Kush është Igli Tafa, njeriu i sigurisë kibernetike që merr drejtimin... - Business Magazine Albania

Kush është Igli Tafa, njeriu i sigurisë kibernetike që merr drejtimin e AKSHI-t?

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka një drejtues të ri. Mirlinda Karçanaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i Drejtoreshës së Përgjithshme, ndërsa në krye të institucionit është emëruar Prof. Asoc. Dr. Igli Tafa, një nga emrat më të njohur në fushën e sigurisë kibernetike në vend.

Lexo gjithashtu: Igli Tafa zgjidhet drejtor i ri i AKSHI-t

Karçanaj kishte deleguar më herët detyrën tek Romina Kostani dhe ndodhet aktualisht në “arrest shtëpie” me vendim të GJKKO-së. Ajo është nën hetim nga SPAK për akuzën “shkelje e barazisë në tendera”. Më 16 dhjetor 2025, me urdhër të SPAK, u lëshuan 8 masa sigurie për zyrtarë të AKSHI-t, në kuadër të hetimeve për abuzime me tendera.

Në një moment delikat për institucionin kyç të transformimit digjital në vend, drejtimi i AKSHI-t i besohet një profili teknik dhe akademik, me përvojë të gjatë në sigurinë e informacionit.

Lexo gjithashtu: Igli Tafa: Ja sa % e sulmeve kibernetike janë si rezultat i gabimeve njerëzore

Po kush është Igli Tafa, njeriu i sigurisë kibernetike që merr drejtimin e AKSHI-t?

Igli Tafa, i lindur në Tiranë më 16 qershor 1979, është një nga ekspertët më të spikatur shqiptarë në fushën e rrjeteve dhe sigurisë së informacionit. I diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës në inxhinieri rrjeti dhe siguri informacioni, ai ndërtoi një karrierë që ndërthur akademinë me menaxhimin strategjik të sigurisë kibernetike.

Në vitin 2013 përfundoi doktoraturën në Sistemet e Virtualizimit në Shkencat Kompjuterike, ndërsa gjatë viteve ka siguruar një sërë certifikimesh ndërkombëtare në fushën e sigurisë së informacionit. Për më shumë se 16 vite, Tafa ka qenë pjesë e botës akademike si lektor në Universitetin Politeknik të Tiranës, duke kontribuar në formimin e brezave të rinj të specialistëve të IT-së.

Nga auditorët universitarë në arkitekturën e sigurisë kombëtare

Që prej tetorit 2022, Igli Tafa ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), njëkohësisht Koordinator Kombëtar për Sigurinë Kibernetike. Në këtë rol, ai ka qenë një nga figurat qendrore në ndërtimin e arkitekturës së re të mbrojtjes digjitale të Shqipërisë.

Nën drejtimin e tij, Shqipëria u rendit ndër vendet e para që adoptuan direktivën europiane NIS2, duke harmonizuar legjislacionin dhe standardet me Bashkimin Europian në fushën e sigurisë së rrjeteve dhe sistemeve të informacionit.

Një tjetër arritje e rëndësishme ishte anëtarësimi i Shqipërisë, në maj 2023, në iniciativën globale Counter Ransomware Initiative (CRI) të drejtuar nga SHBA, që synon forcimin e kapaciteteve kundër sulmeve ransomware. Gjatë mandatit të tij, AKSK ka intensifikuar bashkëpunimin me partnerë strategjikë si Departamenti Amerikan i Shtetit, NATO, OSBE dhe OKB, si dhe ka ndërtuar ura të forta bashkëpunimi me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Një nga shtyllat kryesore të drejtimit të Tafës ka qenë ngritja e strukturave të specializuara për reagim në kohë reale ndaj kërcënimeve kibernetike. Ai ka promovuar ndërtimin e ekipeve të trajnuara, mekanizmave të shkëmbimit të informacionit dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit me sektorin publik dhe privat, duke synuar krijimin e një ekosistemi të integruar sigurie.

Me një profil teknik, akademik dhe institucional, Tafa përfaqëson një model drejtuesi të fokusuar te standardet, politikat dhe arkitektura e mbrojtjes digjitale.

Sfida e re, nga siguria kibernetike te transformimi digjital

Emërimi i Igli Tafës në krye të AKSHI-t vjen në një periudhë kur besueshmëria dhe transparenca e institucionit janë në fokus publik. AKSHI është institucioni kyç për digjitalizimin e shërbimeve publike dhe menaxhimin e infrastrukturës shtetërore të informacionit.

Për një ekspert të sigurisë kibernetike, sfida tashmë shtrihet përtej mbrojtjes nga sulmet, ajo përfshin garantimin e integritetit, transparencës dhe eficiencës në një nga sektorët më strategjikë të shtetit.

Me përvojën në ndërtimin e strukturave të forta dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, Igli Tafa hyn në këtë detyrë me pritshmëri të larta, për të forcuar jo vetëm muret mbrojtëse digjitale të Shqipërisë, por edhe besimin publik në institucionet që menaxhojnë transformimin teknologjik të vendit.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
✨ Thënia e ditës
“Ti jeton vetëm një herë, por nëse jeton ashtu si duhet, edhe një herë mjafton.”
— Mae Uest
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0