Ligji i ri për Fondet e Pensionit Privat, ja çfarë risie sjell - Business Magazine Albania

Ligji i ri për Fondet e Pensionit Privat, ja çfarë risie sjell

Hyn në fuqi ligji i ri për Fondet e Pensionit Privat

Hyri në fuqi ligji i ri “Për fondet e pensionit privat”, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Përmbajtja e tij parashikonte hyrjen në fuqi 15 ditë pas publikimit. Pritet të sjellë rritje të ndjeshme të incentivave fiskale për kontributet në fondet private të pensioneve. Me ligjin e mëparshëm, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore mbi kontributet në pensione private, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.

Sipas ligjit të ri, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor do të rritet deri në nivelin e pagës minimale të miratuar, që aktualisht ka arritur në 40 mijë lekë në muaj. Duke qenë se përjashtimi nga taksat lidhet me nivelin e pagës minimale, pritet që ky stimul të rritet edhe më shumë vitet e ardhshme. Me nivelin aktual të pagës minimale, shuma e kontributeve e përjashtuar nga tatimet, sot do të arrinte në 480 mijë lekë në vit ose 140% më shumë, krahasuar me pragun aktual prej 200 mijë lekësh.

Lexo edhe:A i keni menduar pensionet private?! Ja si funksionon skema e tyre. Intervistë me Elvis Ponari

Edhe kontributet e pensionet private të derdhura nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit do të përjashtohen nga tatimi në të njëjtën masë. Gjithashtu, ligji parashikon që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vite e jo në mënyrë të menjëhershme, pas përmbushjes së kushteve ligjore për përfitimin e pensionit privat. Në rast tërheqjeje të parakohshme të fondit të pensionit (përpara përmbushjes së kushteve ligjore), vlera e tërhequr do të tatohet e gjitha me normën ligjore të tatimit mbi të ardhurat (15%, sipas ligjit aktual).

Për herë të parë, ligji sjell  edhe një formë të re të fondit privat të pensionit, atij me pjesëmarrje të mbyllur. Fondi i këtij lloji mund të krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë, bashkime sindikatash apo shoqatë, në cilësinë e sponsorit.

Ky fond është i ngjashëm me skemat profesionale të pensioneve që aktualisht aplikohen nga disa kompani, por ndryshimi është se në fondet e mbyllura, pjesëmarrja ligjërisht është e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të mësipërme.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se numri total i anëtarëve në fondet e pensionit privat në mesin e këtij viti, arriti në 37 mijë e 594 anëtarë. Numri i anëtarëve të fondeve është zgjeruar me 3% ose 1 mijë e 76 anëtarë që nga fillimi i vitit. Me rritjen e qëndrueshme të viteve të fundit, depërtimi i pensioneve private dhe vlera e aseteve për çdo anëtar mbeten modeste. Më pak se 3% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve, sot kontribuojnë për pension privat në pleqëri. Vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit në mesin e këtij viti arriti në 6.19 miliardë lekë, në rritje me 8.6% që nga fillimi i vitit e me 20.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0