Ndërsa ritmi i punësimit në Europë po ngadalësohet, një numër rekord profesionistësh po e ribrandojnë veten në LinkedIn si “Founder”. Të dhënat e reja tregojnë një rritje të fortë të titujve sipërmarrës në profilet profesionale, por pyetja që shtrohet është: a po nxitet kjo nga ambicia apo nga mungesa e mundësive në tregun e punës? Sipas të dhënave të LinkedIn, “Founder” është një nga titujt e punës me rritjen më të shpejtë në Europë. Numri i përdoruesve që e kanë shtuar këtë titull në profil është rritur me 60% nga viti në vit, ndërsa që nga viti 2022 është pothuajse trefishuar.
Rritja është më e theksuar në Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ku numri i profileve me titullin “Founder” u rrit respektivisht me 85% dhe 69% mes korrikut 2024 dhe korrikut 2025. Rritje të ndjeshme po shihen edhe në Spanjë (68%), Gjermani (61%) dhe Francë (49%).
Por çfarë po e nxit këtë valë të re sipërmarrjeje? Dhe a është ky momenti i duhur për të nisur një biznes?
Në episodin më të fundit të serisë “The Big Question” nga Euronews, Sue Duke, drejtuese për rajonin EMEA dhe Amerikën Latine dhe zv.presidente për politikat publike globale në LinkedIn, diskutoi për situatën aktuale të tregut të punës në Europë dhe trendet që po e formësojnë atë.
Tregu i punës në Europë po ”ftohet”
Sipas saj, shumë biznese në Europë ende po riorganizohen për të gjetur madhësinë optimale të stafit pas bumit të rekrutimeve gjatë periudhës pas pandemisë. Kjo ka sjellë shkurtim të vendeve të punës dhe ngadalësim të punësimeve. Megjithatë, Duke thekson se tregu i punës nuk është i paralizuar plotësisht. “Për momentin tregu i punës është i ngadaltë, por jo i ngrirë,” u shpreh ajo.
Të dhënat e LinkedIn tregojnë se punësimet globale janë rreth 20% më të ulëta se nivelet para pandemisë. Në ekonomitë e zhvilluara si Mbretëria e Bashkuar, Francë dhe Gjermani, rënia varion nga 20% deri në 35%.
Lexo edhe: Lideret e reja të inovacionit, gratë më me ndikim në startup-e në Europë
Si pasojë, konkurrenca për një vend pune është rritur ndjeshëm. Numri mesatar i aplikantëve për një pozicion është dyfishuar që nga viti 2022, ndërsa rreth gjysma e njerëzve në botë presin të kërkojnë një punë të re gjatë vitit 2026.
Dy breza, dy strategji
Të dhënat tregojnë edhe një ndarje të qartë mes brezave në mënyrën se si reagojnë ndaj një tregu të vështirë pune. Punonjësit më të vjetër priren drejt një fenomeni të quajtur “job hugging” që do të thotë të mbash fort vendin aktual të punës dhe të shmangësh ndryshimet.
“Punonjësit po qëndrojnë në vendet e tyre dhe po presin të shohin si do të zhvillohen gjërat. Kalimet nga një punë në tjetrën janë në nivelin më të ulët të 10 viteve në platformën tonë,” tha Duke.
Ndërkohë, brezi i ri duket shumë më i gatshëm të marrë rreziqe. Sipas të dhënave, 4 në 10 të rinj do të donin të hapnin biznesin e tyre dhe të bëheshin themelues të një kompanie.
Në Europë ka më shumë të diplomuar se kurrë më parë, por përballë mundësive të kufizuara të punësimit, shumë prej tyre po zgjedhin të eksperimentojnë me rrugë të reja.
Të dhënat paraprake tregojnë se 28% e të rinjve europianë punojnë njëkohësisht në disa punë. Arsyet janë të ndryshme:
- 52% për të rritur të ardhurat,
- 24% për të nisur biznesin e tyre,
- 22% për të ndërtuar rrjetin profesional.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto