Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo së bashku me ministrin e Financave, Petrit Malaj, prezantuan ditën e sotme reformën e re të taksës mbi pronën në Shqipëri, një hap që synon të forcojë të ardhurat lokale dhe të përmirësojë shërbimet për qytetarët.
“Është një ditë e rëndësishme për bashkitë në vend, sepse taksa e pasurisë është instrumenti kryesor për rritjen e të ardhurave lokale. Më vjen mirë që kjo nismë ka motivuar të gjithë për ta vënë në jetë,” deklaroi ministri Demo. Ai shtoi se reformimi i taksës do të shoqërohet me një hartë që do të sigurojë shërbime më të mira për qytetarët.
Ndërsa ministri i Financave, Petrit Malaj, e konsideroi projektin ‘ProTax Albania’ një hap drejt një taksimi më të drejtë dhe më efikas të pronës.
“E nisëm rrugëtimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar, më pas me Agjencinë suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim nisëm zbatimin e projektit, për të garantuar taksën e pronës bazuar në vlerën e tregut dhe për ta kthyer në burimin kryesor të të ardhurave për bashkitë. Krijuam edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Taksës si dhe Kadastrën Fiskale. U deshën gati 7 vite, por procesi ishte shumë kompleks sepse u vështirësua me tërmetin, pandeminë e deri sa arritëm në këtë stad.” – tha Malaj.
Lexo edhe: BE synon bioekonominë për rritje konkurruese, si mund të përfitojë Shqipëria
Taksa e Pasurisë, e cila ka kaluar të gjitha fazat e konsultimit publik shumë shpejt do t’i dërgohet për miratim Këshillit të Ministrave. Aplikimi i ligjit të ri do të nisë zbatimin në 2028 për ndërtesat dhe në vitin 2030 për truallin.
Bashkitë do të jenë përgjegjëse për mbledhjen e taksës, çka nënkupton se deri në vitin e ardhshëm të gjitha bashkitë duhet të jenë të regjistruara në Kadastrën Fiskale. Vlerësimi i pronave do të realizohet në vitin 2027, para hyrjes në fuqi të ligjit të ri në vitin 2028.
Kjo reformë shënon një përpjekje të rëndësishme për të modernizuar taksimin mbi pronën dhe për të fuqizuar autonominë financiare të bashkive në Shqipëri, duke e lidhur direkt me përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.