Libroteka është një platformë e krijuar së fundmi me qëllimin për t’i ardhur në ndihmë lexuesit shqiptar i cili kërkon të lexojë në mënyrë digjitale dhe në gjuhën shqipe. Libroteka është lehtësisht e aksesueshme online dhe pa pagesë këtu. Por për idenë e krijimit dhe mënyrën e funksionimit ne kemi bërë një intervistë me ideatorin e saj Leandro Aliaj:
Si erdhi ideja e krijimit të Libroteka?
Iniciativa për të krijuar një platformë si Libroteka nisi rreth 3 vite më parë në zyrat e Ketri Web, një kompani zhvillimi dhe Web dizajni ku krijohen projekte të shumta inovative për bizneset. Nga dëshira për të nxitur leximin e librave në gjuhën shqipe lindi edhe Libroteka. Me këtë projekt është punuar për gati 3 vite nga skuadra jonë e programueseve.
Cili është misioni i saj? Kë synon të ndihmojë Libroteka?
Misioni ynë është të kontribuojmë në rritjen e leximit të librave në epokën digjitale dhe të bëjmë të mundur që çdo shqipfolës kudo në botë, të lexojë shqip. Falë Librotekës, lexuesi mund të aksesojë libra të ndryshëm në gjuhën shqipe, duke përfshirë edhe tekstet shkollore të aksesueshme për të gjithë. Ne i vijmë në ndihmë edhe shqiptarëve të Diasporës të cilët e kanë të pamundur të blejnë librin më të ri të autorit të tyre të preferuar që sapo është lançuar në treg.
Lexo: Kroacia gati t’i bashkohet eurozonës . Komisioni Europian jep “dritën jeshile”
Cili është elementi inovativ i Libroteka?
Libroteka vjen si një treg i ri dhe i pari në Shqipëri dedikuar krejtësisht librave elektronikë. Ato vijnë në formatet: PDF, ePUB dhe web. Si në asnjë platformë tjetër të ngjashme, në Libroteka vetë autorët apo shtëpitë botuese, përmes krijimit të një llogarie, mund të ngarkojnë vetë librat e tyre dhe t’i nxjerrin për shitje. Ndërsa libër-dashësit mund të regjistrohen në të njëjtën mënyrë dhe të blejnë librat e preferuar përmes PayPal, ashtu siç bëjnë edhe me blerje të tjera online. Një e veçantë e Librotekës është leximi i librit brenda platformës pa patur nevojë të shkarkohet (formati web, i lartëpërmendur).
A është e vështirë të kesh një startup në Shqipëri, specifikisht në industrinë tuaj? A ka qenë e vështirë për të krijuar skuadrën e duhur e cila do të punonte me projektin?
Projekti në vetvete, nga ana e zhvillimit teknik ka patur sfidat e veta, por si kompani programimi e specializuar në platforma të personalizuara, ja kemi dalë pa shumë vështirësi. Pavarësisht se interesi për librin digjital ka qenë relativisht i madh si nga ana e shtëpive botuese ashtu edhe nga shkrimtarët, herë pas here kemi hasur sfida në prezantimin e këtij tregu të ri për shitjen e librave. Pyetjet për mënyrën se si funksionojnë librat digjital dhe platforma në tërësi, kanë qënë të shumta. Ka patur edhe nga ata autorë të cilët i druhen një platforme e cila funksionon krejtësisht online dhe kjo është mëse e kuptueshme. Gjithashtu, jemi munduar t’u japim atyre më shumë siguri në mbrojtjen e librave të tyre digjital. Në të ardhmen, do të implementojmë mënyra akoma më të avancuara siç është edhe ‘DRM’, pra të drejtat e pronësisë interektuale mbi librat digjital.
Si ka qenë përgjigjia e audiencës deri tanimë?
Përgjatë 2 muajve të fundit kemi patur kontakte të përditshme me shtëpi botuese, autorë dhe përkthyes. Kemi bërë sondazhe dhe telefonata të shumta për të pyetur mbi interesin që ata kanë për librin digjital dhe përgjigjet që kemi marrë, na kanë shtyrë të punojmë akoma më fort për të çuar këtë biznes para. Pjesa më e madhe e personave në këto kategori kanë qenë mjaft pozitiv dhe kanë kërkuar të dinë se si funksionon Libroteka. Disa autorë na janë bashkuar menjëherë duke na dërguar disa nga botimet e tyre për t’i shitur tek Libroteka. Ne jemi vazhdimisht në kontakt me ta dhe presim të rrisim bashkëpunimet edhe me shtëpitë botuese shqiptare.
Lexo: 3 aftësi lidershipi që kërkohen kur bëni një intervistë
Cila është audienca që synoni? Si keni menduar të arrini tek ata?
Ne synojmë të rrisim bashkëpunimet tona me sa më shumë shtëpi botuese, autorë dhe përkthyes shqiptarë që duan të shtrihen në një treg të ri për shitjen e librave të tyre. Kontaktet me ta deri tani i kemi patur përmes telefonatave, takimeve dhe rrjeteve sociale ku jemi çdo ditë aktivë. Edhe pse sapo jemi lançuar, duket se dalëngadalë po krijojmë network-un tonë dhe komunitetin tonë online.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Vizioni i së ardhmes së Librotekës është i thjeshtë. Ne kemi qëllim të rritemi dhe të jemi lider të industrisë së librave digjitalë në Shqipëri. Synojmë të jemi zgjedhja e parë e libër dashësëve të cilët mbështeten tek Libroteka për blerjen e librave digjitalë. Duam që Libroteka të njihet për përfitimet e saj pasi nuk ka kufizime kohore apo gjeografike. Të gjithë mund të shesin/blejnë libra digjitalë në gjuhën shqipe kudo dhe kurdo, në vetëm pak klikime.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.