Nga Eni Muça
Në një botë ku inovacioni dhe qëllimi ndryshojnë lojën, historia e sipërmarrësit të biçikletave elektrike, Sadi Lika, na ofron një dritë shpresë dhe frymëzim për të gjithë ata që dëshirojnë të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të bëjnë ndryshime pozitive. Sadi e nisi me shërbimin postar me biçikleta, kur të gjithë rendnin drejt motorrëve. Por, ai shkoi më tej, duke u angazhuar në programe të ndryshme, deri sa solli biçikletat elektrike. Kjo intervistë jep një pamje të thellë në rrugën drejt suksesit të kompanisë “LikSad e-Bike” dhe ofron këshilla të vlefshme për ata që duan të ndjekin rrugën e sipërmarrjes dhe inovacionit.
Në fillim të aventurës suaj në fushën e biçikletave elektrike, a keni parashikuar që do të arrini suksesin dhe ndikimin që keni sot? Cilat momente apo sfida janë më të veçantat në rrugën tuaj drejt suksesit?
Në fillim isha i vendosur 100% për të realizuar atë që kisha planifikuar. Ndërkohë që nuk kisha nisur aktivitetin, por po përgatisja investimin u ndesha me shumë kundërshtime dhe opinione negative nga trajnierë/mentorë biznesi, të cilët argumentonin që ky biznes nuk do të funksionojë. Opinionet e tyre nuk ndikuan në vendimarrjen time, por shërbyen si pika kyçe për t’u trajtuar me kujdes gjatë ushtrimit të veprimtarisë. Ndaj planifikimeve fillestare ka patur devijime në terma përshtatjesh dhe përmirësimi të eksperiencës së klientit, kjo punë është pasyqruar me rritje të biznesit 50 – 100 % nga viti në vit.
2.Cilat janë zhvillimet më të fundit në kompaninë tuaj, “LikSad”? Çfarë projektesh apo aktivitetesh interesante po punoni aktualisht?
Këtë vit ne kemi kryer investimin më të madh në kompani, ku flotës së biçikletave elektrike i janë shtuar modele të reja. Këto modele janë”fjala” e fundit e teknologjisë të cilat sigurojnë eksperiencën më të mirë të mundshme gjatë pedalimit dhe kualitetin maksimal.
Këtë vit po ashtu ne kemi zhvilluar Audioturs për disa qytete të Shqipërisë, ku përmes këtyre guidave dixhitale dhe përdorimit te biçikletave tona elektrike, vizitorët mund të zbulojnë pikat kyçe turistike të qyteteve.
Industria e transportit është gjithmonë në ndryshim, veçanërisht me zhvillimin e teknologjisë së makinave elektrike. Si mendoni se do të ndryshojë roli i biçikletave elektrike në transportin urban në të ardhmen, dhe si do të përshtateni me këto ndryshime?
Biçikletat elektrike janë mjete transporti, të cilat ndihmojnë në lëvizjen urbane shpejt, pa lodhje fizike dhe pa shpenzuar shumë. Fokusi ynë nuk është transporti, ne promovojmë eksperiencën e pedalimit të 1st Class luxury e-bikes. Gjatë pedalimit të këtyre biçikletave, adrenalina dhe ndjesia e lirisë janë dy elementet ku bazohet modeli ynë i biznesit.
Lexo edhe:Risitë në “Startop”/ Audioguidë me biçikletë, “Nobo”, trajnim biznesi e kodimi dhe agjenci kreative
Në një botë që ndryshon shpejt, planifikimi për të ardhmen është thelbësor. Cilat janë planet tuaja për të ardhmen e afërt? A ka projekte të reja që mund të ndani me ne?
Struktura jonë e biznesit është shumë fleksibël dhe përshtatet menjeherë ndaj nevojës së klientit, bazuar në kërkesat e tyre, ne veprojmë. Në një të ardhme të afërt ne do të synojmë nxitjen e përdorimit të audiotureve.
Për shumë njerëz, ju jeni një shembull i frytshëm i sipërmarrjes dhe ndryshimit pozitiv. Çfarë këshillash keni për ata që dëshirojnë të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të krijojnë diçka të re dhe inovative si ju?
Së pari, nëpërmjet kësaj interviste dua të falenderoj dhe të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj kujdo që ka besuar në vizionin tim dhe më ka mbështetur. Ka qenë detyrimi im moral të bëja maksimumin, të pamundurën të mundur, dhe të provoja të kundërtën aty ku të tjerët nuk besonin, por e dija që fitorja do na bëjë krenarë së bashku. Ndaj, për asnjë moment nuk e kam ndalur ritmin, përpjekjen dhe punën për të arritur ato që kam premtuar të bëj.
Këshilla ime është e thjeshtë: lër mënjanë justifikimet dhe fokusohu në realizimin e ëndërrave të tua për disa vite dhe do jetosh pjesën tjetër të jetës si kampion!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.