Kush është Kristi Gorea, fituesi i ICT Awards Diploma e Vitit? - Business Magazine Albania

Kush është Kristi Gorea, fituesi i ICT Awards Diploma e Vitit?

Kristi Gorea

Kristi Gorea është i riu, i cili u shpall fitues i ICT Diploma e Vitit 2021. Ai u përfaqësua me punimin e tij të diplomës i cili kishte një temë jo pak të veçantë si: “Përdorimi i NFT-ve në regjistrimin e pronave, rast studimor për Shqipërinë”. Por si u frymëzua ai për të bërë këtë punim dhe cilat janë planet e tij të mëtejshme ne i kemi zbuluar në një intervistë me Kristin.

Mund të na tregosh pak për punimin me të cilin u përfaqësove në ICT Awards?

Punimi im quhet “Përdorimi i NFT-ve në regjistrimin e pronave, rast studimor për Shqipërinë”. Ky punim eksploronte mundësinë e përdorimit të Non-Fungible Tokens (NFT) në ruajtjen e çertifikatave të pronësisë në blockchain. NFT-të, ashtu si dhe kriptovalutat janë një derivat i teknologjisë blockchain, por ndryshojnë nga këto të fundit, sepse çdo NFT është unik, nuk mund ndahet në fraksione dhe nuk mund të zëvendësohen. Këto karakteristika i bëjnë NFT që të kenë aftësinë për të ruajtur autenticitetin e asetit që përfaqësojnë (në rastin tonë çertifikatat e pronësisë). Gjatë punimit janë trajtuar funksionet kryesore të implementimit si: funksioni i krijimit të NFT (minting), funksioni i transferimit nga një pronar në një tjetër (transferFrom), funksione të tjera që tregojnë numrin total të NFT të krijuara, NFT të zotëruara nga një pronar, etj.

Avantazhet që do të sillte përdorimi i kësaj teknologjie do të ishin:

  • Rritja e transparencës në regjistrimin e pronësisë, duke qenë se këto NFT do të ruhen në blockchain dhe do të mund të verifikohen nga çdo entitet që ka interes. Kjo do të rriste besueshmërinë e qeverisjes.
  • Përshpejtimi i transaksioneve dhe procedurave në regjistrim, duke eliminuar disa hapa burokratikë dhe duke bërë të mundur që procesi të implementohet nga një entitet i vetëm shtetëror si Kadastra.
  • Mbrojtja kundër mashtrimeve. Duke qenë se NFT janë unik dhe në momentin që ata krijohen dhe ruhen në blockchain bëhet e pamundur që ato të modifikohen nga persona të tretë. Kjo do të eliminonte krijimin e çertifikatave false duke eliminuar dhe korrupsionin në këtë proces.
  • Aksesueshmëria – çdo individ që zotëron një smartphone do të kishte çertifikatat e tij të pronësisë të ruajtura në portofolin e tij softuerik. Kjo e bën të mundur dhe transferimin e shpejtë të pronësisë nga një individ në një tjetër.
  • Taksimi – Në rastin e qeverisë, do të lehtësonte procesin e mbledhjes së taksave gjatë transaksioneve të shitblerjeve të pronave. Duke qenë se transaksionet ruhen në blockchain, sa herë ndodh një transferim pronësie, qeveria e ka të lehtë për ta gjurmuar dhe për të kërkuar pagesën e taksës. Kjo do të përmirësonte në problemet e mundshme të evazionit fiskal

LEXO: BERZH dhe donatorët mbështesin 5000 biznese të udhëhequra nga gratë në Ballkanin Perëndimor

Si erdhi ideja dhe frymëzimi për të ?

Gjatë periudhës kur po mendoja se çfarë teme të trajtoja për diplomë, NFT ishin një teknologji relativisht e re dhe po përjetonin një rritje të madhe në shkëmbimin e artit digjital. Kjo më bëri që të interesohem rreth avantazheve që sillte kjo teknologji. Pasi u thellova disi rreth tyre, mendova të trajtoja një temë në lidhje me këtë teknologji, duke qenë se më dukej interesante dhe me perspektivë. Pasi fola rreth mundësive të ndryshme të implementimit të NFT (ku ndër to ishte dhe ruajtja e pasurive të paluajtshme) me udhëheqësin tim të diplomës Prof. Marenglen Biba, vendosëm të trajtonim këtë temë me në fokus realitetin shqiptar, duke patur parasysh problematikat e mëdhaja që ka patur ky sektor në Shqipëri sot e përgjatë këtyre 30 viteve. Fakti që qeveria shqiptare ka miratuar një ligj në vitin 2020, për tregjet financiare të bazuar në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë (DLT), na shtyu të mendojmë që ky projekt mund të gjejë zbatim në të ardhmen. 

Si u ndjeve në momentin e fitores ? A e prisje? Si dukeshin idetë e tjera në krahasim me tënden ?

Momenti kur ministrja e ekonomisë së Kosovës, Dr. Artane Rizvanolli thirri emrin tim, isha shumë i lumtur për arritjen time dhe për punën që kisha zhvilluar. Gjëja që më bëri të ndjehem akoma më i lumtur, ishte fakti që babai im ishte në sallë me mua dhe ai ishte shumë krenar për arritjen time.

Nuk mund të them që e prisja, por që gjatë gjithë ditës përpara fillimit të asaj mbrëmje gala, kisha një ndjesi të mirë se gjërat do të shkonin në drejtimin tim dhe për fatin tim të mirë kjo u konkretizua me marrjen e çmimit.

Idetë e dy vajzave të tjera ishin mjaft të mira duke qenë se dhe ato ishin finaliste. Mendoj se ndoshta ideja është vlerësuar disi më shumë ndoshta për faktin se është një teknologji ende e re dhe që ka akoma mundësi zhvillimi të mëtejshëm. Gjithsesi mendoj se dhe punimet e vajzave ishin mjaft të mira dhe të denja për t’u shpallur fituese.

Cila mendon se do të jetë e ardhmja e jote profesionale?

Për momentin sapo kam filluar karrierën profesionale, si akademik në Universitetin e New York Tirana. Shpresoj që përtej jetës akademike të vazhdoj të rritem dhe në sektorin e industrisë së teknologjisë dhe të lë një impakt.

Në afatgjatë nuk mund ta parashikoj se si mund të jetë e ardhmja ime, por shpresoj që të jetë e mbushur me suksese të mëtejshme. E vetmja gjë që kam në dorë të bëj është të punoj fort për ti arritur këto suksese. Në qoftë se arrij ta bëj këtë gjë besoj se do të jem i kënaqur me rezultatet.

A mendoni për zhvillimin e një startup-i ? Nëse po do të jetë në të njëjtën fushë?

Gjatë këtyre kohëve gjithmonë kam menduar për krijimin e një startupi dhe me kolegë dhe miq të mi po eksplorojmë për ide të mundshme që do të sillnim një ndryshim pozitiv në treg. Normalisht çdo diskutim dhe ide ka të bëjë me teknologjinë dhe sidomos me fushën e blockchain për të cilin un jam i apasionuar dhe dua të eksploroj dhe më tej.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0