Nga Adelina Onuzi
Kur rrënjët thërrasin, përgjigjja shpesh vjen në formën e një misioni dhe për themeluesen e Albquest, ky mision ishte i qartë, të krijojë një urë mes fëmijëve shqiptarë të diasporës dhe gjuhës e kulturës së tyre. Kjo platformë unike po rindërton përkatësinë, me mjete moderne, dashuri për gjuhën dhe një qasje gjithëpërfshirëse ndaj edukimit. Në këtë intervistë zbulojmë se çfarë e shtyu Kleida Peçulaj-n të ndërtojë Albquest-in, sfidat, emocionet dhe ëndrrën e saj për të krijuar një komunitet që nuk njeh distancë.
Çfarë e solli Albquest dhe çfarë boshllëku ndjeve se ekzistonte që të frymëzoi për ta krijuar?
Në vitin 2023, pasi përfundova studimet në Moskë, vendosa që të zhvendosem në Tiranë. Mundësitë e para që mu dhanë ishin të mira, por të jem e sinqertë nuk më përmbushnin. Aty kuptova që ishte koha të përpiqesha për të ndryshuar ca gjëra për veten time. U futa në mendime dhe duke pasur nga njëra anë sigurinë që ma krijoi përvoja ime në mësimdhënie, nga ana tjetër besim te njohuritë e mia dhe te përgatitja ime akademike, vendosa të themeloj Albquest-in, platformën e parë që u dedikohet fëmijëve shqiptarë të Diasporës. Duke jetuar dhe vetë jashtë dhe duke pasur kontakte dhe me shqiptarë atje, e kam prekur nga afër nevojën , që njeriu ka të flasi dhe të jete I lidhur me gjuhën e tij amtare, si dhe me bashkëkomba ë tij.
Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, çfarë rrezikon të humbasë një fëmijë shqiptar që rritet larg atdheut pa pasur kontakt me gjuhën dhe kulturën e tij?
Një fëmijë shqiptar që rritet larg atdheut dhe nuk ka kontakt me gjuhën e tij amtare dhe kulturën kombëtare rrezikon të humbasë ndjenjën e përkatësisë, të shkëputet nga rrënjët familjare dhe trashëgimia kulturore. Mungesa e gjuhës pengon komunikimin me gjyshërit dhe të afërmit, ndërsa mosnjohja e historisë dhe traditave e bën më të vështirë krijimin e një identiteti të plotë. Në këtë mënyrë, fëmija humbet një pjesë thelbësore të vetvetes që ndihmon në formimin e tij personal dhe social.
Albquest synon të mësojë gjuhën shqipe, por çfarë tjetër mëson një fëmijë përmes kësaj platforme që nuk lidhet vetëm me fjalët, por me ndjesinë e përkatësisë?
Albquest është një platformë që, përveç mësimit të gjuhës shqipe, synon të kultivojë ndjenjën e përkatësisë sic dhe e pë rmenda dhe të ruajë pasurinë e dialekteve të gjuhës sonë. Filozofia e Albquest është gjithëpërfshirëse dhe jo standardizuese, duke vlerësuar rëndësinë e dialekteve si pjesë thelbësore e identitetit kulturor dhe personal të çdo individi.
Platforma inkurajon nxënësit të mësojnë gjuhën standarde, por njëkohësisht u jep lirinë të shprehen në të folmen e zonës së tyre, sepse kjo ë shtë një pasuri. Askush nga ne nuk ka pse të ndrydhet , se flet në dialekt dhe mendoj se ka ardhur koha dhe t’ja kultivojmë shoqërisë sonë këtë gjë. Kjo qasje i ndihmon në forcimin e lidhjes me rrënjët familjare dhe kulturore, duke promovuar një mjedis ku diversiteti gjuhësor vlerësohet dhe respektohet.
Kjo bën që Albquest-i të mos jetë thjesht një platformë për mësimin e gjuhës, por një hapësirë ku nxënësit ndihen të lirë të shprehin identitetin e tyre të plotë duke kontribuar kë shtu në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë gjuhësore dhe kulturore.
Cilat janë disa nga metodat moderne të mësimdhënies që përdorni, dhe si arrini t’i bëni fëmijët që jetojnë larg Shqipërisë të ndihen pjesë e një bote shqiptare digjitale?
Albquest përdor metoda moderne të mësimdhënies, duke integruar lojën dhe ndërveprimin për të bërë procesin e të nxënit sa më tërheqës dhe efektiv. Përmes aktiviteteve artistike dhe letrare, fëmijët inkurajohen të shprehin veten dhe të zhvillojnë kreativitetin e tyre. Kjo qasje jo vetëm që ndihmon në mësimin e gjuhës shqipe, por edhe në forcimin e lidhjes së tyre me kulturën dhe identitetin shqiptar.
Duke krijuar një mjedis digjital gjithëpërfshirës, Albquest ua mundëson fëmijëve që jetojnë larg Shqipërisë të ndihen pjesë e një komuniteti shqiptar virtual, duke ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e tyre kulturore.
Sa e vështirë është të ndërtosh një platformë për një publik kaq të veçantë, ku sfidat janë si gjuhësore, kulturore, ashtu edhe teknologjike?
Ndërtimi i platformës për mua s’ka qenë i vështirë. Ua kam besuar ndërtimin dhe dizajnimin e Albquest-it profesionistëve të fushave përkatëse, të cilët e kanë “përkthyer” idenë dhe vizionin tim më së miri. Për më tepër, pandemia ka normalizuar gjithashtu të mësuarit online, ndaj nga kjo pjesë nuk kam hasur vështirësi. Përkundrazi, prindërit shprehen të kë naqur, sepse u mundësuar që fëmijët të mësojnë nga rehatia e shtëpisë së tyre, çka i kursen kohë dhe krijon besim, gjë që për mua është një plus shumë i madh.
Çfarë roli luan komuniteti shqiptar i diasporës në suksesin e kësaj nisme? A janë prindërit një hallkë vendimtare në këtë zinxhir mësimor?
Albquest-i është një platformë e krijuar për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve shqiptarë të Diasporës rrjedhimisht mbështetja e tyre është shumë e rëndësishme për ecurinë, suksesin dhe rritjen e saj.
Prindërit gjithashtu janë një hallkë shumë vendimtare për ne, në këtë proçes , pasi ata luajnë dhe rolin e ndërmjetësitë mes nesh dhe vogëlushëve të tyre , duke ndikuar pozitivisht në përfshirjen dhe përfimtiin e të dyja palëve.
Përtej misionit, “Albquest” a pritet të jetë një biznes i mirëfilltë që siguron të ardhura dhe të jep mundësinë t’i përkushtohesh si një punë me kohë të plotë?
Përtej misionit, “Albquest” ka për qëllim të bëhet një biznes i qëndrueshëm që siguron të ardhura dhe ofron mundësinë për t’u përkushtuar plotësisht si një punë me kohë të plotë. Qëllimi im është që platforma të zgjerohet dhe të krijojë mundësinë për të investuar më shumë kohë dhe burime në zhvillimin e saj. Ky proces do të sjellë dhe zgjerimin e stafit,si dhe pasurimin e shërbimeve që ofrohen, duke bërë që platforma të evoluojë dhe të arrijë tek më shumë fëmijë shqiptarë të diasporës. Përmes një qasjeje dinamike dhe inovative, synoj të ofrojmë një mundësi të pasur për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, duke krijuar një model që jo vetëm mbështet, por dhe zhvillon edukimin e fëmijëve në një mjedis online të përshtatshëm.
Çfarë emocioni ke përjetuar kur ke parë reagimin e parë të fëmijëve ose prindërve që janë përfshirë në Albquest? A ka ndonjë moment të paharruar?
Kur kam parë reagimin e parë të fëmijëve dhe prindërve që janë përfshirë në Albquest, jam gëzuar. Ka pasur një interes shumë të madh dhe shumë prej tyre kanë nisur regjistrimet dhe kanë filluar klasat e para, të cilat për momentin janë individuale. Komente pozitive dhe mbështetja e vazhdueshme që merr nga prindërit dhe ish-nxënësit e mi janë një motivim i madh për mua. Këto reagime më bëjnë të ndihem shumë mirë dhe më shtyjnë të vazhdoj përpara. Deri tani, nuk mund të veçoj një moment të veçantë, sepse çdo hap i vogël dhe çdo sukses i platformës është një moment i mirë për mua.
Si e imagjinon të ardhmen e Albquest? A do të shndërrohet në një komunitet më të gjerë me aktivitete, udhëtime kulturore apo takime fizike?
Mendoj se shumë shpejt Albquest do jetë i njohur në komunitetet shqiptare në mbarë botën. Në axhendën tonë do të ketë shumë akivitete, takime , por edhe shumë bashkëpunime kryesisht me nisma të reja që janë themeluar në Shqipëri këto dy vitet e fundit. Kaq mund të zbuloj për momentin.
Nëse do të mund të shpjegoje me një fjali të vetme thelbin e Albquest për një fëmijë që nuk flet mirë shqip, çfarë do t’i thoje?
Eja të mësojmë dhe të argëtohemi në Albquest!
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.