Kryeministri suedez pranon se përdor ChatGPT dhe ndez polemika kombëtare - Business Magazine Albania

Kryeministri suedez pranon se përdor ChatGPT dhe ndez polemika kombëtare

Deklarata e kryeministrit suedez, Ulf Kristersson, se përdor ChatGPT për të gjeneruar ide dhe për të marrë një “opinion të dytë” mbi drejtimin e vendit, ka shkaktuar polemika në Suedi. Komentet e tij erdhën të njëjtën javë kur OpenAI njoftoi se do të ofrojë chatbot-in e saj në mbarë administratën federale amerikane.

Kristersson i tha gazetës Dagens Industri se përdor si ChatGPT, ashtu edhe shërbimin francez LeChat, dhe se edhe kolegët e tij i shfrytëzojnë mjetet e inteligjencës artificiale (AI) në punën e përditshme.

“E përdor shpesh, qoftë edhe vetëm për të marrë një opinion të dytë. ‘Çfarë kanë bërë të tjerët? Dhe a duhet të mendojmë krejt të kundërtën?’ – janë disa prej pyetjeve që bëj,” tha ai.

Por deklarata u prit me kritika nga ata që argumentuan se qytetarët kanë zgjedhur Kristersson-in, jo ChatGPT-në, për të udhëhequr vendin. Ekspertët e teknologjisë në Suedi paralajmëruan për rreziqet e mbështetjes së politikanëve tek AI, për shkak të mundësisë së marrjes së informacionit të pasaktë ose të njëanshëm, duke kujtuar se modelet gjuhësore të mëdha mund të “hallucinojnë” apo të krijojnë përgjigje të gabuara.

Lexo edhe: Siguria në epokën wireless, Kamala Harris ndez debat mbi sigurinë e kufjeve pa tela

Një tjetër shqetësim lidhet me përdorimin e informacionit të ndjeshëm shtetëror, që mund të përfundojë duke trajnuar versione të ardhshme të ChatGPT-së, serverët e së cilës ndodhen në SHBA. Megjithatë, zëdhënësi i Kristersson-it, Tom Samuelsson, i hodhi poshtë këto frikëra:

“Sigurisht që nuk bëhet fjalë për informacione të ndjeshme nga pikëpamja e sigurisë. Përdoret më shumë si një panel diskutimi,” tha ai për Aftonbladet.

Jo rasti i parë
Nuk është hera e parë që një politikan kritikohet për përdorimin e AI-së. Vitin e kaluar, deputeti socialdemokrat Olle Thorell përdori ChatGPT për të hartuar 180 pyetje zyrtare për ministrat, duke shkaktuar pakënaqësi për mbingarkimin e administratës.

Në Mbretërinë e Bashkuar, ministri i teknologjisë Peter Kyle u vu nën lupë pasi kërkoi nga ChatGPT analiza mbi ngadalësinë e adoptimit të AI-së në bizneset britanike dhe sugjerime për podkaste ku duhej të shfaqej.

Disa politikanë janë më transparentë: deputeti skocez Graham Leadbitter ka pranuar publikisht se e përdor AI-në për të përgatitur fjalime, por thekson se gjithmonë ai vendos për përmbajtjen, burimet dhe verifikon produktin final.

Ndërkohë, në vitin 2024, Komisioni Evropian prezantoi GPT@EC – një mjet gjenerues AI për hartimin dhe përmbledhjen e dokumenteve, fillimisht në fazë testimi.

ChatGPT hyn në administratën amerikane
Këtë javë, OpenAI njoftoi një marrëveshje me qeverinë amerikane për t’i ofruar gjithë punonjësve federalë akses në ChatGPT Enterprise për vetëm 1 dollar në vit. Ky program, sipas kompanisë, do të zbatohet me “kufizime të forta, transparencë të lartë dhe respekt të thellë për misionin publik”.

Marrëveshja vjen pak pasi administrata Trump prezantoi AI Action Plan, një strategji për të rritur përdorimin e AI-së në administratën publike, për të përmirësuar efikasitetin dhe për të reduktuar kohën e harxhuar për burokracinë.

Në një projekt pilot në Pensilvani, nëpunësit publikë raportuan se kursenin mesatarisht 95 minuta në ditë në detyra rutinë duke përdorur ChatGPT – nga menaxhimi i buxheteve të ndërlikuara, te analizimi i kërcënimeve të sigurisë kombëtare.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0