardë dollarë. “Nuk mendoj shumë për këtë, është paksa e çmendur. Për fat të keq, e gjitha është në letër haha,” tha ajo në një mesazh tekst. Rritja e vlerës së Scale ka ndikuar edhe në pasurinë e Alexandr Wang, i cili tani vlerësohet në rreth 3.6 miliardë dollarë.
Lexo edhe: Gallup: Punonjësit shqiptarë punojnë më shumë, por vuajnë mirëqenien mendore
Guo është një nga vetëm gjashtë miliarderet self -made nën moshën 40 vjeç në mbarë botën, dhe e vetmja që ka ndërtuar pasurinë e saj kryesisht nga një kompani të cilën e ka lënë vite më parë. Ajo, vajza e prindërve emigrantë nga Kina, u rrit në zonën e San Francisco Bay dhe nisi programimin që në shkollën e mesme. Pas studimeve në Carnegie Mellon University, të cilat i ndërpreu për të marrë pjesë në programin Thiel Fellowship, ajo nisi karrierën në Quora si dizajnere produkti dhe më pas në Snapchat, para se të bashkëthemelonte Scale AI. Kompania u specializua në etiketimin e të dhënave të nevojshme për trajnimin e inteligjencës artificiale, duke nisur me imazhet për makinat me drejtim autonom. Më vonë, klientët përfshinë edhe qeverinë amerikane për analizimin e imazheve satelitore në Ukrainë dhe OpenAI për trajnimin e ChatGPT. Pas largimit nga Scale, Guo krijoi një fond investimi të quajtur Backend Capital, ku investoi në kompani të reja. Një nga investimet më të suksesshme ishte te kompania Ramp, e cila sot vlerësohet në 13 miliardë dollarë. Në vitin 2022, ajo themeloi startup-in e saj të ri Passes, një platformë për krijuesit dhe të famshmit për t’u lidhur me fansat e tyre. Platforma bashkëpunon me emra si Olivia Dunne, Shaquille O’Neal dhe Kygo. Guo arriti të siguronte 50 milionë dollarë financim nga investitorë të njohur dhe kompania tani vlerësohet në 150 milionë dollarë. Megjithatë, Passes është përballur kohët e fundit me një sfidë ligjore. Në mars u ngrit një padi që e akuzonte platformën për përmbajtje të papërshtatshme. Si reagim, Passes ndaloi menjëherë të gjithë krijuesit e mitur dhe fshiu përmbajtjen përkatëse. Një zëdhënës i kompanisë deklaroi se akuzat janë të pabaza dhe se Passes nuk ka aprovuar apo lejuar publikimin e një materiali të tillë. Përtej biznesit, Guo është e apasionuar pas palestrës. Ajo është shumë aktive në Barry’s Bootcamp, ku në prill postoi një foto për të festuar 3,000 seancat e përfunduara. Gjithashtu, është një ndjekëse e rregullt e festivaleve muzikore si Coachella dhe Ultra Music Festival. Fundjavën e fundit, ajo organizoi një festë të madhe në kuadër të Coachella, ku morën pjesë mijëra njerëz. “Mijëra RSVPs. Shumë e çmendur,” tha ajo përmes një mesazhi nga Los Angeles.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.