Çdo person në Tokë po jeton sot në një skenë krimi. Ky krim ka vazhduar për dekada me radhë. Ne po i shohim efektet e tij në valën e tmerrshme të të nxehtit dhe zjarret e shumta që janë vërejtur këtë verë në SHBA-në Perëndimore; në stuhitë e mëdha që ishin kaq të shumta në numër në vitin 2020, sa që shkencëtarëve u mbaruan emrat për to; tek parashikimet globale, sipas së cilave nivelet e deteve do të rriten me të paktën 6 metra. Shpresa jonë e vetme, është ta ngadalësojmë këtë ngritje të pashmangshme, në mënyrë që fëmijët tanë të gjejnë një mënyrë për ta përballuar këtë ndryshim dramatik.
Ky krim kërcënon më së shumti të gjithë të rinjtë e sotëm, dhe vë në pikëpyetje vetë mbijetesën e civilizimit njerëzor. E megjithatë, kriminelët përgjegjës për këtë shkatërrim janë ende të lirë. Në fakt, ata vazhdojnë të kryejnë krimin e tyre, dhe madje edhe të fitojnë para prej tij, edhe sepse krimi i tyre mbetet i panjohur për shumicën e publikut.
Vetëm kjo mjafton që t’ju vlojë gjaku nga indinjata, sidomos nëse jeni prind. Vajza ime sapo ka mbushur 16 vjeç, dhe që kur ishte fëmijë unë kam menduar se cili vend do të ishte më i sigurt ku ajo mund të kalojë jetën e saj, duke filluar që të shkruaja për adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike.
Krimi në fjalë ka të bëjë me 40 vitet e gënjeshtrave të industrisë së karburanteve fosile mbi çështjen e ndryshimit të klimës. Nuk ka asnjë dyshim se mashtrimi më i madh i korporatave në histori, gënjeshtrat e industrisë kanë ndikuar në ndërgjegjësimin e ulët të publikut por edhe në veprimin e qeverive ndaj asaj që shkencëtarët thonë se tani është një emergjencë e plotë e klimës.
Kur ishte kandidat në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2020, Joe Biden tha se do të mbështeste përpjekjet për të ndjekur penalisht kompanitë e mëdha të naftës për shkak të gënjeshtrave të tyre. Mbetet të shihet nëse ai do ta mbajë këtë premtim. Gazetarët kanë shpenzuar vite të tëra për të dokumentuar provat për këtë krim të madh. Në vitin 2015, një investigim nga Shkolla e Gazetarisë në Universitetin e Kolumbias dhe i së përditshmes “Los Angeles Times”, gjurmoi shkeljet mjedisore të “Exxon Mobil”, në atë kohë kompania më e madhe e naftës në botë.
Të dhënat e brendshme treguan se nga fundi i viteve 1970, vetë shkencëtarët e Exxon po i informonin drejtuesit e kompanisë se ngrohja globale e shkaktuar nga njeriu ishte e vërtetë, potencialisht katastrofike, dhe e shkaktuar kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile. Aktivistët e klimës e zbuluar këtë gjë, duke publikuar hashtagun # ExxonKnew.
Hetimet e mëtejshme zbuluan se Chevron, Shell dhe gjigantët e tjerë të naftës, e dinin gjithashtu se produktet e tyre kërcënonin ta bënin të pabanueshme Tokën për shkak të klimës. Pra nuk e dinte vetëm “Exxon”, por që të gjithë.
Dhe të gjithë zgjodhën të gënjejnë mbi këtë çështje. Duke filluar nga vitet 1990, kompanitë e naftës shpenzuan miliona e miliona dollarë në fushatat e marrëdhënieve me publikun për të hutuar shtypin, publikun dhe politikë-bërësit mbi rreziqet që ka përdorimi i lëndëve djegëse fosile.
Synimi i tyre ishte që “ta ri-poziciononin ngrohjen globale si teori, dhe jo si fakt”, thuhej në një dokument konfidencial. Grupet e interesit dhe politikanët e lidhur me ta përhapin gënjeshtrat e kompanive. Gazetat, sidomos në Shtetet e Bashkuara, i promovuan këto gënjeshtra tek një publik i paditur.
Në fund, njerëzimi humbi dekada të çmuara, duke debatuar nëse ngrohja globale është reale apo jo, në vend se të merrej me zbutjen e këtij kërcënimi. Në vend se niste një tranzicion drejt energjisë së rinovueshme, u rrit ndjeshëm konsumi i karburanteve fosile. Më shumë se gjysma e sasisë totale të gazrave serë që tani po mbinxehin planetin tonë u emetuan pas vitit 1990, pasi Exxon dhe gjigantët e tjerë të karburanteve fosile e dinin shumë mirë se çfarë po i shkaktonin globit. “Exxon mund t`i kishte dhënë fund që në vitin 1980 debatit të shtirur mbi ndryshimin e klimës. Kur shkencëtarë si Jim Hansen i NASA-s folën për herë të parë për ndërgjegjësimin e publikut mbi problemin e ndryshimit të klimës në vitin 1988, mendoni se çfarë do të kishte ndodhur nëse shefi ekzekutiv i Exxon do të kishte shkuar në Kongres, dhe të thoshte që edhe studimet e tyre të brendshme shkencore, tregonin saktësisht të njëjtën gjë ”-shkroi më vonë aktivisti Bill McKibben.
Ndërsa pak nga opinioni publik amerikan mund të dinë tashmë mbi krimin e madh të kompanive të naftës, shumica dërrmuese e viktimave të saj pothuajse me siguri nuk dinë asgjë. E si mund të ndodhte ndryshe? Rekordi i gënjeshtrave i “Big Oil” (kompanitë e mëdha të naftës, nuk u bë kurrë pjesë e narrativës publike për ndryshimin e klimës, kryesisht për shkak se shumica e mediave nuk e përfshinë atë në mbulimin e tyre të vazhdueshëm të ndryshimeve klimatike.
Zbulimet fillestare mbi atë çka dinte “Exxon” në vitin 2015, patën relativisht pak vëmendje të vazhdueshme. Televizioni, që edhe në epokën e internetit mbetet burimi kryesor i lajmeve për shumicën e njerëzve, i injoroi tërësisht këto zbulime. Tashmë është koha për t’i ndrequr këto gabime.
Deri më sot, kompanitë e naftës, drejtuesit e tyre, propagandistët që ata kanë punësuar dhe politikanët që ata kanë financuar, kanë shmangur çdo lloj përgjegjësie. Njerëzimi nuk mund t’i rikthejë dot 40 vitet e humbura nga gënjeshtrat e “Big Oil” mbi ndryshimet klimatike. Tani është përtej urgjencës që vendet e pasura dhe të varfra të heqin dorë nga lëndët djegëse fosile, në favor të energjisë së rinovueshme dhe praktikave të tjera të zgjuara klimatike. Por po aq e rëndësishme është që ne të forcojmë komunitetet tona ndaj ndikimeve të frikshme të klimës, të cilat për shkak se jemi vonë me disa dekada, nuk mund të shmangen më.
Qeveritë e botës do të diskutojnë nga tani deri në samitin e OKB-së mbi klimën në nëntor të këtij viti, rreth asaj se kush do të paguajë më shumë. Rivendosja e gënjeshtrave të “Big Oil” në vendin e tyre të duhur në qendër të historisë së klimës, do të ofronte një përgjigje për atë enigmë. Kjo është një çështje për të cilën duhet të reagojë edhe Joe Biden:“Big Oil” e dinte çfarë po ndodhte, a nuk duhet të paguajë tani për dëmet e shkaktuara?
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.