Ditën e djeshme, Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar seancën dëgjimore me një pjesë të kandidatëve që kanë aplikuar për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ndërsa në garë janë 20 kandidatë për të fituar statusin e anëtarit të Këshillit mbikëqyrës, mes tyre edhe 3 nga anëtarët aktualë që kërkojnë një mandat të dytë.
Në seancën e djeshme u prezantuan kandidatët: Adela Karapici, Arben Zibri, Aleksandër Çavo, Eni Xheko, Frosela Filo, Erjona Bejleri, Fatmira Kola, Emis Çerava dhe Matilda Shehu. 9 kandidatët që u paraqitën këtë të hënë theksuan rolin e Bankës Qendrore në ekonomi, mbrojtjen e konsumatorëve, përdorimin e inteligjencës artificiale për të përforcuar mbikëqyrjen, si dhe nxitjen e kreditimit. Ata vlerësuan gjithashtu sjelljen e deritanishme të bankës në kursin e këmbimit. Në fokus të të gjithë kandidatëve që kërkuan besimin për të hyrë në Këshillin Mbikëqyrës ishte edhe ruajtja e pavarësisë së institucionit.
Në garë janë gjithashtu edhe tre anëtarët aktualë, të cilëve u ka përfunduar mandati: Luljeta Minxhozi, Violeta Staka dhe Artan Hoxha.
Ndër kandidatët që kanë shprehur interes për këto pozicione përfshihen ish-zëvendësministrja e Financave Erjona Bejleri, profesori Selami Xhepa, si dhe Frosela Filo, Fatmira Kola, Ingrid Konomi, Merita Bejtja, Emis Çerava, Adela Karapici, Matilda Shehu, Arben Zibri, Eni Xheko, Pajtim Melani, Sajmir Murataj, Liljana Mamadhaj, Elton Korbi, Aleksandër Çavo dhe ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
Lexo edhe: Uji më i shtrenjtë se kafeja? Rritje 30% e çmimeve në bare
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, mandati i të cilit përfundoi në dhjetor të vitit të kaluar nuk mund të marrë më vendime, derisa të zgjidhen anëtarët e rinj.
Sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, pesë prej anëtarëve propozohen nga Kuvendi, tre nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga vetë Këshilli Mbikëqyrës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.