Nga Bill Carmody
Founder and CEO, @BillCarmody
Është shkruar shpesh dhe shumë për Steve Jobs. Ai vijëzoi një rrugë në të cilën shumë sipërmarrës aspirojnë të ndjekin sipas mënyrës së tyre.
Një miku im, Pankaj Sharma, ekspert i medias sociale dhe sipërmarrjes më dërgoi një link video ku Steve Jobs drejtonte çdo 3 muaj një mbledhje në vitin 1985 në formën e një “Retreat” (termi në shqip mungon), në kohën kur ai ndërtoi kompaninë NeXT. Është mjaft interesante të shikosh një djalosh 30 vjeçar sipërmarrës në momentet kur ai sapo kishte humbur kontrollin nga Apple dhe po kërkonte të lançonte aventurën e tij të rradhës me disa nga anëtarët e tij besnikë të skuadrës.
Përveç se në këtë video mund të shikojmë Steve në fillimet e tij duke motivuar ekipin e tij, është interesante të vështrosh se si Jobs provonte…
të njëjtat probleme që hasin të gjithë sipëemarrësit. Edhe pse me një vizion të qartë të asaj që kërkonte të bënte, duhej të përballej me realitetin e buxheteve të kufizuara, afatet të pa-arsyeshme, stafi i pamjaftueshëm dhe çdo problem tjetër logjistik i cili shoqëron fillesat e një kompanie nga asgjëja.
Në video mund të merrni një shije sfidash të përbashkëta dhe të kuptoni se të gjithëve na duhet të përballemi me sfida të ngjashme kur jemi duke u përpjekr të ndërtojmë një biznes të suksesshëm nga hiçi.
Mësimet që nxjerrim nga Steve Jobs për të drejtuar mbledhje që të jenë efektive
- Trego pasion. Liderët që flasin me pasion gjithmonë e frymëzojnë stafin e tyre me idetë që shprehin dhe arrijnë të marrin më të mirën prej tyre. Njerëzit tuaj e kërkojnë këtë orientim dhe inspirim nga ju. Pasioni juaj duhet ti japë energji ekipit tuaj dhe t’i inkurajojë ata që të japin më të mirën e tyre. Nëse ju do të shfaqeni të lodhur dhe të pasigurtë, do të transmetoni efektin e kundërt të asaj që po përpiqeni të bëni: motivoni dhe frymëzoni ekipin tuaj i cili do ju ndihmojë të rriteni dhe të arrini objektivin tuaj.
- Mendoni ndryshe – “Think Diferent”. Kjo nuk është veç një slogan i Apple, është një filozofi korporate të cilën duhet ta adaptojmë të gjithë në mbledhjet tona. Ndihmoni stafin tuaj të përdorin imagjinatën dhe të mendojnë përtej kufijve të problemit të cilin po përpiqeni të zgjidhni. Inkurajojini ata të jenë më krijues duke shkuar përtej opsioneve të qarta që kanë identifikuar – sidomos gjatë seancave të gjenerimit të ideve (Brainstorming).
- Sfidoni idetë. Mos i pranoni idetë si fakte të mirëqena. Kundërshtojini ato, bëni pyetje dhe provokoni që njerëzit tuaj të nxjerrin më të mirën e tyre. A janë të bindur për idenë e tyre? Nëse po, atëherë zbuloni sa pasion fshihet pas idesë së tyre. Nëse ata janë të bindur së ajo që mbështesin është gjëja e duhur për të bërë, atëherë ata duhet ta çojnë më tej idenë e tyre. Nuk ka nevojë të tregoheni tepër kritik apo cinik, veç sigurohuni që ideja e tyre ka një bazë. Nëse nuk ka, ndihmojini ata të identifikojnë boshllëqet dhe jepini hapësirë të zgjidhin problemin (edhe nëse ju e keni aktualisht një përgjigje për të).
- Flisni gjithmonë për NE. Punoni në mënyrë që secili anëtarr i ekipit të ndihet pjesë e së gjithës asaj që jeni duke bërë. Askush nuk dëshiron të ndihet i anashkaluar apo i lënë mënjanë në një diskutim. Është e rëndësishme të përforconi idenë se çdokush në organizatën tuaj të luajë një rol vital dhe askush nuk duhet të heqë dorë nga ato që beson. Nëse zëri i dikujt nuk po dëgjohet, atëherë kjo do të thotë se ekziston mundësia që ju nuk e keni të gjithë informacionin e nevojshem për të marrë një vendim inteligjent biznesi.
- Tregohuni të qartë! Ndërsa është e rëndësishme të dëgjoni secilin në ekipin tuaj, ekziston një linjë ndarëse mes të dëgjuarit dhe përcaktimit të qartë të qëllimeve dhe objektivave. Vendosni prioritete kështu që secili të jetë në të njëjtin hap dhe të largohet nga mbledhja me një fokus të qartë se çfarë do të realizojë kompania, në cilat afate kohore dhe të gjithë të kenë njohuri mbi çdo parameter specifik që duhet ndjekur.
- Fokusi tek Qëllimi. Bashkëbisedimi dhe debati i shëndetshëm janë të kuptueshëm, por mos lejoni qe diskutimi të dalë nga rrjedha e duhur. Si lider, ju duhet ta dini kur duhet ndërhyrë nëse bisedat po shkojnë në drejtimin e gabuar dhe ta ktheni diskutimin me fokusin në qëllimin për të cilin jeni mbledhur për të arritur rezultatin e dëshiruar.
- Vlerësoni dhe Njihni Merita. Disa nga gjërat më të rëndësishme të cilat ekipi juaj kërkon është ti njihni meritat dhe ti vlerësoni. Sigurohuni që të theksoni këndvështrimet pozitive dhe mësimet kyçe që dolën nga mbledhja dhe njihini meritat secilit anëtar të ekipit për kontributin e tyre. Stafi juaj do të respektojë faktin që ju gjetët kohën për ti falenderuar për pikëpamjet e tyre dhe kjo do të shërbejë për mbledhjet e ardhshme.
- Caktoni Detyra! Sigurohuni që gjithmonë kur të mbyllni mbledhjet të keni përcaktuar detyra për zbatim me afatet përkatëse. Sa më specifik të tregoheni, aq më të shumta shanset që detyrat e përcaktuara do të zbatohen. Për ta përforcuar këtë pritshmëri, kur të filloni mbledhjen e rradhës, kryeni një përmbledhje të detyrave që vendosët në mbledhjen e kaluar. Kështu edhe do të mund të monitoroni progresin dhe të jë siguroheni që jeni në orientimin e duhur.
Pra, ashtu si edhe Steve Jobs thotë në video, “Është një ndjesi e papërshkrueshme të dish se ti mund të mbjellësh farën e një ideje dhe të dish se ajo do të rritet dhe do të ndryshojë botën sadopak.”
Pra, të drejtoni mbledhje në mënyrë efektive bën të mundur se pasioni që ndajmë do të frymëzojë gjithë stafin tonë për të ndihmuar që vizioni ynë do të bëhet realitet. Ndaj, vazhdoni të inspironi. Vazhdoni të bëni atë që dini të bëni më mirë në botë dhe të gjithë do të mund të përfitojnë nga vizioni juaj unik.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.