Çfarë ndodh kur mbetjet nuk trajtohen më si fundi i zinxhirit, por si fillimi i një përgjegjësie të re? Episodi i katërt i podcastit për Ekonominë e Gjelbër vendos në qendër një nga zhvillimet më të rëndësishme ligjore të viteve të fundit: Ligjin e Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit (PZP).
Ky nuk është një diskutim teknik për juristë. Është një debat i drejtpërdrejtë për biznesin, për kostot, për inovacionin dhe për mënyrën si do të funksionojë tregu në vitet që vijnë.
Në studio, Konalsi Gjoka nga “EcoDes” dhe Drini Zusi nga “INCA” zbërthejnë çfarë ndryshon realisht me PZP-në. Nga hierarkia e re e trajtimit të mbetjeve, te detyrimi për regjistrim, raportim dhe organizim të skemave të mbledhjes e riciklimit. Episodi shpjegon qartë se si përgjegjësia zhvendoset tek prodhuesi, importuesi dhe tregtari.
Ky episod trajton pyetjen që çdo sipërmarrës po bën sot: a është ky ligj një barrë shtesë apo një mundësi e re tregu? Do të kuptoni si funksionojnë tarifat mbi paketimet, si ndikojnë ato në strukturën e kostos dhe pse ky presion financiar mund të kthehet në shtysë për ridizajnim produktesh, paketime më të lehta, më të riciklueshme dhe më konkurruese.
Episodi sjell edhe zërin e industrisë së riciklimit, me sipërmarrës si Bardhyl Baltëza dhe Vullnet Haka, të cilët e shohin PZP-në si instrument stabiliteti dhe zgjerimi tregu. Për ta, çdo shishe dhe çdo kavanoz përfaqëson jo vetëm mbetje, por lëndë të parë, investim dhe punësim.
Lexo edhe: Njihuni me mbretëreshat e ekonomisë së gjelbër, ups, me fitueset e çmimit “Green Queens”
Çfarë do të mësoni konkretisht?
Do të kuptoni si do të krijohen shoqëritë që menaxhojnë skemat e përgjegjësisë së zgjeruar. Si do të organizohet bashkëpunimi mes biznesit dhe pushtetit vendor. Si mund të ndikojë ky ligj në çmimet, në konkurrencën dhe në strukturën e tregut. Dhe pse transparenca dhe raportimi i saktë do të bëhen pjesë e pandashme e operimit të çdo kompanie që hedh produkte në treg.
Ky ligj nuk është i izoluar. Ai harmonizon legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimi Evropian dhe lidhet drejtpërdrejt me detyrimet e Kapitullit 27 të negociatave për anëtarësim. Në këtë kuptim, PZP-ja nuk është vetëm reformë mjedisore; është hap drejt një ekonomie qarkulluese më të integruar, më transparente dhe më konkurruese.
Episodi i katërt mbyll ciklin e serisë, duke e çuar diskutimin nga praktika lokale dhe iniciativat private tek korniza ligjore që do të strukturojë gjithë sistemin. Të katër episodet janë realizuar me mbështetjen e Bashkimi Evropian përmes projektit EU4Green Gen, një nismë që synon të forcojë kapacitetet dhe të nxisë praktikat e qëndrueshme në Shqipëri.
Nëse doni të kuptoni si një ligj mund të riformatojë mënyrën si prodhojmë, shesim dhe konsumojmë, ky është episodi që duhet ndjekur. Sepse përgjegjësia nuk është më opsion. Është model biznesi!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto